Megi Bislimi, volejbolliste që u formua në Gjilan te KV Drita dhe që me plot sukses po luan në Turqi, ka arritur edhe një sukses të madh, kësaj radhe në botën akademike. Ajo me bursë të plotë është pranuar në shkencat mjekësore në njërin prej universiteteve më prestigjioze në Stamboll. E bija e dy sportistëve të njohur gjilanas Arben Bislimi dhe Mimoza Shkodra Bislimi ka bërë krenarë prindërit e saj, kurse e ëma e saj Mimoza kishte një dedikim të veçantë:
Sot, mua dhe Benit, zemra na është mbushur me një emocion që vështirë përshkruhet me fjalë.
Pas testeve dhe rezultateve, nga sot Megi është studente e shkencave mjekësore, me 100% bursë, në një nga universitetet më prestigjioze të mjekësisë në Stamboll…!
Dy ëndrra të mëdha po marrin jetë njëkohësisht: volejbolli profesionist dhe mjekësia.
Unë, si nënë, e di se çfarë e pret. E di se nuk do të ketë verëra e dimra si fëmijët e tjerë. Do të ketë palestra, stërvitje, udhëtime, ndeshje, provime, libra, net pa gjumë dhe shumë sakrificë.
Por ndoshta ajo është lindur pikërisht për të mos zgjedhur rrugën e lehtë.
Megi ka lindur me zemrën në anën e djathtë… një veçanti që e kanë vetëm rreth 0.003% e njerëzve në botë.
Dhe sa herë e mendoj këtë, më duket sikur jeta më ka dhënë një shenjë që ditën kur ajo erdhi në këtë botë: zemra e saj ka qenë gjithmonë pak më ndryshe.
Sot ajo zemër po e çon drejt dy ëndrrave të mëdha.
Ndoshta do të ketë ditë të lodhshme. Ndoshta do të ketë momente kur do të pyesë veten nëse ia vlen. Por ne do të jemi aty, siç kami qenë gjithmonë… jo për t’ia bërë rrugën më të lehtë, por për t’i kujtuar se ajo është më e fortë se çdo vështirësi.
Nga fusha e volejbollit te manteli i bardhë…
ec, bija ime.
Nëse dikush mund t’i bashkojë këto dy botë, je ti.
Jam pafundësisht krenare për ty. 🏐🩺❤️





