Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, nën kryesimin e Arianit Sadikut e ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka miratuar vendimin për miratimin e planit të punës të Kuvendit për vitin 2022, me disa plotësime si dhe vendimin për orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve.
Sa i përket orarit të fillimit të mbledhjeve, ku Kuvendi ishte i ndarë përgjysmë, ndërmjet orës 9:00 dhe orës 10:00, ngërçi u zgjidhë me votën e kryesuesit, i cili përkrahu propozimin e parë, i cili në emër të grupit të këshilltarëve të LVV erdhi nga Ismajl Kurteshi.
Në pjesën e pyetje-përgjigjeve, ku këshilltarët komunalë Avdyl Aliu, Ramiz Ramadani, Bujar Nevzati, Kushtrim Kadriu, Mimoza Kadriu, Muhadin Haziri, Gentrit Murseli, Gresa Avdiu, Nazim Gagica, Sami Ahmeti, Blerim Haziri, Ardhmërie Jakupi Musliu, Besnik Shala dhe të tjerë kanë ngritur çështje të ndryshme, përgjigje kanë dhënë kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, kryesuesi Arianit Sadiku dhe drejtorët përkatës, Riad Rashiti (Buxhet), Entela Hyseni (Inspekcion), Bajram Isufi (Bujqësi).
Sa i përket rastit të 11 zjarrfikësve, të cilët prej më shumë se një dekadë punojnë me kontrata të përkohshme dhe në kushte të pabarabarta me të tjerët, kryetari Alban Hyseni ka thënë se ky është një problem shumë serioz dhe që duhet me u mundua me e zgjidhë, por mosha e tyre është problem për rekrutim të drejtpërdrejtë. Këtë problem, sa di unë, nuk e ka vetëm Gjilani, ka thënë ai.
Njëri ndër problemet e mëdha të Komunës janë edhe paditë nga mësimdhënësit për paga jubilare, shujta dhe udhëtim, të cilat duhet të parashihen në buxhet, sepse tani, me sa di unë, nuk janë të parapara, ka thënë kryetari Hyseni.
Kurse sa i përket borxhit të Komunës, kryetari Hyseni tha se raporti është bërë publik dhe obligimet e përgjithshme shkojnë në 25 milionë euro.
Sa i përket parkingjeve, Hyseni tha se shumë shpejt do të diskutohet me Ministrinë e Infrastrukturës për disa projekte për komunën e Gjilanit, ku hynë edhe projekti i parkimit nëntokësor, një shesh i madh i qytetit dhe një objekt i ri i administratës komunale.
Ndërkaq sa i përket orarit të punës në sektorin publik, ku dita e diel duhet të jetë pushim, kryetari Hyseni tha se pajtohet absolutisht që duhet të respektohen të drejtat e punëtorëve, por rregullimi i kësaj çështje duhet të fillojë me një diskutim publik dhe pastaj të vijë në Kuvend për miratim.
Në Zhegër, punimet në palestrën sportive do të fillojnë këtë javë, ndërsa pritet të përfundojnë brenda këtij viti, ka thënë ai.
Në lidhje me pyetjen për Qendrën Covid, kryetari Hyseni tha se tani për tani nuk është e nevojshme, por gjithçka është gati nëse rritet numri i pacientëve.
Avdyl Aliu shprehu mospajtime me mënyrën e pasqyrimit të borxheve komunale, të cilat u bënë publike javën e kaluar, duke thënë se kjo nuk është bërë në mënyrë adekuate dhe se një kategori është përfshirë dy herë.
Njëherësh, Kuvendi është informuar edhe për suksesin e nxënësve në gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor 2021-2022, ku sqarime shtesë ka dhënë drejtoresha Selvete Sylejmani si dhe për rrjedhën e manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2022, ku në pyetjet e Gresa Avdiut, Valdrin Bajramit, Gentrit Murselit, Nazim Gagicës, Shpresa Kurteshit, Sami Ahmetit dhe të tjerëve, përgjigje ka dhënë drejtori Kushtrim Zeqiri.
Po ashtu, Kuvendi është plotësuar me dy anëtarë të rinj, Erestina Isufi e cila ka zëvendësuar Leonora Morinën-Bunjakun, që është emëruar nënkryetare e Komunës, përkatësisht Ekrem Kryeziu që ka zëvendësuar Bajram Isufin, që është emëruar drejtor për Bujqësi.
Propozim-vendimi për themelimin e KKSB, me propozimin e kryesuesit Arianit Sadiku, u shty për mbledhjen tjetër, pasi që ende nuk janë dërguar të gjithë emrat për përbërjen e re të këtij mekanizmi.