Në dhjetor të vitit 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë u informua nga Kina për shfaqjen e një virusi të panjohur dhe tejet të rrezikshëm. Pas analizave, OBSH shpalli COVID-19 si pandemi globale, duke detyruar shtetet e botës të mbyllin kufijtë dhe të zbatojnë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e tij.
Kosova, si shumë vende të tjera, u përball me këtë sfidë të papritur dhe pa një përgatitje të duhur. Qyteti i Gjilanit, pas vendosjes së kufizimeve dhe masave të izolimit, mori një pamje të zymtë, duke u kthyer në një qytet fantazmë. Rrugët ishin bosh, bizneset pezulluan aktivitetin, ndërsa qytetarët u detyruan të qëndronin në shtëpi, shpesh duke u përballur me mungesa të furnizimeve bazë.
Në këtë situatë të vështirë, Komuna e Gjilanit mobilizoi të gjitha kapacitetet e saj për të ndihmuar qytetarët, duke krijuar Shtabin Emergjent nën drejtimin e nënkryetarit të atëhershëm, Arbër Ismajli. “Ishte një kohë e vështirë, bota po përballej me një virus misterioz dhe neve na mungonte gjithçka, por reaguam shpejt,” kujton sot Ismajli.
“Me krijimin e Shtabit Emergjent, nisëm një rrugëtim të rëndësishëm për të përballuar pandeminë. Me ndihmën e shumë personave të përkushtuar dhe vullnetarëve, filluam të ndihmonim qytetarët në çdo mënyrë të mundshme.
” Në ato ditë të pasigurta, Ismajli dhe ekipi i tij organizuan shpërndarjen e ndihmave elementare për qytetarët në nevojë, duke bashkëpunuar ngushtë me bizneset lokale, të cilat ofruan mbështetje të madhe për komunitetin. Po ashtu, u ndërmorën aksione për dezinfektimin e hapësirave publike dhe mbajtjen nën kontroll të situatës.
“Solidariteti i treguar nga qytetarët dhe bizneset ishte i jashtëzakonshëm,” thekson Ismajli. “Pa ndihmën e tyre, do ta kishim pasur shumë të vështirë t’ia dilnim mbanë.
” Pesë vjet pas pandemisë, Arbër Ismajli shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuuan në përballimin e kësaj sfide të madhe. “Falënderoj nga zemra çdo qytetar, çdo biznes dhe çdo individ që ishte pjesë e kësaj ‘lufte’ së bashku me ne. Jam krenar që isha pranë gjilanasve në një nga momentet më të vështira për ta.
” Në shenjë mirënjohjeje për punën e tij gjatë pandemisë, qytetarët e Gjilanit kanë përgatitur dy libra për të dokumentuar kontributin e tij dhe të Shtabit Emergjent. Gjatë atyre ditëve sfiduese, Arbër Ismajli kaloi tri ditë të pandërprera në Shtabin Emergjent pa u kthyer në shtëpi, dhe shpesh u pa personalisht duke pastruar rrugët e qytetit – një gjest që shërbeu si inkurajim për të gjithë.
Në përvjetorin e pestë të pandemisë, qytetarët e Gjilanit kujtojnë me respekt dhe falënderim përpjekjet e ish-nënkryetarit Arbër Ismajli dhe të gjithë atyre që ndihmuan në menaxhimin e situatës për të mirën e qytetit.