REAGIM KUNDËR SULMIT NDAJ PUNONJËSVE SHËNDETËSORË NË QKMF-VITI
Institucionet komunale në Komunën e Vitisë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, janë të indinjuara dhe të shqetësuara thellë dhe dënojnë ashpër sulmin fizik dhe kanosjen ndaj Specialistit të Mjekësisë Familjare dr.A.Ç.në vendin e tij të punës, në QMF-Pozharan, në kujdestarinë e natës gjatë ushtrimit të detyrës së tij profesionale.
Ky është një akt i papranueshëm dhe një cenim serioz i sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë, të cilët çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve dhe të shëndetit të komunitetit.
Nuk mund të normalizohet dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë!
Asnjë pakënaqësi, mosmarrëveshje apo rrethanë nuk e justifikon sulmin fizik apo kërcënimin ndaj mjekut, infermierit apo çdo profesionisti tjetër shëndetësor, por edhe teknik që shërbejnë në institucionet tona.
Fakti që raste të tilla po përsëriten është veçanërisht shqetësues dhe kërkon reagim të menjëhershëm dhe institucional. Punonjësit shëndetësorë duhet të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës dhe të kenë mbrojtjen e duhur gjatë ushtrimit të detyrës.
Kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e merituar nga organet kompetente dhe që ndaj personave që ushtrojnë dhunë të ndërmerren masat e parapara me ligj, prandaj edhe menjëherë janë njoftuar institucionet e sigurisë.
Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk është vetëm sulm ndaj individit, por është sulm ndaj institucioneve, shërbimit shëndetësor dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore në një ambient të sigurt.
Si institucione komunale jemi të përkushtuar që çdo puntorë në sektorin publik të jetë i sigurt dhe i lirë në ushtrimin e detyrave të tyre profesionale, prandaj do të shikojmë të gjitha mundësitë ligjore që profesionistëve shëndetësore të iu krijojmë kushte të sigurisë për ushtrimin e lirë të punës profesionale.Aziz Zuka





