Shkruan: Ismajl Kurteshi
E drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk mund të zgjidhet duke diskutuar për zgjerimin e të drejtave të limituara të kësaj çështjeje. Nuk zgjidhet ky problem duke kërkuar vetëm që studentët të kenë të drejtë të përgjigjen në gjuhën shqipe në provime të caktuara, të universitete të caktuara, për licenca të caktuara, në komuna të caktuara e kështu me radhë.
Çështja e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk mund të zgjidhet pa u definuar statusi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Fillimisht duhet të definohet qartë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popull shtetformues. Kur kjo çështje të definohet, atëherë çështja e përdorimit të gjuhës shqipe zgjidhet lehtë. Shqiptarët si popull shtetformues do të jenë të barabartë me maqedonasit në çdo aspekt e kështu gjuha shqipe e fiton statusin e gjuhen zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, në institucionet e saj, kudo e përherë, në të gjitha sferat e jetës.
Barazia e shqiptarëve me maqedonasit duhet të definohet qartë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, kështu problemi i statusit të shqiptarëve i gjuhës shqipe i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e vendit, në ndarjen e buxhetit të shtetit e çështjeve të tjera në Maqedoninë e Veriut do të zgjidhet njëherë e mirë.
Përpjekja e zyrtarëve maqedonas që ta arsyetojnë pabarazinë e shqiptarëve, e të cilët përbëjnë rreth 40% të popullatës së përgjithshme është e pajustifikueshme dhe e dëmshme, parase gjithash për maqedonasit, interes i të cilëve është shteti stabil i Maqedonisë së Veriut.
Maqedonasit duhet ta kuptojnë se shqiptarët nuk do të pranojnë që edhe më tutje të jetojnë si qytetar të rendit të dytë. Nëse maqedonasit refuzojnë marrëveshjen për barazi, atëherë shqiptarët nuk do të kenë rrugë tjetër veç se të fillojnë realizimin e të drejtave të tyre, pavarësisht kundërshtimeve të maqedonasve.
Barazia e shqiptarëve me maqedonasit mundet dhe duhet të realizohet me mirëkuptim në mes të palëve, në kuadër të shtetit aktual. Por, nëse kjo e drejtë pengohet atëherë do të fillojë procesi i ndarjes në baza etnike. Maqedonia e Veriut, sipas të gjitha gjasave do të ndahet në dy republika, brenda një federate, me të drejta plotësisht të barabarta.
Refuzimi i pranimit të barazisë shpije drejt ndarjes, madje edhe te konflikti ndëretnik, që është provuar në këtë vend kohë më parë dhe nuk është mirë të përsëritet.
Përgjegjëse për situatën në të cilën janë shqiptarët është qeveria dhe opozita maqedonase. Përgjegjësi kanë edhe partitë politike shqiptare të cilat që në marrëveshjen e Ohrit kanë pranuar status të pabarabartë të shqiptarëve me maqedonasit, madje, me kalimin e kohës, kanë toleruar edhe mos respektim e të drejtave që janë parapa me Marrëveshjen e Ohrit.
Këtu duhet të theksohet se është e panatyrshme, që shtetet dhe partitë shqiptare të mos deklarohen në lidhje me kërkesat e drejta të studentëve dhe popullit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Edhe BE-ja e cila angazhohet për sigurimin e privilegjeve të komunitetit serb në Kosovë që përmban rreth 3% të popullatës së Kosovës, po hesht para shkeljeve të të drejtave elementare të shqiptarëve që përbëjnë rreth 40% të popullatës së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut.
Angazhimi i të gjithë faktorëve të përmendur më lart për zgjidhen e këtij problemi të shpikur nga ana e Shtetit të Maqedonisë së Veriut, nuk do të jetë ndihmë vetëm për shqiptarët, por parasëgjithash do t’i ndihmojë shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Barazia e plotë e shqiptarëve me maqedonasit është e vetmja zgjidhje e drejtë.





