Vallëzimin e kishte dashur qysh kur kishte qenë e vogël, por fillimisht ishte dashuruar në vallëzimin modern, andaj në mundësinë e parë që iu dha rasti ajo u regjistrua në Qendrën “Laboratorium”, ku hapat e parë i mori nga profesori Arnor Lecaj. Filloreta Ramadani, që tashti është një valltare e njohur, por edhe fotomodele, rrëfen për karrierën e saj se si kishte kaluar në vallëzimin popullor në AKV “Gjilani”, ku edhe sot është anëtare e rregullt.
Në një ambient ku punohej shumë për kulturën, ku vazhdimisht shfaqeshin programe artistike me vlera kombëtare e kulturore brenda e jashtë vendit, Filloreta Ramadani nuk e kishte të vështirë të gjente vetën e saj aty dhe u bë pjesë e shumë festivaleve, manifestimeve dhe evenimenteve të ndryshme kulturore e artistike.
Sot sukseset e AKV Gjilani janë të lidhura ngushtë edhe me emrin e Filloretës, kurse sukseset e mëdha vinin nga dita në ditë nga gara e festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, nga Gjilani, Vitia, Kaçaniku, Hasi, Shkupi, Kumanova, nga Shqipëria, Bullgaria, Turqia e vende të tjera. AKV Gjilani gjithnjë ishte ndër më të mirët, kurse Filloreta Ramadani, tashmë një valltare e rryer, kishte përsosur zanatin e këtij arti sa tërheqës, aq edhe fisnik.
Erdhën edhe angazhimet e saja të para si fotomodele, kurse pa dyshim se produksioni ARTFABE nga Gjilani, që udhëhiqet nga i mirënjohuri, artisti me sy të mprehtë dhe plot shije, Fazli Berisha, Filloretën e bëri edhe më të njohur në botën e show bizit. Ajo tashmë është pjesë e shumë photoshooting dhe reklamave të ndryshme. Nisën angazhimet edhe në FASHION GROUP në Sheshi 21 në Prishtinë dhe në një set revysh të veshjeve të nusërisë nga Shtëpia e Njohur e Modës MENAKON.
Fytyra tërheqëse, format e përkryera trupore, inteligjenca dhe shumë dhunti të tjera që ka Filloreta Ramadani bënë që ajo të bëhet pjesë edhe e shumë videoxhiorimeve për festat e fundvitit, derisa edhe në “Flakën e Janarit” ajo është pjesë e pandashme dhe në bashkëpunim me produksionin ARTFABE, kurse ajo gjithsesi se është pjesë edhe e “Zhurma Show” dhe “Celësi muzikor”, që për çdo vit mbahen në Gjilan nga ZIco Company dhe Zico TV.