Nga Musa Sabedini – Kjo tokë po mban gjithçka, edhe zhurmën e njerëzve që flasin shumë, por mbajnë pak përgjegjësi për fjalën që hedhin në opinion. Po jetojmë në një kohë kur komunikimi publik po humb gjithnjë e më shumë etikën, seriozitetin dhe kredibilitetin moral. Në hapësirat politike, mediatike e shoqërore po shtohen zërat që akuzojnë pa prova, ofendojnë pa ndjenjë përgjegjësie dhe gjykojnë pa asnjë standard profesional apo njerëzor. Fjala është liruar nga pesha e ndërgjegjes, ndërsa shpifja dhe linçimi publik po shndërrohen në mjete të zakonshme të komunikimit.
Në vend të argumentit po triumfon agresiviteti verbal, në vend të mendimit kritik po instalohet urrejtja, ndërsa në vend të kulturës së debatit po kultivohet një klimë e rrezikshme përçarjeje dhe degradimi moral.
Më shqetësuese është fakti se shumë prej atyre që flasin më së shumti publikisht, rrallëherë marrin përgjegjësi për pasojat e fjalës së tyre. Dhe kur fjala humb etikën, humb edhe besueshmëria e atij që e përdor, ndërsa shoqëria nis ngadalë të humbë shpirtin, dinjitetin dhe kulturën e saj qytetare.
Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për urtësi, mirëkuptim dhe komunikim të qytetëruar, po përballemi çdo ditë me një valë të ashpër urrejtjeje, shpifjesh dhe fjalori degradues që po e helmon jetën publike dhe marrëdhëniet njerëzore.
Është e dhimbshme të shohësh se si komunikimi ynë po humb njerëzoren. Në vend të argumentit po triumfon britma, në vend të mendimit po sundon paragjykimi, ndërsa në vend të debatit po kultivohet urrejtja patologjike. E kjo nuk ka qenë kurrë virtyt i shqiptarit. Populli ynë është njohur për burrërinë e fjalës, për mençurinë në kuvend dhe për respektin ndaj tjetrit, edhe kur mendimet kanë qenë të ndryshme.
Sot, fatkeqësisht, po krijohet një klimë ku shpesh ofendimi konsiderohet forcë, shpifja quhet guxim, ndërsa poshtërimi i tjetrit trajtohet si fitore publike. Por asnjë shoqëri nuk ndërtohet mbi urrejtje. Asnjë shtet nuk forcohet duke shkatërruar dinjitetin e njerëzve të vet. Dhe asnjë komb nuk ecën përpara duke ushqyer përçarje të pafundme.
Prandaj, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë kulturën e komunikimit. Të flasim me qetësi. Të shkruajmë me përgjegjësi. Të debatojmë me argumente e jo me mllef. Të kundërshtojmë pa fyer dhe të kritikojmë pa e humbur njerëzoren. Fjala ka peshë. Fjala ndërton, por edhe rrënon. Dhe kur fjala humb etikën, shoqëria fillon të humbë karakterin e saj.
Ky vend ka kaluar sfida të mëdha historike për të mbijetuar. Nuk duhet ta dëmtojmë vetveten me gjuhë urrejtjeje dhe me klimë toksike që po i largon njerëzit nga besimi, respekti dhe solidariteti. Na duhet më shumë sinqeritet, më shumë kulturë dhe më shumë vetëdije qytetare. Sepse gjithçka ka një kufi edhe heshtja ndaj degradimit moral të shoqërisë.
Sot më shumë se kurrë, bëhet e domosdoshme rikthimi i etikës së komunikimit publik dhe kulturës së debatit në jetën tonë shoqërore, politike, intelektuale dhe mediatike. Fjala e thënë apo e shkruar nuk është vetëm mjet shprehjeje, por edhe akt përgjegjësie qytetare, morale dhe profesionale. Në veçanti, elitat politike, intelektuale dhe gazetareske kanë detyrim publik që komunikimin ta ndërtojnë mbi argumentin, maturinë dhe respektin ndaj tjetrit, e jo mbi gjuhën e urrejtjes, linçimit apo degradimit personal.
Debati demokratik nuk matet me ashpërsinë e fjalorit, por me fuqinë e argumentit dhe integritetin etik të atij që flet. Kur komunikimi humb etikën, humbet edhe besimi publik, zbehet kultura demokratike dhe dëmtohet vetë struktura morale e shoqërisë. Prandaj, nevojitet një kthim i vetëdijshëm drejt gjuhës së arsyes, dialogut dhe dinjitetit njerëzor, sepse vetëm përmes komunikimit të përgjegjshëm mund të ndërtohet një shoqëri më e shëndetshme, më e qytetëruar dhe më humane.
Zoti e ruajtë këtë popull nga humbja e vlerave njerëzore, familjare dhe morale. Dhe Zoti na dhëntë mençuri që ta ndërtojmë komunikimin mbi respektin, dijen dhe të vërtetën, jo mbi urrejtjen dhe shkatërrimin.
Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT




