Lideri i tabelës në Vala Superligën e Kosovës në Futboll, Llapi nga Podujeva, është dorëzuar këtë të diele në Gjilan, ngase në ballafaqim me ekipin vendas, KF Gjilani ka pësuar me rezultat 2:0.
Në një ndeshje tejet interesante, Gjilani ka qenë më konkretë në raste, kurse edhe Llapi ka dëshmuar se është një ndër ekipet më të mira në Kosovë.
Mysafirët kishin ardhur të arkëtojnë gjah të plotë dhe kjo u pa që nga fillimi i ndeshjes, por për ta u bë keq në minutën 17, kur Haxhimusa ka shpërthyer nga e djathta dhe ka harkuar në anën e kundërt ku ka gjetur Rusin, që nga afërsia ka futur topin në rrjetë.
Mysafirët assesi nuk janë pajtuar me rezultatin dhe më së afërmi për të barazuar ishin në minutën e fundit të pjesës së parë, kur nga një gjuajtje dënimi Zhdrella ka qëlluar tërthorësen. Duhet cekur se në pjesën e parë të dy ekipet kanë pasur disa raste të mira shënimi, por pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:0 për vendasit.
Mysafirët kanë sulmuar edhe më me ngulm në pjesëlojën e dytë, kurse vendasit u tërhoqën. Në minutën 64, ekipi i Llapit edhe njëherë ka qëlluar tërthorësen, kësaj radhe nëpërmjet kapitenit Edon Zeqiri, kurse kur llapjanët me të gjitha forcat u hodhën në fund, pas një kundërsulmi të shpejtë nga e majta, Rusi ka gjetur Eminhazirin e ky në anën e djathtë dërgoi topin tek Thaqi, që bukur harkoi në brendi, kurse portieri mysafir u hodh dhe dëboi topin, por deri te Rusi, i cili futi topin në portën e zbraztë.
Rusi ka mundur që të shënojë edhe njëherë kur u gjet i vetmuar para portës mysafire, por kësaj radhe portieri mysafir shpëtoi gol të sigurt.