Libri

NJË STUDIM I THELLUAR KRITIK DHE ESTETIK

(Për veprën studimore të Shefqet Dibranit, ARTISTIKJA NË VEPRËM “ORFEIANA” TË BEQIR MUSLIUT, botoi sh.b. “Beqor Musliu”, 2026)

Libri “ Artistikja në veprën Orfeiana të Beqir Musliut “ i studiuesit Shefqet Dibrani, ashtu siç paralajmëron që në titull, paraqet një studim të thelluar kritik dhe estetik mbi veprën poetike “Orfeiana” të Beqir Musliut, njërit prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë moderne shqipe.

Përmes një qasjeje analitike dhe interpretuese, autori ka depërtuar në universin poetik të Beqir Musliut, duke i kushtuar kujdes të veçantë dimensionit artistik, simbolik, mitologjik dhe atij filozofik. Andaj jo rastësisht e vendos “Orfeianën” në qendër të poezisë moderne shqipe, e duke e konsideruar atë si një nga arritjet më të rëndësishme të krijimtarisë sonë poetike. Me theks të veçantë, duke trajtuar semiotikën e absurdit, figurën e Orfeut, kodin biblik dhe diskursin historik, të gërshetuara vazhdimisht me autenticitetin e vendit të vet, si dhe me krijimtarinë gojore shqipe.

Një vend të rëndësishëm në këtë libër zë figura e Orfeut apo siç e ka emërtuar autori, si këngëtari në krye të këngëtarëve dhe që shfaqet si impersonalizim i Beqir Musliut duke ndërtuar imazhe poetike nga antika e mesjeta deri te letërsia postmoderne, thënë ndryshe ndërtohet një lidhje ndërmjet lashtësisë dhe bashkëkohësisë, ndërmjet mitit dhe realitetit duke e shndërruar poezinë e tij në universale dhe kombëtare njëkohësisht.

Përveç figurës së Orfeut, trajtohen edhe motive të tjera si miti i mollës, e Niobës, fati i Palestinës si risemantizim i mëkatit në kodin biblik, të cilat e pasurojnë artistikisht krijimtarinë poetike të Beqir Musliut dhe dëshmojnë për shtresëzime të shumta semantike e semiotike të veprës së tij.

Një e veçantë tjetër e librit “Artistikja në veprën Orfeiana të Beqir Musliut” qëndron edhe te literatura e përdorur. Ngaqë, përveç se mund ta quajmë si një prej veprave më serioze të shkruara për kirjimtarinë e Beqir Musliut, lexuesit i krijohet përshtypja se brenda këtij shkrimi studimor përfshihen shkrimet dhe përshtypjet më të mira e më serioze që janë shkruar për krijimtarinë letrare të Beqir Musliut, si në poezi ashtu edhe në prozë.

Nga keto hulumtime, lexime, përzgjedhje e citime që ka bërë autori Shefqet Dibrani, duket se ai di gjithçka çka është thënë deri më tani për Beqir Musliun, duke nisur nga shkrimet kritike që e emërtojnë Beqir Musliun si poet modern, më pas si shkrimtar bashkëkohor e deri te emërtimi poet postmodern. Pra, me përzgjedhjen e kritikës letrare paraprake që është bërë për Beqir Musliun, nga kritikët letrar dhe me qasje akademike si: Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Nexhat Rexha, Mehmetali Rexhepi, Sabit Rrustemi, Ndue Ukaj, Albina Idrizi etj, autori Shefqet Dibrani dëshmon se arti poetik i Musliut mbetet një fushë e pasur me mundësi të shumta interpretimi. Dhe përveç që këtë libër mund ta lexojnë gjihtë llojet e lexuesve, ndërsa studentët e letësrsisë shqipe do të mund të përfitonin më së shumti, sepse një studim i tillë, për krijimtarinë e Beqir Musliut, ka kohë që i ka munguar letërsisë shqipe dhe bibliotekave tona.

(20 qershor 2026)

You Might Also Like