Komiteti i Arsimit (KA), është informuar të premten nga zyrtarët arsimorë Majlinda Marku-Hoxha dhe Jetmir Jerliu me planin dhe profilet e regjistrimit në shkollimin e mesëm, pastaj për testin e maturës shtetërore dhe testin e semimaturës, për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë të arsimit fillor si dhe për organizimin e olimpiadës mbarëkombëtare të matematikës, që kësaj here mbahet në Gjilan.
Drejtoria e Arsimit i ka bërë të gjitha përgatitjet për testin e semimaturës, i cili mbahet më 26 maj. Këtij procesi do t`i nënshtrohen 1644 nxënës shqiptarë si dhe 7 nxënës turq, ka thënë Jerliu.
Drejtoria e Arsimit në Gjilan, po ashtu, i ka filluar me përgatitjet teknike për organizimin e provimit të maturës shtetërore për 1641 nxënës, pa llogaritur nxënësit përsëritës.
Sa i përket regjistrimit në klasën e dhjetë, këtë vit shkollor janë planifikuar 1.708 vende, 1644 prej tyre për nxënës të komunës së Gjilani, ndërsa 64 të tjera për nxënës nga komunat Kamenicë, Viti e Novobërdë, kanë thënë Marku-Hoxha.
“Prioritet yni për vitin shkollor 2017-2018, pos ngritjes së cilësisë në arsim, do të jenë shkollat profesionale, duke i përshtatur profilet me nevojat e tregut të punës”, kanë thënë zyrtarë komunalë.
Opozita (PDK-LVV) ka kërkuar që profilet arsimore të përshtaten me nevojat e tregut. Sipas tyre, disa prej drejtimeve ekzistuese janë të gabuara dhe po mbahen sa për t`ua ruajtur vendet e punës disa mësimdhënësve. Planifikimi jo adekuat ka bërë që shkolla e bujqësisë të mbetet gati pa nxënës dhe të rrezikohet mbyllja e saj.
Përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në qeverisje (LDK-AAK) ndërkaq kanë thënë se drejtimet ekzistuese janë të mira, por edhe sipas tyre ka nevojë të shtohen profile të reja arsimore, që i përshtaten tregut të punës.
Anëtarët e Komitetit kanë shtruar e trajtuar edhe çështje të tjera nga fusha e arsimit, përmes pyetjeve për drejtuesit arsimorë, që tashmë është bërë pjesë e punës së këtij Komiteti.
Kryesuesi Arben Mehmeti ka thënë se pikërisht për këtë arsye, kjo trupë komunale është vlerësuar nga shoqëria civile ndër komitetet më aktive.
Përndryshe, në Gjilan ka filluar të shtunën olimpiada mbarëkombëtare e matematikës, ku marrin pjesë nxënës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.