Edison Kqiku dhe bashkëlojtarët e tij janë gati për fillimin e kampionatit në Superligë për edicionin 2024/25.
Kapiteni i skuadrës është paraqitur në konferencën për shtyp para përballjes së parë kampionale të cilën ekipi do ta zhvillojë në udhëtim te skuadra e Llapit.
“Jemi të vetëdishëm për cilësitë e kundërshtarit, por ne kemi marrë masat preventive dhe besoj që me një performancë të mirë do të dalim faqebardhë nga ky takim”, deklaroi fillimisht Kqiku.
Duke folur edhe për pritshmëritë e kampionatit, Kqiku u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që ndeshjet t’i marrin me shumë seriozitet dhe të gjitha më radhë, më pas vjen edhe objektivi.
“Tifozët janë entuziastë normalisht sepse kanë parë ekipin dhe kanë krijuar pritshmëritë e tyre, megjithatë në do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Do mundohemi t’i zbatojmë urdhërat e trajnerit me grupin i cili është shumë cilësor dhe i gatshëm për këtë kampionat. Kemi 50 ditë që jemi së bashku dhe çdo ditë e më shumë po e njohim njëri tjetrin”, përfundoi Kqiku.
Përballja ndërmjet Llapit dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën më 10 Gusht në “Zahir Pajaziti” të Podujevës. Takimi fillon nga ora 17.00 dhe transmetohet direkt në “Art Motion”.