Gjilan

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” u përurua kabineti i robotikës

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” është përuruar kabineti i robotikës, që është donacion i Republikës së Turqisë, gjegjësisht i popullit të Turqisë nëpërmjet Këshillit Turk, që siç është thënë në këtë përurim deri më tashti në mbarë Kosovën ka realizuar 375 projekte, kryesisht në arsim dhe në teknologji.

Këto projekte po realizohen edhe falë ushtarëve turq të KFOR-it, i cili kësaj radhe ka përzgjedhur Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, për të realizuar kabinetin e robotikës, si një projekt shumë të rëndësishëm në fushën e arsimit. Është ky një kabinet i kompletuar, i cili është financuar nga Republika e Turqisë.

Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se jemi bashkë në këtë moment përurimi të Kabinetit të Robotikës për të konfirmuar bashkëpunimin e ndihmën miqësore të Republikës së Turqisë, kësaj radhe përmes KFOR-it, për Republikën e Kosovës, qytetin e Gjilanit e gjimnazin tonë.

“Është kjo ndihmë e mbështetje e jashtëzakonshme për nxënësit tanë, të rinjtë tanë për rritën e përsosjen profesionale në fushën e teknologjisë. Ndihmë dhe bashkëpunim të këtillë Gjimnazi ynë ka pasur vazhdimisht nga Republika e Turqisë, qoftë përmes Ambasadës, KFOR-it apo oganizata joqeveritare, prandaj duam të shprehim gjithë mirënjohjen e falënderimin për mbështetjen e ndihmën e vazhdueshme me besimin se ky bashkëpunim i vendosur mbi baza të shëndosha në kërkim të dijes e suksesit do të vazhdojë e thellohet edhe më tej”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa, që ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti e që është edhe një hapje e dreitares së dijes.

Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit, në emër të kryetarit të komunës Alban Hyseni, ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar dhe sidomos për miqtë turq, të cilët po japin kontribut në të gjitha fushat e sidomos në atë të arsimit.

“Me këtë kontribut do të bëhet punë më profesionale dhe në hap me kohën. Në Gjilan të gjitha shkollat kanë patur përkrahje ne Republika e Turqisë, kurse pikërisht kjo shkollë ku keni investuar ka treguar shumë suksese e për mua është gëzim i dyfishtë, ngase edhe vetë kamë dhënë kontribut në këtë shkollë për më tepër se 24 vite.

Komandanti i Forcave Turke të KFOR-it, Zafer Saglam, ka përshëndetur në emër të ushtarëve të KFOR-it dhe ka thënë se po hapet një dritare e re e dijes, ku do të zhvillohet imagjinata e nxënësve, puna kreative, informatat e reja dhe robotikës dhe se edhe në të ardhmen do të vazhdohet në projekte në fusha të arsimit.

Edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka thënë se Kosova është shtet mik i Turqisë dhe se është e natyrshme që miqtë të mbështesin njëri-tjetrin e shumë janë të rëndësishme investimet në fushën e arsimit, ngase invesimi më i madh për një shtet është investimi në fushën e arsimit, në gjeneratat e reja që janë e ardhmja e një vendi.

Më pas Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Komandanti i Forcave Turke të KFOR-it, Zafer Saglam kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe më pas të gjithë pjesëmarrësit kanë vizituar kabinetin e robotikës, ku është prerë shiriti i këtij kabineti të ri dhe shumë të rëndësishëm. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like