Futboll

Nuhiu: Kërkoj reagim nga skuadra, ngritemi në momente të vështira

Kryetrajneri i skuadrës Ardian Nuhiu ka folur para gazetarëve në prag të sfidës kampionale ndaj Llapit në udhëtim, duke vënë në pah rëndësinë e ndeshjes dhe rikthimit të skuadrës.

I pari i stolit të kuqebardhëve ka potencuar se skuadra e tij ka dëshmuar edhe në të kaluarën se mund të ngritet dhe këtë gjë e beson edhe në këtë fazë të kampionatit.

Përballja me Llapin?!

“Përballen dy skuadra që kanë pritur të kenë start më të mirë për shkak të përbërjeve dhe kualiteteve që kanë. Pres nga skuadra ime që të shfaq mentalitet fituesi. Gjithmonë kemi ditur të reagojmë dhe të ngritemi edhe në vështirësi, pasi që ato të rrisin në jetë dhe të rrisin si personalitet”.

Mungesa e efikasitetit?

“Mungesa e Jarovic është evidente, pasi që është një lojtar i rëndësishëm për ne. Ai nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme ndaj Llapit për shkak të lëndimit, por presim që pjesa e futbollistëve të cilët do të jenë të gatshëm për lojë të japin maksimumin dhe të jenë të vëmendshëm në finalizimin e aksioneve. Kemi shënuar edhe edicionin e kaluar, duke qenë ndër tri skuadrat me sulmin më të mirë, njësoj po e bëjmë edhe këtë vit, duke shënuar pothuajse në shumicën e ndeshjeve dhe kjo flet mjaftueshëm për kualitetin që kemi brenda ekipit për ta gjetur rrugën drejt golit”.

Kontinuiteti?

“Ne analizojmë çdo ditë, kundërshtarin dhe lojën tonë. Natyrisht që punojmë në vazhdimësi që të përmirësohemi dhe ne të fillojmë të marrim ndeshjet një nga një duke marrë rezultate pozitive”.

Lëshimi i pikëve?

“Është herët për të folur për kampionatin. Jemi përballur me skuadra që tashmë janë në kreun e tabelës dhe kjo flet mjaftueshëm për kundërshtarët me të cilët jemi përballur. Edhe kundërshtarët tanë kanë lëshuar pikë dhe duhet të jemi të gatshëm për të shfrytëzuar çdo lëshim, çdo moment. Po punojmë në këtë drejtim që të shfrytëzojmë ndeshjet duke marrë maksimumin e tyre”.

Rishikimi i pozicionit?

“Kontrata ime është njerëzore. Raportet e mia me presidentin dhe drejtorin janë të shkëlqyeshme. Jam këtu për sukses, për të triumfuar dhe jo për të grumbulluar para. Jam i bindur që me këtë skuadër do ta arrijmë suksesin, pasi që besoj shumë te ky grup i futbollistëve. Ekziston puna dhe ekziston besimi, gjë e cila është shumë e rëndësishme në klub nga të gjithë ne. Dua shumë që këtë besim të plotë tua shpërblej duke nisur nga drejtuesit, po ashtu edhe tifozët, të cilët i kemi mërzitur. Dua që në fund me këta futbollistë tua rikthejmë buzëqeshjen duke i bërë krenar me skuadrën e tyre”.

You Might Also Like