Viti

Është mbajtur seanca e pestë e Kuvendit Komunal të Vitisë

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Vitisë, kanë mbajtur mbledhjen e pestë të radhës, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika me rëndësi. Ndër pikat e parapara për këtë seancë ishte edhe propozim vendimi për shpalljen „Qytetare Nderi“ të ish deputetes së Parlamentit evropian Doris Pack. E një arsyetim të shkurtër lidhur me këtë propozim lidhur me kontributin e znj.Pack në mbështetje të shtetit të Kosovës, e ka paraqitur para kuvendarëve zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, ndërkohë që grupet parlamentare të të gjitha subjekteve kanë mbështetur këtë propozim dhe unanimisht ka kaluar me votat e këshilltarëve .

Në këtë seancë u diskutua edhe për propozim vendimin për shqyrtimin dhe miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2019-2021, e cila ishte edhe ndër pikat që u diskutua më së shumti, ku pati vërejtje nga ana e këshilltarëve të opozitës. Me gjithë sugjerimet dhe vërejtjet që u dhanë nga kuvendarët, Korniza Afatmesme Buxhetore 2019-2021 u miratua me shumicë votash.

Gjithashtu, u diskutua dhe u miratua propozim vendimi për transferin, (rialokimin) e mjeteve buxhetore në mes programeve-nën programeve buxhetore në kategorinë ekonomike të pagave e mëditjeve, propozim vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e njësisë – shtëpisë për Integrim në Bashkësi në Komunën e Vitisë, si dhe u dha një informatë, mbi punën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për periudhën Janar-Qershor 2018. Kurse me kërkesë të grupit të këshilltarëve të VV-së, ishte kërkuar që të hyjë në rend dite edhe një Informatë rreth kyçjes në Autostradën Prishtinë-Shkup, të qytetarëve të komunës së Vitisë në Gërlicë.Edhe në këtë pikë pati debat që kryesisht kishte të bënte rreth takimeve të zhvilluara me autoritetet qendrore të Qeverisë rreth kësaj çështje. Aziz Zuka

You Might Also Like