Futboll

FC Drita U15, kampione rajonale në futboll

Në përfundim të kampionatit për grupmoshat U15 në Ligën Rajonale të Gjilanit në Futboll, njomakët e FC Drita, gjenerata U15 tashmë kanë ngritur trofeun.

Ata janë shpallur kampion në këtë ligë për stinorin 2022/2023, me një rezultat brilant që shumëkush do t’ia kishte lakmi.

Me një qasje profesionale, punë të palodhshme, mund e djersë të derdhur, nën udhëheqjen e trajnerit Alban Nevzati, FC Drita U15 ia ka dalë që të shpallet kampione në Ligën Rajone të Gjilanit.

Bardh e kaltrit në këtë edicion kanë arritur 17 fitore, 2 barazime dhe kanë pësuar vetëm një humbje, duke grumbulluar 53 pikë.

Ish-mbrojtësi i Dritës, Alban Nevzati, ka krijuar një mbrojtje të fortë, thjeshtë të pathyeshme, duke pranuar vetëm 11 gola, kurse sulmi i këtij ekipi ishte i papërmbajtshëm, 109 gola të shënuar.

Nevzati e njeh shpirtin e kësaj gjenerate, ngase duhet rikujtuar se ai kishte punuar edhe me gjeneratën U13, duke qenë nënkampion në LRFGJ, por që me U15 titulli kampion është siguruar bindshëm.

Ky ekip i vyeshëm ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, ngase tashti i pret një sfidë e radhës pas shpalljes kampion, ku do të përballen me më të mirët e rajoneve të tjera në garën e play-offit e ku do të jenë 16 skuadrat më të mira të Kosovës për këtë grupmoshë.

“Ne do të japim maksimumin e unë kam besim të madh në lojtarët e mi, ngase ata janë më meritorët për sukseset e arritura”, thotë punëtori i palodhshëm e pedagogu i Kulturës Fizike e Sportit, Alban Nevzati, i cili i gëzohet suksesit të çdo lojtari që del nga Akademia e Futbollit FC Drita, e cila me punëtorët si Alban Nevzati dhe kolegët e tij mbetet fidanishte e futbollistëve të rinj, të cilët do të bëjnë emër jo vetëm në FC Drita, por edhe më gjerë./kryelajmi.com/.

You Might Also Like