Braktisi punën në kompanitë më të mëdha evropiane për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut në vitin 1999, por sot, ëndrra e tij për një Kosovë të zhvilluar ka mbetur peng i zhgënjimit. Mustafë Murseli, 51-vjeçari nga Vriqeci i Kamenicës, i njohur në luftë me nofkën “Njishi”, është njëri nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballet me harresën institucionale, duke mbajtur një familje gjashtë anëtarëshe në Gjilan me vetëm 204 euro pension në muaj.

Historia e Murselit reflekton fatin e shumë bashkëluftëtarëve të tij, duke sjellë në vëmendje kontrastin e dhimbshëm mes sakrificës sublime për liri dhe vështirësive të rënda socio-ekonomike të pasluftës.
Në vitet e ’90-ta, ndërkohë që popullata në Kosovë po përballej me represionin e ashpër serb, Murseli po ndërtonte një jetë të qëndrueshme në Gjermani. Si 24-vjeçar, ai punonte në kompani të njohura si “Konica” e më pas në fabrikën e ushqimeve “Hipp”. Megjithatë, lajmet nga Kosova nuk e linin të qetë.

Pas disa tentativave të dështuara gjatë vitit 1998 për shkak të mungesës së armatimit, në vitin 1999, ai së bashku me 50 shokë lanë punët e tyre në Gjermani. Përmes Italisë (Bari) dhe më pas Kukësit, ata hynë në Kosovë. U pozicionuan te “Kurora e Prizrenit”, duke iu bashkuar Brigadës së Pashtrikut, nën komandën e Binak Gashit.
“Momenti i nisjes drejt Kosovës është momenti më i lumtur i jetës sime. Aty takova shumë shokë e patriotë. Pas tri javësh stërvitje në Kukës, hyrëm në këmbë në territorin e Kosovës. Nuk ka diamant në botë që mundet të më kthejë idealet e lirisë. Të japësh jetën për atdhe, të mbrosh familjen dhe popullin nga shfarosja, është krenaria më e madhe,” rrëfen 51-vjeçari.
Gjatë luftës, Murseli kishte rolin e snajperistit, por në mungesë të kësaj arme, atij i ishte dashur të luftonte me armatime të tjera. Vetëm më vonë, ai arriti të siguronte dhe të përvetësonte armën e snajperit, duke dhënë maksimumin e potencialit të tij dhe duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut në fushën e betejës.
Por ndikimi i tij nuk përfundoi me heshtjen e armëve. Në ditët e para të lirisë, ai bashkë me shokët e tij ndërmorën një mision me rrezikshmëri të lartë: çmontimin e 43 minave antitank për të hapur korridore të sigurta për kthimin e popullatës civile, një operacion ky që fatmirësisht përfundoi pa asnjë viktimë.
Pavarësisht kontributit të tij të jashtëzakonshëm, jeta e Mustafë Murselit sot është një betejë e përditshme për mbijetesë. Prej 9 vitesh ai jeton në Gjilan, i papunë, me fëmijët e papunë, duke u mbajtur vetëm me pensionin prej 204 eurosh.
Ai nuk e fsheh zhgënjimin me klasën politike dhe trajtimin e vlerave të luftës gjatë dy dekadave të fundit.
“Gjatë luftës ishim betuar se do ta ndërtojmë Kosovën, se të gjithë njerëzit do të kenë punë, e se luftëtarët e dëshmorët do të nderohen. Por pushtetarët kanë bërë shumë pak. Unë nuk kam luftuar për ta keqpërdorur shtetin tim, kam luftuar për ditë më të mira,” shprehet Murseli me keqardhje.
Ajo që i dhemb më së shumti veteranit është fyerja publike që u bëhet luftëtarëve të lirisë nëpër media apo rrjete sociale. Ai heq një paralele mes shtetit që la pas (Gjermanisë) dhe atdheut të tij.
“Në Gjermani, luftëtarët e lirisë nderohen. Kur kalon afër memorialit të të rënëve në Berlin, gjithçka është e qetë, në shenjë respekti të thellë. Ndërsa tek ne, luftëtarët fyhen, përdhosen, e disa as bukë nuk kanë të hanë. Të fysh një ushtar lirie është turpi më i madh i një shteti,” shton ai.
Pavarësisht vështirësive, Mustafë Murseli gjen forcë te kujtimet e lavdishme. Më shumë se çdo gjë tjetër, ai ruan me xhelozi uniformën e UÇK-së. “Ato rroba i ruaj me shumë krenari e nostalgji. Ato më japin forcë, janë si fëmijët e mi,” përfundon veterani.
Deri më tani, e vetmja mirënjohje institucionale që “Njishi” ka marrë që nga koha e luftës, i është dorëzuar vetëm vitin e kaluar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.




