Gjilan

Lutfi Haziri: Administrata e VV-së bashkë me bedelët e nivelit qendror, e hoqën Akademinë për Rugovën nga kalendati i “Flakës”, lavdi ju qoftë marria!

Si sot, para 19 viteve, është ndarë nga jeta, Presidenti historik, ati themeltar i shtetit tonë, Dr. Ibrahim Rugova. Si çdo vit tjetër, Dega e LDK-së në Gjilan, Lidhja Demokratike e Kosovës në nivel të Republikës e institucionet e shtetit, kanë organizuar akademinë përkujtimore në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Në Gjilan, në sallën e teatrit, të gjithë janë bërë bashkë, intelektualë, qytetarë e veprimtarë, njerëz të letrave e librave, të dijes e politikës, për të nderuar veprën e njeriut që shkaktoi procese dhe realizoi ëndrra. Edhe këtë vit, ne morëm konfirmimin zyrtar që, në kuadër të Flakës së Janarit, LDK do të organizojë Akademinë përkujtimore.
Befas, 3 ditë më vonë, na vjen një shkresë nga Komuna e Gjilanit, e cila zhvendos në mënyrë tinëzare këtë Akademi, nën patronatin e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.
Edhe më keq, sot në ora 11:00, sipas kalendarit, teatri i qytetit është i mbyllur. Akademia nuk organizohet. Qëllimi nuk dihet. Arritën me e largu këtë ditë të shënuar dhe t’i privojnë qytetarët e Gjilanit pa të drejtë, në pjesëmarrje në nderim të veprës së Dr. Ibrahim Rugovës.
Na privuan nga e drejta e organizimit, por nuk mund të na ndalin ta duam, ta respektojmë, të gjunjëzohemi e të kërkojmë të respektohen vlerat e trashëguara që janë Republika e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, trashëgimi që Presidenti histoik ia la popullit të tij.
Ata që sot i thonë lavdi marrisë, lë ta kenë për nderë. Vjedhja në emër të patronateve dhe sjellja si patron mbi çdo aktivitet, mbi çdo figurë, duke dashur të vjedhin për motive elektorale, të konsumojnë për motive elektorale, do t’u kthehet boomerang.
LDK sot e përkujton me homazhe, me botim librash e koncerte, dhe me çdo lloj aktiviteti tjetër, duke dashur ta ruajmë e ta trasojmë veprën e Ibrahim Rugovës. Gjilani sot, si Komunë, e cila respekton e nderon heronjtë e njerëzit që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve, deshtoi. Dështoi ashtu siç ka dështuar këto katër vite për të përmbushur pritjet e qytetarëve të Gjilanit.
Ashtu siç qeverisen keq, ashtu po sillen keq. Nuk dinë as të respektojnë e as të nderojnë.
Lavdi ju qoftë marria!

You Might Also Like