Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega Gjilan, sot mbajti konferencë për medie lidhur me skandalet e fundit në Komunën e Gjilanit, respektivisht, në Komisionin e Bursave dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Anëtarët e Kuvendit Komunal, Gentrit Murseli dhe Gresa Avdiu, paraqitën para qytetarëve gjetjet e shkeljeve dhe parregullsive në këtë Komision dhe drejtorinë përkatëse. “Udhëheqja komunale ta marrë përgjegjësinë për ndërhyrje në Komisionin e Bursave”- tha Gentrit Murseli para medieve. Me datë 08.06.2022, në zyrën e Komisionit të Bursave është mbajtur një mbledhje e Kryetarit të Komunës. Në këtë rast dosjet e studentëve së bashku me laptopin e punës janë zhvendosur në një pjesë tjetër. Ngatërresa e dosjeve e ka rikthyer procesin në pikën fillestare. Anëtarët e LDK-së në Komisionin e Bursave, Gentrit Murseli dhe Aferdita Balaj, po kërkojnë që në një procesverbal të veçantë të shënohet e gjithë ngjarja dhe të merret përgjegjësia për çkado që mund të ketë ndodhur. “Procesverbali duhet të nënshkruhet nga vetë akterët në mënyrë që komisioni të vazhdojë punën intensivisht dhe publikimi i listës të bëhet sa më shpejt që është e mundur. Anëtarët e LDK-së janë në gatishmëri të plotë për angazhim maksimal gjatë këtij procesi të vështirë”- perfundoi Murseli gjatë adresimit të tij. Jo më pak skandaloze është edhe puna në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Jeni dëshmitarë tash e 7 muaj të shkeljeve të ndryshme të bëra në Komunën e Gjilanit, respektivisht, në Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport. “LDK konsideron të paaftë këtë Drejtori, e cila nuk arrin për 5 muaj ta mbyll një thirrje publike, e për 7 muaj ta sjell një raport financiar, të kerkuar qysh në seancën e parë të Kuvendit Komunal. Kërkojmë edhe sot publikisht, ashtu siç kemi kerkuar që nga fillimi, të sjellet i detajuar financiarisht raporti i Flakes së Janarit”, ka thënë Gresa Avdiu, këshilltare komunale. “Sa i përket thirrjes së parë publike, e cila bëri bujë të madhe edhe atëkohë, ne kërkojmë publikimin e vendimit për shkarkimin e Komisionit Vlerësues dhe rekomandimin apo vendimin e Komisionit të Ankesave edhe pse nuk e dimë as përbërjen e Komisionit te Ankesave. Pra, anulimi i thirrjes është bërë prej presionit publik dhe jo prej vlerësimit të Komisionit të Ankesave” – tha Avdiu para qytetarëve. Kryetari i Komunës, me datë 04 maj 2022 merr vendim për emërimin e Komisionit Vlerësues për thirrjen publike të OJQ-ve të datës 08 prill 2022. Në bazë të Rregullores 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve neni 8, pika 5 thuhet: “Komisioni Vlerësues themelohet gjatë kohës sa thirrja publike është e hapur dhe emrat e anëtarëve të Komisionit Vlerësues bëhen publik brenda shtatë (7) ditëve pas themelimit të komisionit.” “Ky vendim për emërimin e Komisionit Vlerësues nuk është bërë publik brenda afatit të përcaktuar në Rregulloren 04/2017. Publikimi i vendimit është bërë me datë 01.06.2022, që nënkupton tri javë pas afatit të përcaktuar. Lista preliminare e përfituesve nga thirrja publike është publikuar me datë 01.06. 2022, pra në të njejtën datë kur është bërë publik edhe emërimi i Komisionit Vlerësues. Ky dokument, pra lista preliminare, i referohet datës 19.04.2022, datë në të cilën Komuna e Gjilanit, respektivisht, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport nuk ka pasur asnjë thirrje publike”, tha ajo. Avdiu tha para gazetarëve se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, është zotuar se për sektorin e rinisë do të ndajë 25.000€, por në realitet ka ndarë 11.000€, madje OJQ-ve që nuk janë të profilizuara për këtë sektor, OJQ-ve pa titull të projektit, OJQ-ve që me të njëjtat projekte kanë fituar më herët në sektorin e sportit. “Është tejet e padrejtë që asnjë OJQ rinore që funksionon brenda territorit të Gjilanit të mos përfitoj nga kjo thirrje publike.”- tha Avdiu. Në këto parregullsi nuk ka mbetur keq teatri. Pa përfunduar procesi i plote i vlerësimit për drejtor të teatrit, pra, para intervistimit me gojë dhe pas përfundimit të vleresimit me shkrim, është anuluar ky konkurs. Nuk është publikuar as Vendimi për Konsituimin e Këshillit Drejtues të Teatrit. Pra, vendimi i dates 04.04.2022, për Këshillin Drejtues të Teatrit, nuk eshte i publikuar askund. E çuditshme është se Kryetari i Komunës e anulon konkursin me arsyen se Vendimi për emërimin e Këshillit Drejtues të Teatrit i datës 04.04.2022 nuk është ne harmoni me nenin 11 paragrafi 4 të Ligjit për Teatrot Nr.04/L- 106, sepse njëri prej 5 anëtarëve të Këshillit duhet të jetë përfaqësues i Komunës, derisa me datën 04.04.2022, kryetari vet e ka nënshkruar konstituimin e këtij Këshilli. “Ka shumë parregullsi tjera që mund të theksohen sot, por, si LDK nuk e kemi parë të mjaftueshme vetëm konferencën për medie. Andaj, dje kemi mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme mbi këto tema, e cila pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme”- përfundoi Gresa Avdiu.
—
Gjeni të bashkangjitur fotot dhe linkun e videos së konferencës: