OPINION

Qarrishta/Cernica një historik i shkurtër

Lul Hoxha

Qarrishta/Cernica një historik i shkurtër

Sipas këtij hulumtimi, ky fshat është populluar katër herë.

Periudha e Bronzit – Popullimi i parë

Evidenca arkeologjike dëshmon për një popullim të hershëm dhe një vazhdimësi të gjatë jetese në territorin e Cernicës së sotme, duke filluar që nga Epoka e Bronzit. Historiani Jahja Drançolli, duke u bazuar në gjetjet materiale, argumenton se Cernica ka shërbyer si vendbanim në epokën e Bronzit, që do të thotë në periudhën 2200-1500 para erës sonë ose para 3500-4200 vitesh.[1]

Periudha e Hekurit – popullimi i dytë

Në vitin 1969 u kryen gërmimet e para në Cernicë nga N. Djurić dhe J. Glišić, të cilat synonin të hulumtonin Periudhën e Hekurit dhe të na njihnin me Dardanët e lashtë përmes trashëgimisë së kulturës materiale. Më vonë, në vitin 1996, Edi Shukriu publikoi punimin Hellenized Ceramics.[2]

Një kapitull i ri dhe vendimtar në studimin arkeologjik për Cernicën u hap me fushatat e gërmimeve sistematike të ndërmarra nga Instituti Arkeologjik i Kosovës midis viteve 2014 dhe 2018. Këto gërmime, të shtrira në një sipërfaqe prej rreth 600 m2 në Gradinën e Cernicës, mundësuan për herë të parë vendosjen e një kornize të besueshme stratigrafike. Ato zbuluan një trashësi të shtresave kulturore që arrinte deri në 2 metra në disa sektorë dhe lejuan përcaktimin e një sekuence të qartë kronologjike, duke filluar nga themelimi i vendbanimit në shekullin VIII p.e.s. deri te shkatërrimi i tij i dhunshëm në fillim të shekullit III p.e.s. gjatë dyndjeve kelte.

Në luginën e Anamoravës, rreth 700 metra larg njëri-tjetrit, gjenden dy lokalitete që së bashku formojnë kompleksin e Cernicës. I pari, Gradina, është një vendbanim i fortifikuar i vendosur në një tarracë lumore dominuese në një lartësi mbidetare prej 543 metrash. I dyti, Qeremeniku, është një vendbanim i hapur, i pambrojtur, i shtrirë në një fushë pjellore aluviale (sedimentet si balta, zalli, rëra etj. që sjellin lumenjtë e përrenjtë dhe e lënë gjatë rrjedhës së tyre) në një lartësi prej 510 metrash.[3]

Historia e lulëzimit të Cernicë në periudhën e hekurit  merr një kthesë dramatike dhe të dhunshme në fillim të shekullit III p.e.s. Dëshmitë arkeologjike nga Gradina e Cernicës tregojnë qartë për një fund katastrofike ku nga gërmimet u identifikua një shtresë e trashë dhe homogjene djegieje, me një trashësi që varionte nga 20 deri në 30 cm., Në këtë kontekst, shtresa e djegies në Cernicë interpretohet si dëshmia e drejtpërdrejtë materiale e kalimit të ushtrive kelte dhe shkatërrimit që ato lanë pas.

Mesjeta e vonshme 1411 – popullimi i tretë

Një nga dokumentet më të hershme dhe më thelbësore ku përmendet qartë fshati Cernicë është një akt dhurimi i rëndësishëm, i cili daton në vitin 1411[4]. Ky dokument i veçantë detajon dhurimin e plotë të fshatit Livoç,  Kullës së Vasilit, e cila ishte pjesë përbërëse e Manastirit të Hilandarit. Në akt dhurim përmendet edhe Bogdani dhe djali i tij Bulani nga Cernica. Kjo referencë ka rëndësi të veçantë për analizën onomastike dhe etnike të rajonit. Emri Bogdan, në atë kohë dhe më vonë, ishte një emër tipik shqiptar i krishterë (si Pjetër Bogdani e shumë e shumë emra të përdorur në atë kohë), dhe mbaresa e emrit me “i” tregon se kemi të bëjmë me shqiptarë të krishterë. Kjo prezencë shqiptare vërtetohet më vonë ne defterin kadastral 1566-75 ku janë listuar 42 kryefamiljarë shqiptarë dhe 3 priftërinj.

Supozohet se në mesjetë ky vendbanim emërohet Cernica që është toponim sllav.

Fillimi i Shek. XVIII – popullimi i katërt nga paraardhësit e banorëve të sotëm

Nga hulumtimi del se popullimi i katërt i fshatit ndodh diku nga fillimi i shekullit të XVII, në fillim nga farefisnia Kapisëz, pastaj Puraj dhe Hoxha, e kështu me radhë.

Pra nga kjo mund të konkludojmë se ky fshat është themeluar nga dardanët, dhe më pas nga shqiptarët e krishterë në mesjetë, dhe më në fund nga paraardhësit e banorëve të sotëm rreth fillim shekullit të XVII. Toponimi Cernica, me origjinë sllave, mendohet jetë vendosur gjatë periudhës së administrimit sllav në mesjetë, megjithatë, ai nuk pasqyron identitetin etnik shqiptar të popullsisë që e themeloi këtë fshat.

[1] Jahja Drançolli, “Kosova: Archaeological Heritage,” in Encyclopedia of Global Archaeology, ed. Claire Smith (New York: Springer, 2014), 4308–4319, https://doi.org/10.1007/978-1-4419-0465-2_1307.

[2] Edi Shukriu, Ancient Kosova (Prishtina: Ministry of Education, Science and Technology & Museum of Kosova, 2004), 12.

[3] Alaj, Settlements of the Iron Age, 344, 537.

[4] Franz Miklosich, Monumenta Serbica spectantia historiam Serbiae, Bosnae, Ragusii (Vienna: Wilhelm Braumüller, 1858), 262-64.

You Might Also Like