Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme, Edicioni IV
Edicioni i katërt i Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme ka hyrë në fazën finale të përgatitjeve dhe do të mbahet më 22–23 dhjetor në qytetin e Gjilanit.
Ky festival organizohet nga Organizata Kulturore ANAMOUR, në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Gjilanit dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe ka për qëllim promovimin e artit teatror tek të rinjtë, si dhe krijimin e një hapësire profesionale për shprehje artistike dhe zhvillim kulturor.
Në këtë edicion, protagonistë janë nxënësit e shkollave të mesme, të cilët kanë përgatitur shfaqje teatrale nën mentorimin profesional të aktorëve dhe regjisorëve të Teatrit të Gjilanit. Risi e këtij viti është se shfaqjet janë të bazuara në veprat e William Shakespeare, të aktualizuara dhe të përshtatura në frymë bashkëkohore.
Shfaqjet pjesëmarrëse janë :
1. Shkolla e Mesme “Sezai Surroi” – Karriga ose Makbethi Modern
2. Gjimnazi i Shkencave Shoqërore “ Zenel Hajdini ” & Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai” – Labirinti i Mendjes (bazuar në Ëndrra e një nate vere)
3. Shkolla e Mesme Ekonomike “Marin Barleti” – Roni dhe Leta (bazuar në Romeo dhe Zhuljeta)
4. Shkolla e Mesme “Don Bosko” & Shkolla e Mesme e Arteve – Drejtësi për Vesën (Avni Shkodra)
5. Gjimnazi “Skënderbeu”, Preshevë – Midis dy vendesh
Në këtë edicion marrin pjesë shkolla nga Gjilani, Kamenica, Presheva dhe Bujanoci, duke e kthyer festivalin në një ngjarje ndërkomunale me rëndësi kulturore, veçanërisht në prag të festave të fundvitit.
Ju ftojmë që këtë ngjarje ta përcillni dhe ta mbështesni përmes mediave tuaja, duke kontribuar në promovimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e jetës kulturore në qytetin e Gjilanit.
Për informata shtesë apo bashkëpunim medial, ju lutemi të na kontaktoni.



