Futboll

Gjilani e Llapi e dëshiruan fitoren, por nuk e mori asnjëra

Gjilani e Llapi kanë luajtur baras në një ndeshje që ka zgjatur mbi 100 minuta dhe e cila ishte tejet interesante, shkruan kryelajmi.com.

Gjilanit i duhej shumë fitorja për t’i ikur barazhit e në anën tjetër Llapi me tri pikë të mundshme do të mbetej kandidati më i denjë në luftën për titull kampioni.

Pjesëloja e parë ka dhuruar një lojë të baraspeshuar, ku të dy ekipet prisnin momentin për të shënuar, derisa në pjesëlojën e dytë ishte krejt ndryshe.

Fillimisht, me të nisur pjesëloja e dytë, Gjilani ia ka dalë të shënojë, kur pas një gjuajtje nga largësia portieri Abdyli nuk e ndali topin si duhet dhe aty afër ishte Jaroviq, i cili e shfrytëzoi rastin për t’a futur topin në rrjetë për 1:0.

Si rëndom, Gjilani pasi ka shënuar u tërhoq në mbrojtje dhe pa kaluar shumë kohë pësoi gol. Mesfusha e Llapit dhe një top të gjatë në brendi e portieri Bllaca doli dhe intervenoi mirë, por ai u përplas me mbrojtësit e tij kështu që porta mbeti e zbraztë dhe Hyseni që u gjet aty afër e futi topin në rrjetë për 1:1.

Pas golit të pranuar Gjilani sërish u hap dhe nisi të sulmojë, derisa edhe Llapi synonte fitoren, kishte edhe duele të ashpëra, zvarritje e mospajtime, andaj gjyqtari dha 9 minutë shtesë. Pikërisht në minutën 90, mesfushori i Llapit Arbnor Ramadani u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Açkës dhe për Gjilanin u krijua një mundësi e mirë për fitore, të cilën e dëshironte edhe Llapi, por përkundër përpjekjeve të të dy ekipeve rezultati mbeti i barabartë 1:1./kryelajmi.com/.

You Might Also Like