Në kuadër të shënimit të Javës së Frankofonisë, në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” u organizua një aktivitet i veçantë kulturor dhe arsimor, i cili bashkoi dijen, kulturën dhe frymën frankofone.
Programi i aktivitetit përfshiu prezantime edukative dhe pjesë artistike të përgatitura nga nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa prezantimi mbi kuzhinën franceze u realizua nga një kuzhinier profesionist, duke sjellë para të pranishmëve një pasqyrë interesante të traditës gastronomike franceze.
Me këtë rast, pjesëmarrësit e këtij aktiviteti u pritën nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili përgëzoi organizatorët, mësimdhënësit dhe nxënësit për angazhimin e treguar, duke theksuar përkushtimin e komunës për të mbështetur iniciativa që promovojnë gjuhën, kulturën dhe vlerat evropiane.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Arsimit, në krye me drejtoreshën Arta Ajeti, të cilët vlerësuan lart organizimin dhe rëndësinë e aktiviteteve të tilla për zhvillimin arsimor dhe kulturor të nxënësve.
Po ashtu, në kuadër të kësaj jave, në mbrëmje pritet të shfaqet edhe një film në Shtëpinë e Kulturës, duke e pasuruar më tej programin me përmbajtje artistike dhe kulturore në frymën frankofone.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rolin e rëndësishëm të shkollës dhe institucioneve në promovimin e gjuhës frënge, kulturës dhe vlerave të përbashkëta evropiane.





