Libri

Intervistë me shkrimtarin Sabit Rrustemi: Letërsinë e shoh dhe e ndjej shtëpi timen

LETËRSINË E SHOH DHE E NDJEJ SHTËPI TIMEN

 

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN SABIT RRUSTEMI

 

Sabit Rrustemi, u lind më 3 prill 1959 në fshatin Terzijaj të Karadakut, komuna e Gjilanit.

Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në Zhegër, Gjilan, ndërsa studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar për gati tri vite si gazetar në “Bota e re” ( 1978 – 1981 ), derisa u burgos shkaku i një tregimi ( maj 1981 ) dhe deri në maj të vitit 1990 iu ndalua me vendim politik botimi nëpër të gjitha gazetat dhe revistat e asaj kohe.

Nga viti 1991 i kthehet profesionit të gazetarisë, pastaj në Qendrën për Informim të Kosovës si bashkëpunëtor.

Nga marsi i vitit 2000 e deri në tetor të vitit  2010 ishte pjesë e angazhimeve publike  në kuadër të LDK- së, në Gjilan e Prishtinë.

Një mandat ( 2001 -2004 ) ishte dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pastaj gjatë vitit 2008 për gati një vit, anëtar i KQZ-së dhe gjatë viteve 2009 e 2010, këshilltar politik në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Prej vitit 2011 e këndej iu kthye kryekëput  profesionit të tij prej shkrimtari, ku ka botuar mbi 25 vepra të ndryshme letrare në poezi e prozë si dhe afro dyqind tituj të tjerë librash përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, të cilin e ka themeluar më 10 qershor 2010 dhe e drejton me mjaft sukses.

Është fitues i shumë shpërblimeve letrare mes  viteve 1979 -2020.

Jeton e vepron në Zhegër me familjen e tij.  

 

Kryelajmi – Kledia: Shkollën fillore e keni përfunduar në Zhegër, a ju ka tërhequr që atëherë poezia ( letërsia ) ?

 

Sabit Rrustemi: Natyrisht që po dhe, qe pse ? Në shkollën katërklasëshe ( paralele e ndarë ) që ndodhej mes fshatrave Kurexhaj – Terzijaj e, që sot është rrënojë, krejt çka kishim në klasë, ishin bankat ku uleshim, tavolina e punës e mësuesit, një glob që qëndronte në njërin skaj të po kësaj tavoline, dërrasa e zezë ( jo si sot, e gjelbër ) dhe kah fundi i po kësaj Dërrase të Zezë, ishin dhe vizorja, kompasi dhe shkumësat. Ato pak libra e fletore në fund të viteve të gjashtëdhjeta i kishim nëpër strajca ( jo çanta – se nuk kishim). Pra, mungonte Biblioteka, madje as nuk e kishim dëgjuar më parë emrin e saj.

Kur vazhdova në Zhegër, nga klasa e pestë e deri në të tetën, ia mësuam emrin edhe Bibliotekës ku ishte një fond prej më shumë se njëmijë e sa librash ( në dy gjuhë ), të cilat i huazonim për lexim, varësisht prej sugjerimeve të arsimtarit të gjuhës e, më pas, edhe të dëshirave tona.

Po, para kësaj, që më vonë e kam kuptuar , unë e kisha “pasur” edhe një “bibliotekë” në shtëpi, Nanën, hallat e mia po edhe ato më plakat e lagjes sonë, të cilat nuk i kisha gjyshe, si Tezja Hanë e Aba Hyrë, që ishin më kohanike dhe, them figurativisht, ishin si një mal me përralla. Dhe, përmes këtyre unë në një mënyrë e çela themelin e asaj që do të shpërfaqej më vonë, prirjen dhe dashurinë për letërsinë, sepse e kisha marrë nga Goja e atyre që na rrëfenin përralla e këtu s’do mend, një vend qendror e zinte dhe mixha Shefki, një nip i hershëm i gjyshit dhe babës, nga Stublla e Poshtme e Vitisë, i cili edhe kur uleshim n’sofër na tregonte përralla,se le më pas darkave. Ai vinte bashkë me vëllain e tij të madh, Zylfiun, dy herë në vit dhe rrinin nga dy javë te ne, aq sa kishte qenë t’pani e Nanës së tyre – Dadës Salë. Dhe, për fatin tonë , jo vetëm që dinin përralla por edhe këndonin bukur. “Këngët e krahinave” unë s’pari herë i kam dëgjuar prej tyre.

Por, prania e Bibliotekës në jetën time, pati një ndikim thellësor.  Librat si “Posta e porositur”, “Në prehër të gjyshit”, “Kthimi në fëmijëri” e plot libra të tjerë, duke mos i harruar dhe emrat që i përmenda më lartë,  them me plot bindje, i’a çelën udhën dashurisë për letërsinë e në veçanti, poezisë, brenda qenies dhe mendjes sime.

Mbaj mend, diku kah gjysmëvjetori i parë i klasës së gjashtë mora guximin për të shkruar dhe unë. PRITESA, ishte poezia e parë që e lexova në një orë letrare, mbajtur në sallën e edukatës fiizike e ku gjatë leximit u bëra qull prej djersëve, sikur t’kisha vrapuar me kilometra, nga Terzijajt e deri në Zhegër, sepse dalja për herë të parë para një mase të madhe njerëzish e bëri të veten.. thjesht, u djersita nga turpi apo dhe stresi që më kaploi.

E njëjta poezi u publikua më pas edhe në Gazetën e Murit, ku unë sa herë ngjitja shkallëve, ndalesha aty majtas në hyrje të korridorit të katit të parë dhe si tinëz e shikoja poezinë time e, kur isha krejt i vetëm, edhe e lexoja e rilexoja. Po, tash nuk e di përmendsh, se u mbulua nga plot të tjera… dhe, vazhdon ende të “ mbulohet”.

 

Kryelajmi – Kledia: A mbani mend ku dhe kur iu ka lindur frymëzimi i parë ?

 

Sabit Rrustemi: Poezinë që e përmenda, nëse mund t’i them poezi asaj e të tjerave të asaj kohe, nuk është e para që e kam shkruar, po, e para që e kam lexuar në një takim letrar të asaj kohe dhe që ishte publikuar në “Gazetën e Murit” të shkollës sonë, e cila atë kohë kishte diku mbi 1700 e sa nxënës.

Po, t’jem i sinqertë, librat që i përmenda më lart, pastaj librat e parë që i bleva në Gjilan, se më mori babai një të shtune para se të nisej për në Austri ku po punonte që nga 1969 ( e deri më 5 qershor 1995, kur edhe ndërroi jetë nga një sulm në zemër ), si “ Lulet e verës” dhe “Bagëti e Bujqësia” të Naim Frashërit, kanë qenë “nxitësit” më të mëdhenj që më futën këtu ku jam sot e nuk po mund të nxirrem më.

Tash, vështirë të më kujtohet poezia e parë, po, aty diku mund të ketë qenë “Zogu”, “Lulja”, “Nëna”, “Babai në kurbet” po gjithsesi dhe “Shkolla” a “Mësuesi”… mes këtyre titujve, njëra po, pa e harruar dhe perëndimin e diellit që më bënte të qajë vazhdimisht sepse kisha frikën se nuk do të na kthehej prapë nesër, meqë Ai na fshihej diku pas Bjeshkve të Nemta dhe unë, kur e shihja se si fundosej tej pas tyre, zor ta besoja se pas gjithë asaj praptese, zor të na kthehej më…

 

Kryelajmi – Kledia: Në çfarë momenti keni vendosur se rrugëtimi i juaj kryesor do të jetë poezia ?

 

Sabit Rrustemi: Shenjat e para të këtij përcaktimi për t’iu përkushtuar më tepër poezisë janë manifestuar qysh në shkurt të vitit 1977 kur m’u botua poezia e parë në revistën javore për të rinj , ZËRI i RINISË që botohej  në Prishtinë, me titull PUNËTORI. E , më pas diku kah vjeshta, edhe një cikël poezish në gazetën  tonë të përditshme RILINDJA, që gjithashtu botohej në Prishtinë deri në fillim të gushtit të vitit 1990 e pastaj regjimi pushtues serb e mbylli.

Në ndërkohë, gjatë vitit 1979 e kam pasur një luhatje të vogël kur me një tregim timin, JETA NË PESHOJË, fitova konkursin anonim të gazetës së përditshme në gjuhën shqipe që botohej në Shkup, me titull FLAKA E VËLLAZËRIMIT. Them e fitova konkursin, sepse vendi i parë nuk u dha fare. Por, po atë vit, vetëm se pakëz më vonë, në Dyzetvjetorin e revistës së vetme letrare në Kosovë, JETA E RE, zura vendin e dytë me poezinë SËMUNDJA E DHËMBIT, poezi që u çmua shumë nga njerëzit e letërsisë dhe lexuesit e, veçanërisht nga emrat e shquar të artit letrar të asaj kohe.

Pavarësisht se më vonë, o kam fituar konkurset me tregim, e me poezi, dilemat u hoqën: ishte poezia ajo që e më shumë gjente hapësirë në mendjen time dhe në shpirtin tim.

Kur kësaj t’i shtohet se, edhe libri i parë i imi ishte nga fusha e poezisë ( 1981-1990 ), këtij interesimit tënd, s’kemi se ç’t’i shtojmë më tepër.

 

Kryelajmi – Kledia: Pas burgosjes në vitin 1981 pikërisht për shkak të tregimit “Nën maskën e mysafirëve” a keni menduar ndonjëherë t’i largoheni krijimtarisë letrare ?

 

Sabit Rrustemi: Për Zotin, as që m’paska ra ndër mend ta mendoj një gjë të tillë. Mezi prisja të përfundonte ajo tragjikomedi  e sajuar e asaj kohe nga vetë sistemi monist, që ranë në kurthin e disa funksionarëve nacionalistë serbë nga Anamorava ( e sidomos nga Zhegra dhe që kishin funksione të larta në Prishtinë ), të cilët shfrytëzuan nga rasti që u’a dha koha, apo siç thotë një frazeologji popullore, “ju erdhi n’kuti” të hakmerren përmes emrit tim, kundër Familjes sime, të cilët, në vazhdimësi e kishin kundërshtuar pushtetin komunist, fillimisht me pushkë e pastaj me injorim, duke e marrë si të paqenë, deri në vitin 1968, përkundër një tagri të lartë që e paguan e së cilit tagër iu shtua edhe “çmimi” që pagova unë përmes këtij tregimi.

Po, që të heq dorë nga letërsia, kjo as që mendohej, e lëre më që diskutohej.

Për dijeninë Tuaj dhe të lexuesit, gjatë kohës sa isha “I mbrojtur në liri” derisa të bëhej aktgjykimi i plotfuqishëm”, e që zgjati kjo odisejadë rrafsh tetë vite, unë shkrova dhe dy libra në poezi ( BESOJ NË NJË DIELL, që u botua në vitin 1992 dhe, TOPONIMIA E PREHJES, që m’u dogj gjatë prillit të  vitit 1999 bashkë me Shtëpinë ku e kasha dhe Bibliotekën time me mbi 3500 libra, si dhe një vëllim me tregime, PIKA E ZEZË, që për fat u botua në vitin 1993 nga FLAKA E VËLLAZËRIMIT në Shkup dhe, fatmirësisht nuk e përjetoi fatin e poezive të djegura, të cilat ende s’arrij t’i rishkruaj, përkundër përpjekjeve të parreshtura që bëj.

 

Kryelajmi – Kledia: Cila është tema të cilën e trajtoni me më shumë pasion ?

 

Sabit Rrustemi: Nga viti 1977 -1997, pra plot njëzet vite, kryesisht kam qenë i rreshtuar dhe i përkushtuar në tematikën e atdhedashurisë apo, nëse mund të them në frontin e asaj që mund të quhet dhe njihet si “Letërsi e Rezistencës”, ku një pjesë e mirë e letrarëve të kohës kishin bërë emër pikërisht përmes kundërvënies ndaj pushtetit përmes artit letrar, një kundërvënie që ishte në masë edhe e hetueshme nga vetë pushteti po, nganjëherë tolerohej, nganjëherë bëhej sikur nuk e dinte po, në raste që tashmë dihen edhe me emra, edhe ndëshkohej.

Krijimtaria ime letrare e kësaj periudhe, për vrojtuesit letrarë është faktike, dhe me pak përpjekje mund të shihet edhe tash, sepse dëshmitë janë në letrar të kohës, ku janë botuar si dhe në dy gazetat tona të përditshme që i përmenda më lartë e që njëra dilte në Prishtinë e tjetra në Shkup.

Mua nuk më takon të shprush tash në këto që po them por, mire do t’ishte që ndonjë vlerësues a studiues letrar t’i rikthehej kësaj “letërsie të rezistencës” ku kishte dhe emra të tjerë të brezit tim, po edhe të brezit para meje që, me shkrimet letrare, kishin zgjuar ndjenjën atdhetare te brezat e rinj, të cilët dolën sheshit në Pranverën studentore të vitit 1981…

E, pas vitit 1997, kur patetizmi në letërsi nisi të na zë frymën, i’u riktheva asaj që pareshtur e “ngacmonte” zemrën time që është rezistuese në çdo periudhë kohore – temës së dashurisë dhe, aspak nuk jam i penduar.

 

Kryelajmi – Kledia:

Çfarë ju ka shtyrë që përpos letërsisë të angazhoheni edhe në politikë ?

 

Nga tetori i vitit 1990 e deri në vitin 2008 unë kam qenë pjesë e LDK-së, shkaku i një vizioni për liri, pavarësi e demokraci, të cilit i printe Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që po ashtu, nga fusha e letërsisë ishte vu në ballë të kësaj lëvizjeje gjithëpopullore që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, pas 17 shkurtit 2008.

Gjatë kësaj kohe, si shumë e shumë tjerë, edhe unë kam kryer një argat të vockël për Kosovën për aq sa dija, sa mundja dhe sa kisha hapësirë. Veprimtaria ime ishte publike dhe kryesisht kishte të bëjë me realizimin e atij vizoni që përmenda, andaj edhe ndihem krenar që ai vizion u përmbush.

Pa dashur që të thellohem më shumë në këtë apo dhe për t’u justifikuar rreth këtij angazhimi, sikur të kisha ambicie politike, ende do të isha pjesë e politikës. Por, ka vite e vite që jam shkëputur prej saj, sepse ambicia ime parësore ishte letërsia, ajo edhe për të cilën isha i përgatitur.

Megjithatë, edhe në angazhimin tim për bërjen e Kosovës shtet ( e jo marrjen me politikë ) kam lënë gjurmë , qoftë në nivel lokal apo dhe në atë qendror.

Tash, njëqind për qind jam i letërsisë dhe kjo më ngushëllon, E di që kjo më ka kushtuar me humbjen e shumë privilegjeve që mund t’i gëzoja përmes politikës  por, letërsia m’i afronte dhe privilegjet e së ardhmes, prandaj u ktheva “ në shtëpinë time”, sepse, përnjëmend letërsinë e shoh dhe e ndjejë  shtëpi timen

 

Kryelajmi – Kledia:  Jeni fitues i shumë çmimeve letrare por a ka ndonjë çmim që e mbani më për zemër?

 

Sabit Rrustemi: Është e vërtetë që mes viteve 1979 – 2021 kam fituar Çmime të shumta falë veprimtarisë sime krijuese dhe s’e kam bash të lehtë t’i rangoj  se cili ishte më pak apo më shumë i rëndësishëm.

Çmimet, përveç se një vlerësim për krijimtarinë tënde, janë edhe një nxitje, madje edhe një garë për ta sprovuar veten dhe atë në periudha të ndryshme kohore. Unë, për thuaja dyzet vite kam qenë pjesë e kësaj sprove dhe, ende sprovohem, sepse përmes sprovash të tilla e shoh ku jam.

E, nëse veç duhet të veçoj ndonjërin nga këto çmime, do të thosha se Çmimi që ka qenë kthesë dhe shtysë e fortë në jetën time dhe në krijimtarinë letrare, ka qenë Çmimi i konkursit anonim letrar të revistës “Jeta e re” ,  në vitin 1979, kur isha vetëm 20 vjeç dhe sapo kasha trokitur në dyert e letërsisë.

Megjithëse, më vonë kam fituar Çmime shumë më prestigjioze se sa nga një konkurs anonim letrar i revistës “Jeta e re”,  siç janë  Çmimi i Mitingut ndërkombëtar të Poezisë, i 49 –ti me radhë, për librin më të mirë midis dy mitingjeve,( 2013 ) apo dhe Çmimi për vepër më të mirë të vitit që jepet nga MKRS-ja ( 2014 ), po edhe “Pena e Artë e Gjeçovit” (2020 ) apo tash së fundi Çmimi “Idriz Seferi” që e jep Komuna ime dhe atë për kontribut nga fusha e letërsisë, publicistikës dhe e veprimtarisë kulturore – letrare.

Po, pse e veçova atë Çmim të vitit 1979 ? Në saje të atij Çmimi ( vendi i dytë për poezi në një konkurrencë me emra të shquar shkrimtarësh të asaj kohe ), unë brenda dy vitesh ( 1979 –shkurt 1981 ) i përgatita dhe i dorëzova për botim dy dorëshkrime, një me poezi dhe një me tregime. Që të dyja dorëshkrimet u vlerësuan lartë dhe e fituan të drejtën e botimit. Por, burgosja ime e asaj kohe, pa asnjë argument të qëndrueshëm, për dhjetë vite më qiti  prej “lojës”.

Vetëm dashuria e madhe ndaj letërsisë, vullneti dhe përkushtimi im, shpresa që s’mposhtej nga gjithë ajo katrahurë kohe, bënë që unë, falë edhe miqve të shumtë krijues, ta ruaj drejtpeshimin, ecjen vertikale dhe, të rikthehem aty ku kisha munguar për gati 10 vite.

Rikthimi im ndodhi në një kohë kur më së paku mund të cilësohej si “kohë krijuese”, sepse ishte kohë vepruese, meqë parësore ishte çlirimi i Kosovës dhe liria e saj se sa marrja me letërsi. Po, mes këtyre “dy kohëve” e gjeta veten disi…dhe sot jam këtu, ku jam.

 

Kryelajmi – Kledia:  Si ka ardhur deri në krijimin e Ars Clubit “Beqir Musliu”  po dhe e Çmimit Letrar “Beqir Musliu” që iu është dhënë tashmë 15 shkrimtarëve ?

 

Në njëvjetorin e kalimit në amshim të shkrimtarit tonë të shquar, gjilanasit Beqir Musliu, ne, një grup krijuesish të asaj kohe, ( mbaje në mend,  ishte viti 1997 ), ku bënin pjesë pos meje edhe Avdush Canaj, Xhemail Halili ( tash Xhemë Karadaku) dhe Fehmi Ajvazi, themeluam Fondin Letrar “Beqir Musliu”, me të vetmin synim që t’përkujdeseshim për sigurimin e fondeve për botimin e krijimtarisë letrare të Beqir Musliut, meqë e dinim se ishte e bollshme dhe nuk ishte botuar as gjysma e asaj që  Beqa i Ynë na e la si trashëgimi letrare.

Pas luftës, kur u krijuan rrethanat për ta regjistruar Fondin, na kërkohej llogaria dhe shuma e fondit. Ne s’e kishim as njërën e as tjetrën. Patjetër u desh që t’ia ndryshojmë emrin dhe nga Fondi Letrar “Beqir Musliu” e emërtuam Ars Clubi “Beqir Musliu”, asociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, me seli në Gjilan. Ishte viti 2009-të .

Brenda këtyre 12 viteve që veprojmë si Ars Clubi “Beqir Musliu”,  përpos Çmimit Letrar “Beqir Musliu”, që e kishim propozuar sa ishim Fond Letrar, që me 2004 dhe e pat aprovuar kryetari i komunës, ky që është edhe sot ( Lutfi Haziri ) dhe ku ne u bëmë bashkëthemelues të tij, kemi themeluar dhe dy Manifestime tjera, “Vjeshta letrare e Gjilanit” ( 2010 ) si dhe Manifestimi rajonal të poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes” ( 2011 ).

Që të tria këto veprimtari letrare, e kanë ruajtur vazhdimësinë e, më jetëgjati është Çmim letrar “Beqir Musliu”,  tashmë i institucionalizuar si Çmim që  jep Komuna e Gjilanit, përkatësisht Kryetari i Komunës, edhe nga ana e vetë Kuvendit të Komunës.

Nga viti 2004 e këndej, ku Çmim letrar i’u është dhënë përmes një Jurie letrare, shkrimtarëve të shquar, të cilët kanë rrumbullakësuar një karierë letrare dhe kanë sjell prurje të reja në letërsi, nga fusha e poezisë, prozës, dramës dhe kritikës letrare.

Çmimi letrar “Beqir Musliu”, nga viti 2005 e këndej ka pas edhe Rregulloren për dhënien e Çmimit, Rregullore që tashmë ka kaluar në pronësi të  Kuvendit të Komunës së Gjilant, ku vendlindja e Beqir Musliut vit për vit duke kujtuar e nderuar birin e saj, nderon njëkohësisht edhe figura të rëndësishme të letërsisë shqipe nga e gjithë  hapësira shqiptare.

E, sa iu përket dorëshkrimeve të Beqir Musliut, më duhet të shtoj se, në vitin 2004, me inicimin tonë, kemi ndikuar që përmes MKRS-së dhe komunës së Gjilanit të botohej kompleti prej shtatë veprave të mbetura në dorëshkrim dhe të gatshme për botim të Beqir Musliut.

Në ndërkohë, po përmes Ars Clubit “Beqir Musliu”, janë botuar dhe tri vepra për krijimtarinë letrare të Beqir Musliut, por, mjerisht, ende kanë mbetur materiale të shumta të pabotuara nga krijimtaria e begatë e këtij shkrimtari, sidomos nga fusha e publicistikës, kritikës teatrore dhe asaj letrare.

.

Kryelajmi – Kledia: Duke marrë parasysh se jeni edhe pjesë e revistës kulturore “Agmia” dhe e dhënies së Çmimit Letrar “Beqir Musliu”,  sa është e vështirë të veçoni krijimet letrare si juri ? A  ju ka ndodhur që  pas ndarjes së çmimit për një shkrimtar,  të ju mbetet anash edhe ndonjë emër tjetër i merituar ?

 

Sabit Rrustemi: Vlerësimet letrare për dhënien e çmimeve, qofshin nga konkurse anonime letrare, nga veçime të poezive të një takimi letrar siç është “Pena e Flakës” apo dhe të Çmimit letrar “Beqir Musliu”, përherë bëhen përmes Jurive profesionale letrare, të cilat nuk janë me mandate por krijohen për një manifestim, konkurs a Çmim dhe asnjëherë nuk e kanë përbërjen e njëjtë.

Natyrisht, janë do kritere në propozimin dhe emërimin e Jurive, ku para se gjithash duhet të jenë njohës të mire të letërsisë dhe rrjedhave letrare, po ashtu edhe emra të dëshmuar të kritikës letrare, të poezisë apo dhe prozës.

Fakti se deri më sot nuk është kontestuar me argumente bindëse asnjë nga të shpërblyerit , tregon se megjithatë janë respektuar do kritere letrare. Por, jam i vetëdijshëm se dikush që e ka merituar bie fjala Çmimin letrar “Beqir Musliu” , ka ikur në atë botë pa e marrë,  si Teki Dervishi p.sh., ani se e ka merituar. Apo që e meriton e nuk e ka marrë, sepse ka vite që është larguar nga skena letrare dhe botimet, siç është Ymer Shkreli. Po edhe ka të tjerë që ende e meritojnë e,  janë në pritje.

Për t’u përcaktuar për më të mirin asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, andaj duhet përgatitje, përpjekje por edhe durim.

 

Kryelajmi – Kledia: Çfarë do t’i u sugjeronit të rinjve që duan të merren me krijimtari letrare?

 

Sabit Rrustemi:  

Konsideroj që  dhe unë ende kam nevojë  për sugjerime a këshilla, sepse ato në çdo kohë janë të mirëseardhura. Po, nëse veç duhet sugjeruar diçka, atëherë, atë që i’a  sugjeroj vazhdimisht vetes , u’a sugjeroj edhe të tjerëve e para së gjithash të rinjve që synim parësor e kanë letërsinë, përkatësisht krijimtarinë letrare: të lexojnë dhe vetëm të lexojnë, duke e ditur se çka po lexojnë, pastaj t’i rreken shkrimit por, gjithnjë duke e kërkuar përmes mendjes dhe imagjinatës së tyre, atë që nuk është thënë nga të tjerët.

Ta kenë si qëllim të përhershëm cilësinë e jo sasinë, sepse letërsia rritet në bazë të vlerave e jo numrave.

T’i mbajnë në tavolinën e punës përherë përrallat, baladat dhe legjendat shqiptare po dhe të popujve tjerë, e këtu hyjnë dhe librat e shenjtë, që ta ushqejnë vazhdimisht imagjinatën e tyre.

Mos të shohin rrezik e as mos t’i injorojnë pararendësit se, duke i parë deri ku kanë arritur ata, mund të ecin më sigurt për më tutje.

T’iu gëzohen suksesit të të tjerëve sepse kështu u’a mundësojnë dhe të tjerëve ta pranojnë  suksesin e tij apo saj.

T’mos bijnë pre e lëvdatave pa mbulesë apo e vlerësimeve të sponsorizuara por të insistojë për një vlerësim profesional dhe ta pranojë atë.

Mbi të gjitha, ta peshojë mirë e mirë atë që e shkruan, sepse, e zeza mbi hapësirën e bardhë, mund të mbetet përherë e zezë .

 

( n’Rrajë t’Çepurit/ Zhegër, 11 korrik 2021 )

Intervistën e realizoi gazetarja Kledia Mehmeti.

 

Kryelajmi.com

You Might Also Like