Shëndeti

Dr. Agron Leka dhe Dr. Arlind Ferati marrin pjesë në Kongresin Evropian të Kardiologjisë në Madrid

Për katër ditë me radhë, kryeqyteti spanjoll, Madridi, ishte nikoqir i Kongresit Evropian të Kardiologjisë, një ngjarje prestigjioze që mblodhi emra të njohur të mjekësisë nga e gjithë bota. Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe dy kardiologë të njohur nga Kosova, dr. Agron Leka dhe dr. Arlind Ferati, të cilët përfaqësuan me dinjitet komunën e Gjilanit dhe sistemin shëndetësor të vendit tonë.

Dr. Leka dhe dr. Ferati janë bërë të njohur në Kosovë për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre. Në fund të janarit të këtij viti, ata kishin shpëtuar jetën e një pacienti rreth 50-vjeçar, duke e diagnostikuar me një sëmundje të rrallë dhe potencialisht fatale të zemrës, një rast që dëshmoi nivelin e tyre të lartë të ekspertizës.

Pjesëmarrja në Kongresin Evropian të Kardiologjisë për ta ishte një mundësi e veçantë për të ndjekur nga afër risitë më të fundit shkencore dhe praktikat më të avancuara në fushën e kardiologjisë.

“Është një mundësi e veçantë të jesh në mesin e kardiologëve nga e gjithë Evropa dhe më gjerë. Ky kongres na mundësoi të mësojmë për trajtime më të avancuara për pacientët tanë. Kishte ligjërues të mëdhenj, debate shkencore dhe analiza profesionale për të zbuluar faktorët e fshehur të rrezikut për zemrën. Është një përvojë shumë e madhe që do ta shfrytëzojmë për t’i ofruar pacientëve tanë një kujdes edhe më profesional,” deklaroi dr. Agron Leka.

Ai gjithashtu falënderoi posaçërisht Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë (ESC) për mundësinë e pjesëmarrjes dhe Shoqatën e Kardiologëve të Turqisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen.

Nga ana tjetër, dr. Arlind Ferati njëri ndër kardiologët më të vlerësuar në Kosovë, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në ngjarje të tilla për të qenë në hap me zhvillimet më të fundit në kardiologji.

“Kongresi në Madrid ishte i nivelit botëror. U prezantuan dhe diskutuan mënyrat më bashkëkohore për të parandaluar sulmet në zemër. Kishte ligjërata shumë të reja rreth ndryshimeve në stilin e jetesës, trajtimit të hershëm të sëmundjeve të zemrës dhe faktorëve të tjerë të rëndësishëm,” theksoi dr. Ferati.
“Investimi më i madh për zemrën është pjesëmarrja në kongrese dhe takime ndërkombëtare që na bëjnë më të suksesshëm në trajtimin e pacientëve tanë.”

Të dy kardiologët, tashmë të dëshmuar, e përfunduan pjesëmarrjen në kongres me një mesazh për qytetarët:

“Mos e lini shëndetin në fatin e rastësisë. Nëse ndjeni diçka të pazakontë, mos e injoroni por drejtohuni menjëherë te mjeku. Një vizitë mund t’ju shpëtojë jetën.”

You Might Also Like