Gjilan

Gjykata mirëpret ndihmën nga Këshilli i Evropës

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Afrim Shala, ka pritur në një takim udhëheqësit e Projektit për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë (KOSEJ) nga Këshilli i Evropës.

Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës, Shala ka njoftuar mysafirët për punën që është duke u bërë në Gjykatën Themelore të Gjilanit, duke ju ofruar disa të dhëna statistikore, ku gjykata gjatë vitit 2016 ka treguar një efikasitet prej 114 % të lëndëve të kryera.

“Ne përgatisim raporte në baza mujore, tremujore, gjashtëmujore dhe raporte vjetore. Në bazë të këtyre raporteve ne kemi dal shumë mirë në kryerjen e lëndëve në krahasim me ardhjen e lëndëve. Dhe ky trend i kryerjes së lëndëve është duke vazhduar edhe këtë vit. Por ne gjithashtu jemi të hapur të bashkëpunojmë me ju dhe mirëpresim ndihmën tuaj”, ka thënë Shala.

Nga ana tjetër, Stephanie Lefeuvre, Menaxhere e Projektit ka thënë se ky program është duke i përgatitur disa forma të raporteve, e që më pas do t’i ofrohen gjykatave dhe me aplikimin e këtyre dokumenteve pritet të shkurtohet procedura e zgjidhjes së lëndëve.

Ushtruesi i Detyrës, Shala gjithashtu ka njoftuar menaxherët e këtij projekti dhe ekspertët, që shumë shpejtë do të filloj programi i ri për regjistrimin e lëndëve SMIL, në tërë sistemin gjyqësor të Kosovës. Sipas tij, me implementimin, e këtij programi do të lehtësohet puna në përpilimin e raporteve dhe do të ketë lehtësira të shumta për gjyqtarët.

You Might Also Like