Futboll

Festim Alidema hero i fitores së Dritës

Drita ka shënuar fitore ndaj Feroniklit në minutën e pestë shtesë në ndeshjen e vetme që është luajtur këtë të diel në Drenas, ku u ballafaquan dy ekipet me synime të kundërta, Drita që synon titullin e kampionit dhe Feronikli që nuk e ka të siguruar mbetjen në Superligë.

Në një ndeshje pa shumë raste Drita ka mundur të shënojë herët nëpërmjet Ajzerajt, por topi është dëbuar nga vija e portës. Edhe në minutën 8 Drita pati një rast të mirë, por Vucaj gjuajti mbi portë. Vendasit një minut më vonë rrezikuan me brazilianin Da Silva i cili për pak gjuajti jashtë portës. Më pas Maloku ka pritur dy gjuajtje të rrezikshme të Pllanës dhe të Stojanovskit për t’i lënë rastin dy rasteve të Dritës nëpërmjet Namanit dhe Ajzerajt.

Edhe në minutën 68, Namani gjuajti për pak jashtë portës, kurse futja në lojë e Alidemës në minutën e 80 doli të jetë e qëlluar, ngase sulmuesi pozharanas në minutën e pestë shtesë me një gjuajtje të saktë nga e majta ka qëlluar këndin e epërm të djathtë të vendasve për rezultatin përfundimtar Feronikli – Drita 0:1.

You Might Also Like