OPINION

Politikanët e ekzaltuar do të zhgënjehen më 22 tetor 


Xhylije Ibrahimi
Disa politikanë janë ekzaltuar aq shumë këtyre ditëve, sikur ta kishin votën e popullit në xhepin e tyre. Që në ditët e para të fushatës, janë vetëshpallur fitues, por besoj thellë se 22 tetori do t`i zhgënjej keq disa prej tyre.
Nga përvoja ime e deritashme si votuese, mund të them se fitorja nuk është në duart e militantëve, të atyre që mbushin një sallë teatri apo një palestër sporti, por tek ata qytetarë që nuk dalin fare nëpër tubime.
Nëpër tubime sheh njerëz që vijnë edhe nga komunat tjera, për ta madhështuar prezantimin e një kandidati dhe të kandidatëve të tjerë, por ata votojnë gjetiu. Madje, persona të njëjtë sheh nëpër tubime të ndryshme partiake. Ec  e merre vesh se me kënd janë ata më 22 tetor. Pas kësaj date, janë me fituesin. Kjo dihet. Nuk ka rëndësi kush është ai.
Një gjë e kam kuptuar këtyre ditëve, në terren. Qytetarët ndjehen të zhgënjyer me ata që nuk i kanë mbajtur premtimet, me ata që e kanë braktisur mandatin për të zënë një vend pune për vete.
Ata rikthen te populli çdo katër vjet, sikur edhe tani. Këtë rikthim duhet ta shfrytëzojmë që t`i përcjellin në shtëpi. Duhet t`i ndëshkojmë për premtimet e pa mbajtura.
Gjilanasit janë qytetarë të mrekullueshëm dhe meritojnë më mirë. Kjo është e mundur me njerëz të drejtë, të ndershëm, të përgjegjshëm, të arsyeshëm, të guximshëm për të marrë vendime në favor të qytetarit, jo me asi njerëz që punojnë për interesa të grupeve, të klaneve, të ortakëve e të baxhanakëve, që favorizojnë kudo njerëzit e tyre.
Atyre nuk ua prish askush. Ata janë të mëdhenj përballë gjithë të tjerëve. Vetëm kur vjen koha e zgjedhjeve, sikur tani, përulen para popullit. Por, jo të gjithë do ta kapërdijnë edhe njëherë të njëjtin karrem. Unë për vete jo se jo.
Nuk u kemi asgjë borxh politikanëve që mbrojnë interesat e tyre.
Unë kam vendosur të hyj në procesin zgjedhor, për të qenë nesër zëri i qytetarëve që nuk kanë lidhje me politikën, zëri i atyre që politika nuk i njeh pas 22 tetorit. Unë dhe të tjerë, jemi një alternativë.
Zgjedhjen e bëjnë qytetarët, prapëseprapë.

You Might Also Like