
Malësia e Komunës së Kamenicës ndër vite ka qenë djep i njerëzve që i kanë dhënë shpirt këtyre trojeve, si me pushkë, ashtu edhe me muzikë. Njëri ndër ta është edhe rapsodi i njohur, Fehmi Leka, i cili përmes tingujve të sharkisë dhe çiftelisë, mbajti gjallë frymën patriotike në kohërat më të errëta për popullin shqiptar.
I lindur në Kranidell të kësaj ane, Fehmi Leka u shpërngul nga kjo malësi në vitin 1951, kur ishte vetëm gjashtë muajsh. Megjithatë, dashuria për bukuritë dhe historinë e vendlindjes nuk u shua kurrë. Sipas tregimeve të babait të tij, Halil Leka, kjo anë gjithmonë kishte pasur burra të fjalës e të nderit.
Muzikën dhe dashurinë për artin burimor, Fehmiu e trashëgoi pikërisht nga babai i tij. Halil Leka, përmes instrumentit të kavallit, u këndonte kreshnikëve të kohës nëpër odat e Malësisë, duke qenë njëkohësisht edhe një valltar i shkëlqyer. Këtë thesar shpirtëror, ai ua la trashëgim fëmijëve të tij.
Si një punëtor i dalluar i fjalës dhe besës, shahiri Fehmi Leka e mori këtë trashëgimi që në fëmijëri. Në moshën 19-vjeçare, ai filloi të këndonte me sharki e çifteli nëpër oda të ndryshme, të cilat në atë kohë shërbenin si institucione të vërteta kombëtare.

“Odat ishin vendi ku shumë patriotë mblidheshin e këndonin për çështjen shqiptare, por gjithmonë në ilegalitet. Odat ishin frymëzimi ynë; aty u këndonim trimave shqiptarë, i këndonim Shqipërisë e Flamurit dykrenësh. Shumë burra qanin derisa ne këndonim, duke u mallëngjyer për trima, flamur e për çështjen shqiptare, se gjithmonë ishim të vuajtur. Por, jam shumë krenar dhe i lumtur që i takoj asaj kohe, ku kam pasur nderin të këndoj para shumë burrave patriotë, të cilët sot nuk janë më në mesin tonë,” – kujton 75-vjeçari, Fehmi Leka.
Të këndoje për trima e për flamur nuk ishte aspak e lehtë. UDBA jugosllave dhe bashkëpunëtorët e saj vëzhgonin vazhdimisht njerëzit me ndikim te populli. Për shkak të këngëve të tij patriotike, muzikanti u mor katër herë në “biseda informative”, ku u përball me keqtrajtime të rënda.

“Katër herë kam qenë i arrestuar nga UDBA, i rrahur e i maltretuar me të vetmen arsye: pse po këndoni këngë patriotike. Një fat të tillë e kanë pasur edhe shokët e mi që këndonin nëpër oda, por në asnjë moment nuk jemi zbrapsur, përkundrazi, ishim edhe më të fortë. Sot, nga zemra, i përshëndes të gjithë shokët e mi shahirë që kanë pasur raste të tilla maltretimi. Ne ishim të lindur që t’i këndojmë popullit tonë të përvuajtur,” – shprehet këngëtari.
Ky zë që ngjallte emocione të forta, e kthente odën në një vend ku burrat qanin nga mallëngjimi. Këngët për trimin Fazli Grajçevci, për Flamurin dhe për të burgosurit politikë, krijonin momente prekëse që artisti thotë se “nuk i ndërron me krejt arin e botës”. Sipas tij, ajo ishte kohë e burrërisë dhe të gjithë kishin vetëm një qëllim: t’i jepnin fund zullumit të armikut shekullor.
Repertori i Fehmi Lekës numëron rreth 400 këngë, të cilat i interpreton me shumë ëndje, ndërsa kënga e tij më e dashur mbetet “Në Shqipëni, rrehi teli, n’Stamboll vojt haberi”.
Aktiviteti i tij i palodhshëm muzikor u kurorëzua me shumë mirënjohje në festivale të ndryshme. Gjatë karrierës së tij, ai ishte edhe anëtar i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Punëtori”, e cila funksiononte në kuadër të Kombinatit të Tekstilit “INTEGJ” në Gjilan, ku Fehmiu ishte i punësuar.
Trashëgiminë që mori nga babai, Fehmiu nuk e mbajti vetëm për vete. Ai e përcolli këtë pasuri te gjeneratat dhe anëtarët e tjerë të familjes – vëllezërit e tij, Remzi dhe Fevzi Leka – i ndjer , të cilët gëzojnë respekt të madh kudo që janë paraqitur me performancat e tyre, djemtë e tij, Ridvani (i ndjer) dhe Adnan Leka, të cilëve u ka lënë amanet instrumentet dhe këngën, në mënyrë që folklori shqiptar të përcillet brez pas brezi.
Pavarësisht lirisë së fituar, 75-vjeçari shprehet thellësisht i brengosur për zbehjen e interesimit ndaj muzikës folklorike dhe patriotike në ditët e sotme.
“Kur tani po jetojmë të lirë në këtë vend i cili me shekuj është larë me gjak, shumë pak kemi këngë folklorike. Rinia nuk është e interesuar për këtë muzikë dhe kjo është shumë e keqe. Dua t’u përkujtoj të rinjve se sharkia, çiftelia, kavalli, lahuta e tupani kanë qenë armët më të mëdha ndaj pushtetit jugosllav. Nëpërmjet këtyre veglave kemi mbajtur gjallë shpresat se një ditë do të gëzojmë lirinë falë dëshmorëve tanë. Njerëzit e këtij populli kanë vdekur me mall pa e shijuar flamurin dhe lirinë,” – thekson Leka, duke e cilësuar folklorin si emblemë të trimërisë shqiptare.
Në fund, rapsodi që e ngriti në piedestal familjen, qytetin dhe folklorin shqiptar, ka një mesazh të qartë dhe me shumë dashuri për popullin e Kosovës:
“Këtë ditë të lirisë e kemi pritur me shekuj. Na kanë djegur e mbytur familjet, por kurrë nuk u dorëzuam. Ideali ynë ishte më i fortë se çdo armë e armikut. Duani familjen, shkollohuni, duani atdheun dhe kombin! Punoni çdo ditë e më shumë për këtë vend





