ARSIMI

Ndërroi jetë Prof. Dr. Ramiz Abdyli, historian i shquar shqiptar

Në moshën 83- vjeçare është ndarë nga jeta të Prof. Dr. Ramiz Abdyli, historian e studiues i shquar shqiptar, I cili për vite të tëra ishte edhe pedagog shumëvjeçar universitar.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të të ndjerit, të cilët kanë shkruar:

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se Prof. Ramiz Abdyli, babai dhe gjyshi ynë i dashur ka ndërruar jetë. Humbëm një njeri të rrallë, një prind të përkushtuar dhe shtyllën e familjes sonë. Për varrimin dhe të pamën do t’ju njoftojmë me kohë. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar përjetë në zemrat tona. Lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe”, thuhet në njoftimin e familjes, përcjell INA.

Biografia e Prof. Dr. Ramiz Abdylit

U lind më 10 nëntor 1944 në fshatin Llojan të Komunës së Kumanovës. Shkollimin e lartë e përfundoi në Shkup, në Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë, ndërsa studimet pasuniversitare i vijoi me magjistraturë dhe doktoraturë në fushën e historisë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij të gjatë akademike dhe shkencore, ai punoi mësues, profesor, studiues në Institutin e Historisë në Prishtinë dhe më pas në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup. Ishte profesor në Universitetin e Tetovës që nga themelimi i tij në vitin 1994, ndërsa në fillim të vitit 2003 ushtroi detyrën e rektorit.

Ishte autor i dhjetëra studimeve dhe trajtesave shkencore, pjesëmarrës në shumë simpoziume brenda dhe jashtë vendit, si dhe bashkëpunëtor në botime enciklopedike shqiptare.

Kontributi i tij në historiografinë shqiptare dhe në arsimin universitar do të mbetet i çmuar dhe i paharruar.

Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Dr. Ramiz Abdylit

You Might Also Like