Futboll

Drita – Ballkani dhe Trepça ’89 – Gjilani ndeshje shumë interesante

Ballafaqimet ndërmjet Dritës dhe Ballkanit si dhe Trepçës ’89 me Gjilanin do të jenë ndër më interesantet të kësaj xhiroje. Të dy ekipet gjilanase do të kenë punë shumë të vështirë në përballjet e tyre dhe me kërshëri priten këto ndeshje.

Drita në fushë të vet e pret Ballkanin nga Suhareka dhe të dy ekipet mëtojnë daljen në Evropë, apo edhe gabimin eventual të Prishtinës për të marrë titullin. Në Evropë ka vend vetëm për dy ekipe, ngase që të trija janë eliminuar nga Kupa, andaj pritet që pikërisht takimi i ndërsjellë në mes të Dritës dhe Ballkanit të përcaktojë se kush do të dalë në Evropë. Ballkanit patjetër i duhet fitorja, kurse edhe Dritës po ashtu, andaj kjo ndeshje do të sqarojë shumëcka. Për momentin Prishtina është e para, Drita e dyta dhe Ballkani i treti.

Në anën tjetër edhe Trepçës ’89 patjetër i duhen pikët, por përballë ky ekip e ka Gjilanin, që tash kur ka komoditetin e duhur po u prish punë kundërshtarëve të vet. Gjilani praktikisht e fudosi Arbërinë dhe i prishi punë Dritës në luftën për titull, kurse punë të lehtë nuk do të ketë as Trepça ’89 për të cilën pikët janë jetike.

Këto ndeshje do të fillojnë në ora 15.

You Might Also Like