OPINION

Mos e arsyetoni dhunën, asnjëherë

Gresa Avdiu
Fjalët më të mira e më të bukura mundohemi t’i nxjerrim sot, në ditë të tilla, për më të dashurat tona. Mundohemi t’i urojmë më të mirat për to, e krejt kjo në kuadër vetem të një urimi, që me 9 mars harrohet, e vazhdon prapë diskriminimi e njëjtë.
Sot, në vend se t’i urojmë, duhet t’i ngushëllojme gjithë nënat, gjyshet, e motrat, që iu tha zemra nga humbja e mbesave, bijave e motrave për shkak të dhunës në familje, për shkak se dikush fizikisht më i fortë se to ua mori jetën.
Cfarë urimi mund të këtë marr sot nëna e vajzes 19 vjecare që u dhunua nga 5 burra në rajonin tonë, po nëna e vajzës 18 vjecare që u dhunua për vdekje nga bashkëshorti dhe u la e vdekur para derës së spitalit, po nëna e vajzës që u vra nga bashkëshorti, bashkë me të bijën e saj me breshëri plumbash në shtëpinë e prindërve? Me thoni si t’i urojmë këto nëna sot? Edhe më keq, kur këto krime arsyetohen e nuk ndëshkohen.
Gjykata jonë në Gjilan, për rastin e 19 vjecares, jep deklaratë skandaloze, po e citoj:
“Në pjesën përmbajtjesore Gjykata mbrojtjes së të akuzuarve jau ka falur besimin e plotë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë provë të besueshme dhe të plotë se të akuzuarit kanë përdorur dhunë apo kërcënim serioz ndaj të dëmtuarës në fjalë, me rastin e kryerjes së aktit seksual, sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore… Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara… Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”
Deklaratë që nuk lë shumë vend për fjalë të tjera më, dhe ne heshtim. Edhe më keq, kur kjo shoqëri, për shkak të mentalitetit të krijuar,  ka pamundësuar ushtrimin e profesioneve të ndryshme si taksiste, konduktere, shofere e autobusit, etj. Pra, ku ta gjente një taksiste femër 19 vjecarja që të udhëtonte me të?
Mos e arsyetoni dhunën, asnjëherë. Nëse një grua nuk qëndron në rregullat e tua dhe familjes tënde, mos e prek, mos e godit, divorcoje. është mënyra më demokratike dhe më paqësore për t’i dhënë fund një marrëdhënie. Nuk e ke asnjë të drejtë, por bash asnjë , ta kesh në dorë jetën e dikujt që as gjaku yt nuk është. Vrasja e dhuna asnjëherë nuk ështe opsion.
Si mund të flasim sot për të drejtat e grave, kur as 20% të bizneseve në Kosovë nuk janë në pronësi të grave sot, kur vetëm afër 35% e të punësuarve në sektorin publik janë gra, kur vetëm 5% të pronave apo tokave sot janë në emër të grave? Si flasim për të drejta të grave, kur në një konkurs punë nuk lejohet as të aplikosh nëse je grua e sapomartuar dhe planifikon familjen, pse, sepse kur t’i sjell në jetë një fëmijë, duhet të marrësh edhe pushimin e lehonisë, gjë për të cilën nuk merr përgjegjësi kompania ku t’i dëshiron të punësohesh. Por, fatmirësisht, në institucione shkollore e universitare, numri i vajzave që shkollohen qëndron i barabartë e mos më i madh në krahasim me djemtë që shkollohen. Kjo tregon se vajzat, pavarësisht paragjykimeve e barrierave, kanë vendosur të shkollohen, për t’i shtrënguar themelit e këtij shteti edhe më shumë.
Jam tejet e lumtur për gratë politikane në Kosovë, sidomos viteve te fundit, për guximin që kanë për të hyrë në lista zgjedhore, e më pastaj edhe në poste të larta shtetërore. Ato jane trimëresha, që pranojnë të shahen e fyhen nga gjithkush, madje në mënyrat më banale në rrjetet sociale, për të shërbyer për interesa të vendit të vet. Sot kemi një grua presidente, kemi pasur e kemi ministre zonja, kemi edhe deputete të shkëlqyera që kanë zënë ato ulëse në Kuvendin e Republikës duke shkelur edhe kuotën gjinore. Por si asnjëherë më parë edhe në Gjilan, në këto zgjedhje ndodhi e njëjta. Gratë, së paku nga partia prej të cilës vij une, kanë zënë vendin në Asamblenë komunale pa kuote gjinore, duke qenë të votuara njëjtë por edhe më shumë se burrat e kësaj liste. Kjo tregon se grave po fillohet t’ju besohen pozita të tilla vendimmarrëse, duke iu dhënë edhe besim politik.
Si mund të flas për të drejtat e gruas një institucion si ky sot, kur kuotën gjinore e zbaton vetëm aty ku kërkohet ligjërisht, kur partite politike kuotën në lista zgjedhore e zbatojnë vetëm për t’u certifikuar në zgjedhje nga KQZ. Gjatë mandatit 2017-2021, kemi pasur 0 kryetare të komunave, 2 nënkryetare të komunave në nivel vendi, dhe 5 krysuese të kuvendeve komunale (përfshire këtu edhe kryesuesen e Kuvendit Komunal të Gjilanit). Sot gratë asambleiste këtu bëhen bashkë, duke u thirr në të drejta të barabartë dhe hapësira të reja për gratë në biznes, politike e kudo tjetër, por po harrojmë cfarë na ndodhi 2 muaj më parë në këtë Kuvend. Në vend që të vazhdojmë me traditën e vjeter që Kuvendet komunale të udhëhiqen nga gratë, në garen për kryesues Kuvendi, pikërisht nga gratë nuk u lejua zgjedhja  e kryesues grua. Andaj, vlerësoj se duhet të jemi këtu për t’u gëzuar për sukseset e njëra-tjetrës, e jo të pamundësojmë pozita të tilla për inate politike. E mira është që kemi një nënkryetare grua, që besoj se do e përfaqësoj gruan gjilanase në politikë ashtu sic e meriton ajo.
Për t’u kthyer krejtësisht në institucionet lokale, them se është e rrugës, që si gra asambleiste të kemi zyren tonë ku do t’i mirëpreism gratë në kohë të caktuara për të adresuar kërkesat dhe hallet e tyre. Kaq mund të bëjmë. Të thirremi në barazi gjinore duke i dhënë hapësirë grave të përfitojnë në grante dhe subvencione të fushave të ndryshme, e sidomos grave në biznes, që pas pandemisë me zor mbajnë aktive binzeset e tyre. është për kënaqësi, kur shikon nëna të zonja sot, që për të mos e thelluar krizën financiare të familjeve të tyre, me duart e tyre të arta bëjnë ushqime nga më të mirat dhe i shesin ato. Këto nëna e keto gra duhet të urohen dhe të vlerësohen për punën që bëjnë, por edhe të përkrahen. Le të veprojë Komuna duke ndarë fonde të vecanta për këto gra në biznes dhe për gratë e tjera. Besoj shumë, se shumë më shumë se fjalët janë veprat konkrete në këtë rast, andaj ftoj kryetarin e Komunës të jetë i gatshëm për përkrahje të tyre.
Sot, duke qenë se marsin e kemi muaj të lavdisë kombëtare, si 24 vjecare e lindur në kohën më të veshtire para luftës së Kosovës, në 24 vjetorin e Epopese se UCK-se, ndjej krenarinë më të madhe që një vajze shqiptare mund ta këtë, për ata burra e pleq, ato gra e fëmijë të familjes Jashari, dhe gjithë dëshmorëve tjerë që vdiqen dhe u sakrifikuan deri në vetmohim për kombin tonë.
Shfrytëzoj këtë moment sot, që t’i uroj të gjithë mësuesit e mësueset, profesorët e profesoreshat e komunës sonë, e sidomos mësuesin tim të parë Shefki Bajrami, për ditën tyre të shënuar 7 Marsin, duke i falënderuar nga zemra që në kohë të mira e të vështira të popullit tonë i bënë ballë cdo gjëje për edukimin e mësimin e brezave të rinj.
Sot, në këtë ditë ndërkombëtare të gruas, dua t’i uroj të gjitha gjyshet së bashku me dy gjyshet e mija, e tju them se ju jeni dhe keni qenë themel i edukatës në shtëpite e tona, e t’ju them gjithashtu se jeni gjenerata e fundit që keni lejuar të shtypeni nga familjet e juaja, duke ju mohuar edhe e drejta e shkollimit, vetem se keni qene vajza. Sot dua ti uroj te gjitha nenat e grate, e nga zemra edhe nenen time, qe thyen tabute në kohën e tyre dhe filluan të shkollohen e punësohen, me barriera të shumta rrugës, por qe ia dolën.
Më së shumti dua t’i uroj dhe motivoj vajzat e reja, të gjitha pa dallim, që të vazhdojnë të punojnë fort për ambiciet e tyre, të mos shohin asnjë gur që iu del në rrugë e nëse e shohin të largojnë e të vazhdojnë, për aty ku duan e ëndërrojnë. Të marrim shembullin e Dua Lipes, Rita Ores e Bebe Rexhes, Uta Ibrahimit e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e gjithë atyre vajzave që imazhin e vendit të vet e quan në nivelin më të lartë të mundshëm.
Gjithashtu, duke qenë se jam një vajzë e re e përfshire në politike, as për mua dhe për askënd tjetër s’ka qenë e lehte arritja deri në këtë ulëse, por jam motivuar nga gra politikanë më herët, e hapësira më është krijuar si nga burrat edhe nga gratë në këtë parti.
“Një demokraci më e mirë është një demokraci ku gratë nuk kanë vetëm të drejtën të votojne dhe të zgjedhin, por edhe të jenë të zgjedhura”, andaj sikur partia jone, ashtu besoj që edhe cdo parti tjetër, hap dyert për vajza e gra që duan të bëhen pjesë e jetës politike në vendin tonë, duke synuar përfundimisht një barazi gjinore në politike dhe cdo sferë tjetër të jetës.
“Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe të drejtat e njeriut janë të drejta të grave, njëherë e përgjithmonë”

You Might Also Like