Gjilan, 5 qershor 2020 / Kuvendi Komunal i Gjilanit, sot në një seancë të jashtëzakonshme, të mbajtur në ambientet e Gjimnazit Natyror, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi Emini, ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Zyrës Regjionale të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës (AUV), vendimin për revidimin e pjesshëm të planit rregullues urban “Qendra-Zona 1” në parcelat nr.03872-0 dhe nr. 03878-0 si dhe raportin mbi menaxhimin e pandemisë Covid 10.
Kuvendi ishte i ndarë sa i përket dhënies së një parcele te ish-hapësira e KRM “Higjiena” për ndërtimin e një objekti administrativ, që në të vërtetë, nuk kishte të bënte me kërkesën e Bashkësisë Islame, por me lokacionin konkret.
Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (LVV) dhe Xhevat Demiri (AAK) ishin të mendimit që kjo pikë duhet të shtyhet dhe ndërkohë të shikohet mundësia për gjetjen e një lokacioni tjetër, tek i cili do të arrihej bashkërisht me KBI-në.
Ne nuk jemi kundër kërkesës së BI-së, por jemi kundër ndërhyrjes në plan rregullues, tha Abdyli, ndërkaq Isufi tha se ekziston edhe një peticion i qytetarëve që kjo hapësirë të shfrytëzohet për nevoja të tjera.
Ndërkaq, Avdyl Aliu (LDK), Mimoza Kadriu (Nisma), Shemsedin Ramushi (AKR) e Ibish Ibishi (KP) thanë se kjo pikë duhet të mbetet në rend dite dhe të shqyrtohet sot, sepse nuk do të ishte korrekte nëse shtyhet më tej.
Votën e saj e deklaroi në favor të kësaj pike edhe Arta Haziri (AAK), për dallim nga kolegu i saj, Demiri i cili kërkoi alternativë për këtë kërkesë. Anila Basha sqaroi se grupi i këshilltarëve të AAK-së do ta votojë këtë pikë, qëndrim ky i degës, të cilit, iu nënshtrua edhe Demiri, duke shtuar se nuk ishte kundër as në fillim, por sugjeroi të kishte më shumë alternativa.
Bujar Nevzati (PDK) tha se këtu nuk duhet të bëhet loja se kush e donë më shumë e kush më pak BI-në dhe bëri apel që të merret bashkërisht një vendim, sepse askush këtu nuk jemi armiq të BI-së.
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, tha se kjo kërkesë daton prej vitit 2014. Ka pasur takime me krerë të BI-së, ka pasur edhe propozime të tjera, por bashkërisht kemi ardhur në përfundim te ky lokacion.
Ismajli kërkoi që kësaj pike të mos i qaset askush politikisht, por të futet në rend dite dhe të miratohet kërkesa e BI-së, sepse pritja e saj është mjaft e gjatë.
“Planet rregulluese janë të ndryshueshme dhe po ndryshohet edhe në këtë rast në interes të një komuniteti, natyrisht duke i respektuar procedurat”, ka thënë Ismajli.
Sqarime shtesë dha edhe drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami.
Pas një debati gjithëpërfshirës, ku u përfshinë edhe Shefik Surdulli, Xhelal Hajrullahu, Isa Agushi, Arianit Sadiku e të tjerë, sikurse edhe Niam Aliu, kryetar i KBI, kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini konstatoi se Kuvendi, me shumicë votash (21 për) e miratoi vendimin për revidimin e pjesshëm të planit rregullues urban “Qendra-Zona 1”, për të mundësuar realizimin e kësaj kërkese.
Me vota unanime, Kuvendi miratoi vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Zyrës Regjionale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), që e arsyetoi drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, i cili tha se bëhet fjalë për një hapësirë prej 10 ari në pjesën e Gllamës, ku do të realizohet ky projekt, i cili financohet nga BE-ja.
Ndërkaq, raportin mbi menaxhimin e pandemisë, e paraqiti Selami Xhemajli, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, duke përfshirë të gjitha aktivitet e ndërmarra nga 13 marsi e këndej, nga Qendra Operative Emergjente, duke thënë se të infektuar kanë rezultuar 84 raste, ndërsa aktualisht janë 15 raste pozitive me Covid 19.
Ai foli edhe për ndihmat e ofruara për qytetarë si dhe masat e parapara lehtësuese për biznese, që kanë për qëllim ndihmën për rimëkëmbje të ekonomisë, të cilat kanë pësuar për shkak të pandemisë.
Pandemia ka ndikuar edhe tek të hyrat komunale. Nënkryetari Ismajli tha se për shkak të pandemisë, për 5 muaj kemi 770 mijë euro të hyra komunale më pak. Përndryshe, ai tha se gjatë kësaj periudhe nuk ka bërë fushatë, siç mendojnë disa, por ka dashur të jetë afër njerëzve, prandaj ka vizituar e ka takuar shumë familje e qytetarë.