Sportet luftarake

Klubi i Karatesë “AS” nga Gjilani fiton dy medalje në Turneun Ndërkombëtar “Marmara Cup 2024” në Stamboll

Klubi i Karatesë “AS” nga Gjilani ka arritur të shkëlqejë në turneun e madh të karatesë “Marmara Cup 2024” në Stamboll të Turqisë, duke fituar dy medalje: një të argjendtë dhe një të bronztë.

Xhan Ilazi arriti të fitojë medaljen e argjendtë në disiplinën KUMITE në kategorinë 42 kg, duke treguar një paraqitje të shkëlqyer gjatë gjithë garës. Ndërsa Buron Nuhiu, pas një konkurrencë të fortë dhe katër ndeshjeve të vështira, u dekorua me medaljen e bronztë në kategorinë 55 kg.

Gjithashtu, garuesja Erina Sherifi, ndonëse kishte rezultat të barabartë me karatisten turke, humbi për shkak të rregullit Senshu. Për më tepër, Tara Hajrullahu, një talent premtues për të ardhmen, tregoi një paraqitje të mirë, duke dëshmuar se është në rrugën e duhur për t’u bërë një karateiste e cilësisë së lartë.

Trajneri i Klubit të Karatesë “AS”, Alban Beqiri, u shpreh i kënaqur me performancën e garuesve të tij në këtë turne të madh ndërkombëtar, duke theksuar: “Në një konkurrencë të madhe me shumë karateistë cilësorë, jam i kënaqur me garuesit e mi. Kjo është një përvojë e madhe në arenën ndërkombëtare, që na bën të ndihemi krenarë me këta karateistë.”

Në këtë turne të madh të karatesë morën pjesë edhe ekipe nga Azerbajxhani, Uzbekistani, Jordania, Kuvajti, Serbia dhe Turqia, duke e bërë garën edhe më sfiduese dhe të vlerësuar.

You Might Also Like