Shkruan: Nehat Osmani
* Në një qeverisje njëvjeçare të pushtetit lokal dhe të kryetarit aktual, që në të vërtetë ishte pa qeveri në gjysmën e periudhës së saj, e paqeverisur përgjatë kohës dërrmuese të saj, e keqqeverisur në pjesën më të madhe të saj, s’ka se si të mos ketë dhe përmbylljen njëvjeçare kaotike të saj.
Duke qenë të tillë, pushteti është përvetësuar nga pushtetarët dhe vartësit e tyre, përderisa qytetarët gjithnjë e më të varfëruar po shtypen gjithnjë e më shumë, po injorohen e përbuzen gjithnjë e më tepër, në mënyrë që gjithnjë e më pak të mund të pyesin për të drejtat e tyre individuale dhe politike, për transparencën e pushtetit, për kualitetin e jetesës qytetare, për rolin e tyre në vendimmarrje, për paranë e tyre publike.
* Në një qeveri ku bartësit e institucioneve në të vërtetë janë kryebartësit e krimeve dhe krerët e keqpërdorimeve, nuk ka mundësi të jenë njëkohësisht dhe bartësit e ideve dhe ideatorët e zhvillimit ekonomik, kulturor, shoqëror të komunës. Mund të jenë, siq edhe ishin, vetëm uzurpuesit, degraduesit, shpërdoruesit e parasë publike, pronës publike, mendjes publike.
Kështu ishte edhe sot e këtyre ditëve, kur prokuroria themelore në departamentin për krime të rënda,kishte ngritur kallëzim penal kundër drejtorit të njërës nga drejtoritë më të rëndësishme në kabinetin Haziri, kështu ishte edhe një vit më parë, kur drejtorë e zyrtarë të lartë të drejtorive tjera të qeverisë Haziri ndiqeshin dhe dënoheshin nga prokuroria dhe gjykatat shtetërore.
Ky është profili më përshkrues i qeverisë komunale dhe vet kryetarit Haziri që karakterizoi vitin që kaluam. Qeveria e vendosur dhe e zgjedhur nga Haziri në të vërtetë është pasqyrë konkave që pasqyron drejtpërdrejt punën dhe mënyrën e qeverisjes të vet kryetarit Haziri.
* Vetvetiu na shtrohen pyetjet. A janë këto “duart e pastra” të qeverisjes së kryetarit Haziri?
Përgjigjen e presim nga ju e sidomos e presim nga pjesa më e madhe e qytetarëve.
* Në një qeveri ku bashkëqeverisen kaosi dhe klientelizmi, edhe ekonomik edhe politik, nuk ka mundësi që ata të nxisin e shtysin bizneset e ndershëm, ndërsa ndërmarrësit lokal të zhvillojnë e zgjerojnë veprimtaritë e tyre. Mund të jenë, siq edhe ishin përgjatë periudhës njëvjeçare, duke projektuar në vazhdimësi thellimin e marrëdhënieve të patronazhit në secilën pore të jetës,
Duke qenë të tillë, cilësia dhe qëndrueshmëria e investimeve kapitale, punëve të kontraktuara dhe shërbimeve në komunën e Gjilanit ishte në nivelin më të ulët të mundshëm, proporcional në raportin padron- klient. Por çmimi i këtyre pazareve si kësaj rradhe, si përherë, po shembej mbi kurrizin e qytetarëve dhe pasojat vazhdojnë t’i ndiejnë vetëm ata.
* Vetvetiu na shtrohen pyetjet. A është kjo qeverisja gjithëpërfshirëse e proklamuar e z.Haziri në fillim të këtij mandati ku do përfshiheshin subjektet kryesore politike, shoqëria civile ,OJQ-të.
Përgjigjen na e patën dhënë organizatat e shumta nga shoqëritë civile. Deklaratën e kryetarit Haziri e patën cilësuar si mashtrim dhe keqinformim i publikut. Patën thënë, shoqëria civile nuk mund të ketë edhe funksionin qeverisës dhe njëkohësisht joqeveritar. Qytetarët thonë, mashtrimin dhe keqinformimin e ka virtyt.
* Në një qeverisje të instalimit të hapur të nepotizmit, ku punësimi është i kushtëzuar, është i dirigjuar dhe është i kontrolluar, nuk ka mundësi që penelet e vendosura të vlerësojnë kriteret e shkollimit, aftësitë profesionale kualifikimet edukative të kandidatëve. Mund të vlerësojnë ashtu siq kishin vlerësuar edhe tash, model nga koha e komunizmit, me ngjyrën e librezës partiake, me përkatësinë familjare, ku fillimisht thirrin mbiemrin e pastaj emrin.
* Vetvetiu na imponohet pyetja. A është më i rëndësishëm kualifikimi profesional apo afërsia me punëdhënësin.
Përgjigjen do na japin shumë të rinj të dëshpëruar me shkollime superore që bredhin kafiterive të qytetit, shumë punëtorë me kontrata në vepër, të tjerë me kontrata të skaduara, shumë të tjerë nga rradhët e gjata të pritjes.
* Në një qeverisje të kundërthënieve e kontradiktave, kur mirëqenia e qytetarëve matet me numrin dhe madhësinë e mirënjohjeve personale të kryetarit Haziri nga organizata e personalitete fantome, enigmatike, të trumbetuara në mënyrë pompoze, që dalin sheshazi më vonë të jenë të porositura, të jenë të blera, të jenë të manipuluara, s’ka se si të mos kishin nxitur me të drejtë reagimet e subjekteve opozitare dhe të shumë qytetarëve të Gjilanit. Madje kishin detyruar dhe demantimin e vet ambasadës amerikane si lajm manipulativ dhe i pa vërtetë, i donuar nga një ish zyrtari i saj intrigues. – Kur prosperiteti i qytetit të Gjilanit matet me proklamimet false të Gjilanit si “Qytet i bardhë”, “Qytet i paqës”, e ndërsa qytetarët e saj helmohen dhe nuk hetohen, nga ushqimet e prishura dhe të pakontrolluara, .e ndërsa kaosi urbanistik i qytetit reflektonte gjendjen reale të qytetit dhe jo gjendjen çfarë pushtetarët dëshirojnë ta shfaqin.
* Pyesni ata si ndjehen, si ushqehen, si mbijetojnë,.fëmijët e tyre, familjet e tyre. Rrugëtoni dhe shëtisni rrugët e Gjilanit, do shihni “bardhësinë dhe paqen”(nën thonjëza), fytyrat e nxira të qytetarëve të Gjilanit. Do kuptoni si duket qyteti më i ndotur në Kosovë
Nga pikëpamja e tyre, qeveria Haziri mendojnë se Gjilani ka ndryshuar sepse ata kanë ndryshuar vetveten, e kanë shtuar luksin e tyre dhe kanë ndryshuar standardin e familjeve të tyre. Ata mendojnë se Gjilani ka ndryshuar sepse gjatë qeverisjes së tyre aq shumë kanë demoluar Gjilanin sa që besojne se asnjëherë s’do mund ta ndryshojnë të tjerët për së mbari. Por nga pikëpamja e qytetarëve ne kemi nevojë t’i ndryshojmë vet ata, ta ndryshojmë tërë Gjilanin.
* Në një qeverisje ku projektet e reja janë projekte të vjetra, ku inaugurimet e reja barten nga premtimet e përsëritura, ku kontratat e nënshkruara plotësohen me anex kontrata në pambarim, s’ka se si të presim përfundimin e ndonjë objekti madhor.
Halla e sporteve në Zhegër sipas paralajmërimeve është dashur të përfundoj, ndërsa së fundmi mund të shihen vetëm disa centimetra të armaturës mbi borën që ka mbuluar gërmadhat.
Në kryeqytetin e futbollit ka nisur renovimi i stadiumit që gjithashtu është dashur të përfundoj, në kohën kur të tjera qytete të Kosovës kanë përfituar projekte të stadiumeve olimpike, ndërkombëtare, të stadiumeve të reja, ne harrnojmë. Por edhe si të tillë, të ndërtuar në mes të zonës së banuar, pa rrugë, pa parkingje, pa siguri emergjence, dy klubet tona, ndër më të mëdhat në Kosovë, për shumë kohë nuk duket në horizont se do ta kenë në shfrytëzim të plotë.
* Vetvetiu na lind pyetja. A është kjo “toleranca zero ndaj operatorëve ekonomik të pandërgjegjshëm”
Përgjigjen do e kërkojmë te sportdashësit e shumtë të Anamoravës, punëtorët sportiv dhe vet sportistët, te qytetarët e saj.
Mirëqenia e qytetarëve, brengat dhe hallet e tyre janë aq të parëndësishme për kryetarin Haziri sakaq i duket i panevojshëm ardhja e tij në seancat e kuvendit, sakaq me sarkazëm kërkonte ta lirojmë nga ky obligim kushtetues. Sepse ai dhe partia e tij i kanë numrat, i kanë satelitët dhe patericat e tyre
* Por a është më e rëndësishme arroganca e numrave apo ideja, apo argumenti, apo thelbi.
Do na e thonë ata që ngrisin e ulin dorën sa herë u kërkon padroni dhe ata që kur hyjnë nga brenda harrojnë kush i futi dhe delegoi.nga jashtë.
* Në një qeverisje ku mbytet kultura e sporti, rinia ndihet jetim e shoqëria e paralizuar, ndërsa pushteti është i falimentuar.
Zhvillimi normal i aktiviteteve të aktorëve profesionist në teatrin e qytetit është i nënvlerësuar, sakaq 5 muaj të pagave edhe mëtej mbesin të pashlyera dhe për 12 aktorët rezident që mbajnë gjallë teatrin, edhe përkundër premtimeve të shumta zgjedhore, nuk ka vullnet të sigurohen paga të rregullta.
Sikundër që mbijetesa e shumë klubeve sportive në mungesë të kujdesit institucional ka vënë në sprovë shuarjen e plotë të tyre siq janë KB”Drita”, klubi i karatesë, i pingpongut etj, rrjedhimisht edhe karrierat sportive të shumë të rinjëve janë pa perspektivë, përfshirë individët e jashtëzakonshëm që i sjellin komunës sonë suksese dhe lavdi të pakrahasueshme.
Prandaj ata kërkojnë largimin, të rinjtë e Gjilanit, sportistët, artistët, largohen sepse kërcënohen nga padrejtësitë, largohen nga skamja e papunësia që u vie nga pushteti dhe politikat e tyre, nga paperspektiva.
Pushteti është i falimentuar edhe kur tentohet të përligjen shkelësit e ligjit, edhe kur dhunohen procedurat ligjore dhe më pas synohet të legjitimohen brenda seancave të kuvendit, ku krimet ekonomike sillen për shqyrtim e legalizim të situatave të krijuara nga bartësit e pushtetit, dhe kjo po i ndodh kuvendit të Gjilanit
Këto janë përballjet e LVV në legjislacionin më të lartë komunal, kundër koalicioneve joparimore, kundër mbivotimit të mazhorancës, satelitëve e patericave të saj pa identitet.
Këto janë persiatjet e LVV në përpjekjet e saja për të përfaqësuar interesat e qytetarëve në mënyrë sa më të denjë
Të vetëdijshëm se edhe në të ardhmen do ndeshemi dhe ballafaqohemi me padrejtësi të reja ,me shkelje, manipulime e mashtrime të reja, malverzime e keqpërdorime, NE në LVV jemi të vendosur të bëjmë luftën tonë por do bëjmë edhe luftën për njerëzit që s’luftojnë dot për veten.