Në takimin e mbajtur të kryesisë së KF Vllaznia Pozheran, Halit Alidema është rizgjedhur kryetar i klubit edhe për një mandat të ri. Në të njëjtën mbledhje është konfirmuar edhe përbërja e kryesisë së re.
Përveç zëvendëskryetarit Besim Halimi, kryesia është freskuar edhe me disa anëtarë të rinj, të cilët do të angazhohen në zhvillimin dhe avancimin e klubit. Ndërkohë, është konfirmuar se në krye të shtabit teknik do të vazhdojë të jetë trajneri Përparim Livoreka.
Nën drejtimin e Halit Alidemës, në bashkëpunim me trajnerin Livoreka dhe stafin teknik, KF Vllaznia Pozheran ka arritur rezultate të rëndësishme, duke e renditur ekipin në vendin e tretë të kampionatit. Kryesia dhe futbollistët kanë shprehur kënaqësinë për punën e trajnerit Livoreka, ndërsa shumica e lojtarëve kanë vazhduar angazhimin e tyre në klub.
Pas rizgjedhjes, kryetari Halit Alidema falënderoi kryesinë për besimin e dhënë, duke theksuar se së shpejti klubit do t’i bashkohen futbollistë të rinj. Ai u shpreh se synimi mbetet i njëjtë: lufta për inkuadrim në Ligën e Parë të Kosovës. Sipas tij, në kampionatin e sapopërfunduar skuadra ishte vetëm një hap larg realizimit të këtij objektivi. Alidema rikujtoi gjithashtu se Vllaznia ishte pjesë e Ligës së Parë që nga viti 2014, deri në vitin 2024, kur, sipas tij, u largua padrejtësisht nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Me përbërjen e re të kryesisë, klubi synon të vazhdojë punën me përkushtim dhe të arrijë suksese edhe më të mëdha në sezonet e ardhshme.
Urime kryetarit Halit Alidema, kryesisë, trajnerit Përparim Livoreka, stafit teknik dhe futbollistëve për besimin e marrë dhe punën e deritanishme.
Aziz Zuka





