Gjilan, 29 qershor 2020 – Me ftesë të Këshillit të Fshatit Malishevë në Gjilan, sot kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga deputetja Lirije Kajtazi dhe drejtorët komunal ka vizituar fshatin dhe për shqetësimin e banorëve rreth impiantit dhe investimit në trajtimin e ujërave të zeza ai ka konfirmuar se do të investohet me mjetet e BERZH-it dhe Bankës për Investime duke garantuar që ky projekt do të vazhdon dhe deputetët vetëm mund të ‘koriten’ me mosvotim.
Kryetari i Këshillit të fshatit, Latif Maliqi, në fjalën e tij ka falënderuar kryetarin vizitën dhe për investimet e vazhdueshme në fshat, derisa ka thënë se lumi për të cilin duhet të ratifikohej marrëveshja në Parlament ka ngjyra të ndryshme dhe me vete bartë vetëm kundërmim e papastërti të mëdha.
“Ky lumë varësisht nga koha dhe nga ndotja e ndërron edhe ngjyrën. Uji i tij vjen me ngjyrë të kuqe, të verdhë, të zezë, hiri e ngjyra tjera, por vetëm i pastër jo. Nuk duam të politizojmë ndotjen e këtij lumi. Kërkojmë nga deputetët ta votojnë këtë marrëveshje dhe të na japin mundësinë të shohim diqka të mirë në këtë lum. Nëse deputetët kanë dëshirë që fëmijët e tyre të jetojnë në ambient të pastër, atëherë sigurisht që edhe ne e duam një gjë të tillë. Të dalin këtu dhe në fshatrat kah kalon ky lum e të shohin gjendjen reale para se ta refuzojnë votimin pro, deputetët e zgjedhur nga populli”, ka thënë ai.
Maliqi kishte një pyetje për deputetët, duke e përfshi këtu edhe kryeparlamentaren, a e dinë ku shkon kanalizimi juaj dhe çka ndot gjatë rrugës?
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se çmimin e ujërave të zeza e ka paguar Malisheva, Uglari dhe Pogragja dhe i ka siguruar ata se projekti do të realizohet.
“Në vitin 2017 kemi arritur që ta bindim qeverinë e Kosovës dhe BERZH-in si institucion financiar në Londër, që impianti i ujërave të zeza në Gjilan është prioriteti kryesor në Kosovë. Marrëveshja është nënshkruar në Sarajevë nga ministri i financave atëherë që vjen nga radhët e një partie politike që sot është në opozitë. Unë e falënderoj ministrin Bedri Hamza, që në atë kohë e ka nënshkruar mërrëveshjen e një impianti të tillë, pa dallime edhe pse edhe atëherë Gjilani udhëhiqej nga unë. Në një kohë tjetër tash grupet parlamentare nuk e ratifikojnë marrëveshjen”, tha Haziri.
Tutje kryetari Lutfi Haziri, ka garantuar banorët e këtyre fshatrave dhe qytetarët e Gjilanit për vazhdim të projektit dhe ka kërkuar nga deputetët ratifikim të marrëveshjes.
“I siguroj banorët që projekti nuk ndalet, sepse zbatimi i tij ka filluar dhe një pjesë është ratifikuar me Komisionin Evropian dhe do të gjenden rrugë politike dhe arsye që ti bindim të gjithë deputetët që ta votojnë. Mosratifikimi nuk e ngadalëson punën, e kuptoj mosvotimin, por nuk e arsyetoj deklarimin e tyreku thuhet se Komuna nuk i ka kryer punët dhe kjo është problem publik. Ne e kemi kryer studimin e fizibilitetit që është proces në vete, kemi bërë projektin detal që gjithashtu është proces në vete dhe me kosto të madhe financiare, kemi arritur ti bindim institucionet financiare mbi qëndrueshmërinë dhe nevojën e investimit dhe fundja këtu do të ndërtohet një fabrikë e re që ujërat e ndotura i kthen në ujëra të përdorshme dhe lumi në të ardhmen do të jetë bukuria e fshatrave”, ka deklaruar kryetari Lutfi Haziri.
Në fjalën e saj gjatë vizitës që i bënë këtij lumi, deputetja Lirije Kajtazi, solli kujtimin kur dikur ky lum ishte i kthjellët e tash është me një gjendje që bartë vetëm ndotje. Ajo ka mirëkuptuar se ky projekt milionësh është i pamundur të realizohet me mjete vetanake dhe si të tillë duhet ta votojmë marrëveshjen e cila është investim i BERZH-it dhe Bankës Evropiane për Investime.
“Duhet të kthehet ajo pastërtia që e kishte dikur ky lum. E kuptoj që Gjilani dhe gjithë ky regjion ka një fluks më të madh të banorëve që edhe mundësia e ndotjes është më e madhe, mirëpo udhëheqja është që ti kryej këto punë të cilat janë sfiduese. Kërkoj nga kolegët e mi deputet që ti mirëkuptojmë kërkesat e qytetarëve të Malishevës dhe fshatrave tjera, sepse ne kemi premtuar që do t’u përgjigjemi kërkesave të qytetarëve pa dallime. I lus kolegët e mi, që sikur që i kemi tejkaluar më herët kornizat partiake, se bashku me kryetarin në cilësinë e deputetit që të sjellim projektet në të mirë të qytetarëve”, ka thënë Kajtazi.
Valbona Tahiri, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik, ka potencuar se ky është prioritet ndër prioritetet e Komunës së Gjilanit dhe si Komunë me punë intensive i kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BERZH-it dhe projekti është punuar sipas standarteve më të larta që ata kanë kërkuar ata.
“Të gjitha kërkesat janë përmbushur nga ana e Komunës së Gjilanit në gjithë procesin i cili ka nisur para 5 vjetësh dhe tani kemi të nënshkruar marrëveshjen nga ana e qeverisë dhe kërkohet ratifikimi e saj. Tashmë kemi përgatitur gjithçka dhe do ta nënshkruajmë marrëveshjen me kompaninë konsulente e cila do ta bëjë përgatitjen e projektit dhe dosjen e tenderit. Procedurat do të vazhdojnë dhe nuk ndërprehet projekti. Kërkojmë mirëkuptimin e deputetëve që ta ratifikojnë jo vetëm këtë marrëveshje, por edhe marrëveshjen e rimëkëmbjes ekonomike sa nuk është bërë shumë vonë. Ta shohin gjendjen e bizneseve që janë duke u përballur me likuiditet të madh. Duhet unifikim i gjitha partive politike për ecje përpara”, tha mes tjerash ajo.
Muhamet Suliqi, drejtor i Kompanisë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, ka njoftuar se ky projekt është i paraparë në dy komponenta, e para grumbullimi i ujërave të zeza dhe e dyta fabrika për trajtimin e ujërave të zeza, ku parashihet ndërtimi i kolektorëve dhe impiantit që do të jetë një përfitim i të gjithë banorëve të Komunës së Gjilanit dhe regjionit.