Gjilan

Gjilani shënon 18-vjetorin e rënies se Shaban dhe Sami Ukshinit

Gjilan, 14 maj 2019 – Në Zhegër sot është shënuar 14 maji dita e rënies së dëshmorëve Shaban dhe Sami Ukshini, të cilët dhanë jetën e tyre si ushtarë të UÇPMB-së, në luftën kundër forcave serbe në Kosovën Lindore.

Në shenjë të nderimit dhe lavdise sot pranë shtatoreve të tyre është bërë ngritja e flamurit kombëtar që do të jetë simbol mburoj dhe hije e vazhdueshme e sakrificës që kanë dhënë dëshmorët Shaban dhe Sami Ukshini.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Hajdari, ka thënë se vepra e dëshmorëve është një themel që përditë e më shumë po forcon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ajo, gjithashtu, ka potencuar se liria e Kosovës është trajtuar gjithmonë e përbashkët edhe me lirinë e Luginës së Preshevës, për çka edhe kanë ra dashmorë dy qytetarë të Zhegrës.

“Sot është një ditë e dhimbshme për familjen dhe shokët e tyre, por njëkohësisht edhe ditë krenarie dhe e tillë duhet të mbetet gjithmonë sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë e shqiptarëve. Të gjithë së bashku do t’i kujtojmë me përulje, sepse ata deshën lirinë për shqiptarët dhe për këtë duhet të punojmë e të jemi unik që të punojmë më shumë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë drejtoresha, Hajdari.

Para të pranishmëve ka folur edhe ish komadanti i Zonës Operative për Preshevë, Mustafë Shaqiri, shkrimtari Ibrahim Kadriu dhe kryetari i shoqatës ‘Kurexhaj”, Hamdi Sejdiu, të cilët i kanë kujtuar dy dëshmorët që nga koha e fëmijërisë, e shkollës, e angazhimeve të ilegales e deri të angazhimi i tyre i hapur në luftën për liri, deri në rënien e tyre dëshmorë në Rahovicë të Preshevës.

Kurse vajza e dëshmorit Shaban Ukshini, Haxhere Ukshini, i ka përshëndetur të pranishmit dhe mes tjerash ka thënë se si fëmijë dëshmori, krahas shumë vështirësive të jetës, mungesës së babait, ka dhembje, krenari dhe përgjegjësi që të jetë shembull i mirë në shoqëri.

Ajo ka bërë thirrje që të punohet më shumë në zhvillim të vendit, emancipim të shoqërisë dhe mbështetje të rinisë në rrugën e tyre drejtë arsimit dhe shkencës.

Përndryshe, Shaban dhe Sami Ukshini ranë heroikisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë më 14 maj të vitit 2001.

You Might Also Like