Libri

Libri i Ismajl Kurteshit është vetë historia e Anamoravës

Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, këtë të shtunë është promovuar libri “Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…”, i autorit Ismajl Kurteshi.

Duke qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në jetën shoqërore, politike e luftarake,  Ismajl Kurteshi, gjatë veprimtarisë së tij të bujshme ishte qëndrestarë në të gjitha këto procese, kurse redaktori i librit, Avni Dehari, ka thënë se Kurteshi është shembull i rrallë, i cili ka kaluar tërë këto periudha, që u angazhua para, gjatë dhe pas luftës.

Ai ka folur për shkrimet e Ismajl Kurteshit edhe në kohën e organeve të përkohshme komunale, më pas ato që kishin të bënin me decentralizimin në baza etnike, problemet e Kosovës e të Luginës së Preshevës, por edhe për shumë çështje të tjera, të cilat janë shkruar edhe në formë letrash, pastaj shkrime e publikime nëpër medie, por edhe në ballafaqime me vendorë e ndërkombëtarë.

“Ismajl Kurteshi është model se si një atdhetarë duhet t’i pranojë e t’i kryej detyrat në rrethana të caktuara”, ka thënë redaktori Avni Dehari.

Me një vështrim për këtë libër është paraqitur edhe politologu, Sadri Ramabaja, i cili ka theksuar se ky libër është vetë historia e Anamoravës, i shkruar nga një intelektual, atdhetar e veprimtar i çështjes kombëtare, që është autor i një libri me ndarje specifike e domethënëse.

“Objekt i këtij libri është Kosova, rrugëtimi dhe ringritja e saj”, ka thënë ndër të tjera Sadri Ramabaja.

Me një qasje për librin “Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…”, të autorit Ismajl Kurteshi është paraqitur edhe redaktorja Hatixhe Hoxha, sipas të cilës ky libër paraqet shkrime të një periudhë kohore të gjatë, të mbledhura në një vend e të cilat lexuesit i ofrohen si dokumente. Në këto shkrime autori preokupohet për ngjarjet dhe zhvillimet ndaj të cilave ai nuk qëndron indiferent, por ngre zërin e tema që atë më së shumti e preokupon është decentralizimi në baza etnike.

Vetë autori, Ismajl Kurteshi, tha se kjo punë e tija ka qenë vetëm një përpjekje për t’a pasqyruar realitetin e 23 viteve, që i trajton libri e ai në mënyrë të veçantë ka falënderuar redaktorët Avni Dehari dhe Hatixhe Hoxha, sikurse edhe studiuesin Sadri Ramabaja.

Në promovimin e këtij libri, aktori Ramadan Kurti ka deklamuar pjesë nga libri “Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…”, të autorit Ismajl Kurteshi, i cili tashti është në duart e lexuesve dhe i cili ka një vlerë të madhe për t’u thelluar edhe më tej në historinë më të re të Kosovës.

You Might Also Like