Shkruan: Faik Zyiazade
Në gjallërimin e ekonomisë fshatare dhe qytetare vend të rëndësishëm zinin pazaret dhe panairet, që luajtën rol të madh në jetën ekonomiko-shoqërore.
Gjilani, si qendër kryesore tregtare e zejtare për trevën e Anamoravës, pos tregtimit të përditshëm, kishte edhe ditën javore të pazarit dhe panairet si, tregje periodike, për këmbimin e mallrave, ku në fillim këmbeheshin kryesisht prodhimet bujqësore e blegtorale, por me kalimin e kohës aty zunë vend edhe prodhimet zejtare. Mungesën e zhvillimit të këmbimit të mallrave, ditëve të pazarit në Gjilan, Gjinollët filluan ta kompensonin me transferimin e tregjeve periodike nga Morava e epërme dhe Kriva Reka,dhe vendosjen e dy panaireve në vit në qytet, të cilat edhe i proklamojnë për panaire të rregullta Çarshiake duke mos ia ndryshuar terminet e mbajtjes, njëri panair mbahej në muajin maj dhe tjetri mbahej në fund të Qershorit ose me 7 korrik dhe zgjatnin nga dy-tri ditë.
Disa autorë, panairin e lidhin me kohën e themelimit të Gjilanit në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Studiuesja Drita Statovci, është e mendimit se panairet në Gjilan shfaqen nga fillimi i shekullit XIX dhe se ato ishin më të vonshme krahasuar me disa qytete të tjera të Kosovës, por tradita e këtyre panaireve është ruajtur më së voni në Gjilan.
Panairet e Gjilanit ndihmonin në gjallërimin e ekonomisë monetare,grumbullonin mijëra njerëz nga katër anët, kishte numër të madh blerësish dhe kureshtarësh që vinin nga rrethina e vendet më të largëta. Fshatarët udhëtonin me orë të tëra këmbë për të arritur në ditën e pazarit, e sidomos ditën e panairit në Gjilan, që mbahej në vend të hapur, ku njerëzit furnizoheshin drejtpërdrejt nga Çarshia me prodhime të ndryshme, me mallra vendore dhe të ardhura, por edhe sillnin prodhimet e veta ushqimore, po edhe të tekstilit, dru etj.
Në kohën e sundimit osman në panair në mesin e njerzve dukej tellalli-kasneci (me dobosh), ishte një rom, i vendosur nga Kadiu, i cili i binte një lloj tupani dhe me zërin e tij të fortë, ua tërhiqte vëmendjen njerëzve të tregut, duke bërtitur me tërë fuqinë, rrugës kryesore të qytetit, si te Konaku, te Kulla e Sahatit, te Xhamia dhe te Shatërvani, te Ura në Çarshi dhe jepte lajme të ndryshme.
Si pazaret ashtu edhe panairet e Gjilanit, janë mbajtur në vende të hapura dhe kohën më të gjatë në qendër të qytetit-çarshi nga xhamia e madhe deri te parku i qytetit. Me kalimin e viteve, ashtu si çdo qytet që rritet dhe ndryshon, edhe panagjyri pësoi transformimet e veta. Nga qendra u zhvendos në rrugën nga xhamia e Çarshisë në drejtim të postës kah shkollat e mesme, më pas në rrugën e Prishtinës, duke vazhduar në rrugën e zjarrfikësve dhe në fund u vendos në Tregun e Gjelbër, ku mbeti për shumë vite. Kohët e fundit, në panairet e Gjilanit vinin zejtarët e Janjevës me prodhimet e tyre të ndryshme prej metaleve dhe plastmasës, zejtarë nga Bujanoci e Vraja, me prodhimet e vorbëtarisë, zejtarë të Kumanovës me kazanët e tyre për pjekjen e rakisë, drugdhendësit e Tetovës, me prodhimet e ndryshme të drugdhendjes etj.
Edhe pse lëvizte në hapësirë, panagjyri nuk e humbi asnjëherë jehonën e tij, tregtarë nga i gjithë rajoni sillnin produktet më të mira, ndërsa qytetarët vërshonin për të marrë pjesë në këtë ditë të veçantë. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai humbi pak nga karakteri i tij i ngrohtë, simbolik dhe familjar që e kishte në vitet e para.
Shēnim: Më gjerësisht rreth pazarit dhe Panaireve e keni librin “Zejtaria e Gjilanit” i cili gjendet në shitje tek libraritë “Alfabeti” tek shkolla “Thimi Mitko” dhe libraria “Abetarja” përballē shkollës Selami Hallaqi”.Në Prishtinë tek libraria “Artini-Toena” tek instituti Albanologjik.





