OPINION

Fundviti shkollor dhe domosdoshmëria për reflektim lidhur me ironinë për mësimdhënien

Sadete Tërnava – Osmani

Fundviti shkollor dhe domosdoshmëria për reflektim lidhur me ironinë për mësimdhënien
(nxitur nga debatet e përditshme)

Ndër temat që më së shumti bisedohen janë padyshim ato për mësuesin dhe mësimdhënien. Dëgjojmë kujtime për mësuesin e parë, mësuesin e mirë, mesatarin, e mësuesin e keq. Flasim për mësuesin që di shumë e që është pedagog, por edhe për atë qe s’merr erë e është demagog e mizantrop.

Këtyre ditëve, pas përfundimit të vitit shkollor, bisedohet për notat, testet, librezat, dhe me dikë që është me syçelë diskutohet edhe për ngarkesën dhe stresin e mësimdhënësve në procesin mësimor. Kjo e fundit sidomos potencohet nga vetë mësimdhënësit, të cilët gjithnjë e më shpesh pohojnë se është bërë shumë vështirë të jepet mësim në mënyrë efektive.

Hiç me larg se para dy tri ditësh në një takim miqsh biseduam për këtë çështje me pajtime e kundërshtime të përcjella me pyetjen se pse në shkolla, sidomos në të mesmet është bërë shumë e zorshme të jepet mësim. Përderisa unë insistoja se përveç kompetencës profesionale dhe përgatitjes, qasja dhe metodat që një mësues/e i përdor pa marrë parasysh lëndën, janë bazament dominant për dijen dhe për disiplinën në klasë, njëra prej bashkëbiseduesve më kundërshtonte, me ton te përzier me një lloj proteste se pothuajse është e pamundur t’i motivosh nxënësit të dëgjojnë, sidomos në lëndët “e thata” si ajo e historisë, matematikës e fizikës. “Unë me pas pasë ni rrogë ma t’mirë, ma me qejf kisha palu keksa e smoki sesa qe kisha dhanë mësim”, tha ne një moment duke përfunduar me ofshamën “shumë shyqyr që përfundoi viti shkollor pa na dalë mentë”. Kjo e fundit sidokudo e relakosi bisedën, e cila mori kahje tjetër, por që si tërësi e porosi la shumë pyetje për mua, për grupe të tjera të bashkëbiseduesve, për ekspertët, për aktivet e lëndëve, për sociologët e për kë jo.

Në këtë kontekst, nga përvoja ime dhe sugjerimet e literaturës, konsideroj se asnjë lëndë nuk do të duhej të jetë “e thatë”, dhe në këtë rrafsh, lënda e historisë (pasi qe temë bisede më shumë) do të duhej të ishte një ndër lëndët më të bukura, më atraktive dhe më interesante, kuptohet në varësi të kompetencës njohëse dhe pedagogjike që mësuesi/ja zotëron për të hyrë në botën e vështirë, por gjithsesi magjike të mësimdhënies.

Një mësues i mirë historie di t’i rilidhë ngjarjet historike të së kaluarës me tendencat aktuale me qëllim të ngjalljes së interesimit për faktin, për ngjarjen, për luftën e për paqen nëpërmjet gjuhës dhe dijes për rrëfimin duke e përkufizuar përcaktimin e vlerës së të mësuarit të historisë në sytë e nxënësve me anë të mësimdhënies me njohuri faktike dhe interpretime për to. Vëmendja e duhur ndaj tyre mund të inkurajojë një qasje më imagjinatave pedagogjike ndaj mësimit të historisë, ngase përqendrimi total vetëm në njohuri, mendoj se mund të prodhojë edhe bezdi. Këtu duhet vënë re vlerën e shfrytëzimit të faktit historik me ndërlidhmëri shembujsh pedagogjikë dhe pyetjesh retorike, në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë temën duke qenë të motivuar edhe nga ngjarjet dhe çështjet të cilat ndodhin edhe në ditët e sotme, me përdorim te një analogjie tej-kohore, do të thosha.
Ta zëmë, arsimtarët do te duhej të dinin ta përdornin zhvillimin e teknikës së pyetjeve duke përdorur vistër pyetjesh “të hapura” dhe “të mbyllura”, ngase përdorimi vetëmi pyetjeve të mbyllura zakonisht aludon në fakte dhe ka një përgjigje. Për shembull, nëse shpjegohet për llogoret e Luftës së Parë Botërore, pyetja e mbyllur se ku ka qenë llogori X, kërkon faktin si përgjigje. Ndërkaq, pyetjet e hapura të cilat janë më reflektuese dhe më fleksibile për debat, zakonisht prodhojnë përgjigje më të gjata, me prova shtesë mbështetëse. Ta zëmë, pyetja se cili do të kishte qenë aspekti më i rëndë i jetës në llogoren X, do të zgjonte mendim kritik të bazuar në ndonjë fakt të dëgjuar apo të lexuar, dhe do të vijëzonte ide dhe interesim të pothuajse gjithë nxënësve ngase pyetjet e hapura përfshijnë të menduarit e nivelit më të lartë. Përzierja e dy llojeve të pyetjeve nxit edhe nxënësit ‘vullnetarë’ por edhe ‘hezitues’ për t’u përfshirë.
Gjatë kohës se orës për sesionin e pyetjeve, arsimtari duhet të mendojë edhe për ritmin dhe pauzat. Derisa disa nxënës përgjigjen shpejt, të tjerëve u duhet kohë për të reflektuar përpara se ta ngrenë dorën. Ndoshta përpilimi i listës së pyetjeve për të dy natyrat e nxënësve do të ishte e nevojshme. Kjo teknikë do t’ju ndihmonte arsimtarëve të mendonin për çështjen e rëndësishme të renditjes së pyetjeve e cila me pas nxit 15 minutëshin e përgjigjeve reflektuese, p.sh të atyre me shkrim e cila bëhet nëpërmjet ndonjë stimuli pedagogjik, duke përdorë një foto, hartë ose diagram, mundësisht jo të rrëmujshme, por të thjeshta e me informacion të mjaftueshëm si bazë për nën-pyetje, ndarje idesh dhe gjykime, ngase këto janë thelbi për diskutim dhe në fund të orës mundësi e shkëlqyeshme riformulimi dhe përfundimi për arsimtarin.
Kjo rrjedhë i mundëson mësimdhënësit ta pyesin veten se cila qasje ka angazhuar më shumë nxënës dhe se cila metodë e teknikë e ka bërë më të lehtë menaxhimin e klasës e që rrjedhimisht ka prodhuar orë më përmbajtjesore, më shumë interesim nga nxënësit dhe natyrisht disiplinë ne klasë.

Përfundimisht, nuk ka lëndë te këqija e të vështira. Ka mësues që “fati” ua ka sjellë punën qe s’e duan, dhe rrjedhimisht ka pedagogji të papërshtatshme, e cila edhe për mësimdhënësit e pasionuar duhet të përditësohet nëpërmjet mënyrave të ndryshme e me së shumti nëpërmjet reflektimit personal dhe konsultimeve me aktivin përkatës.

Për mua vlen sintagma se rrëfimin e bën interesant rrëfimtari i shkathët. E shkathtësitë mësohen gjatë gjithë jetës duke na kthyer te kujtimet dhe reflektimin për shkollën fillore, të mesme e fakultetin, se si jemi konsideruar në orët të cilat nuk i kujtojmë me qejf, dhe se si jemi trajtuar në orët e lëndëve të dashura që edhe sot na përcjellin me vezullimin e magjepsjes nga dija, qëndrimi dhe trajtimi i mësuesve të mirë.

Historia magistra vita est!

You Might Also Like