LAJME

Nexhmedin Bunjaku, gjyqtari që shtatë herë u mor në polici

Përkundër këtyre arrestimeve ai asnjëherë nuk e kishte ndalë veprimtarinë, bile kur kishte marrë urdhër që të lajmërohet në polici, ai në vend të kësaj kishte shkuar në ndeshje ku ishte caktuar për të ndarë drejtësinë dhe sërish aty ishte arrestuar nga policia.

Në kohën e padrejtësive më të mëdha që i bëheshin shqiptarëve, Nexhmedin Bunjaku kishte zgjedhur profesionin për të ndarë drejtësi në fushat e futbollit. Në këtë mision të tij të shenjtë, atë nuk e kishin ndalur as kërcënimet e arrestimit, as kushtet e rënda nën të cilat vepronte futbolli kosovar nën okupim e asgjë tjetër.

Nexhmedin Bunjaku, karrierën prej gjyqtari të futbollit e morri atëherë kur ishte më së rëndi dhe tashti kur kaluan më shumë se dy dekada nga ajo kohë, ai kujton ato kohë të vështira. Për veprimtarinë e tij, ai shtatë herë ishte arrestuar nga policia, dy herë në Drenas e ishte arrestuar edhe në Terrn, Varosh të Ferizajt, në Stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, në Vushtrri dhe në Stadiumin e Sadovinës, por përkundër këtyre arrestimeve ai asnjëherë nuk e kishte ndalë veprimtarinë, bile kujton kohët kur kishte marrë urdhër që të lajmërohet në polici, e ky në vend të kësaj kishte shkuar në ndeshje ku ishte caktuar për të ndarë drejtësinë dhe sërish aty ishte arrestuar nga policia.

Pos ndarjes së drejtësisë, Nexhemidin Bunjaku kishte një karrierë të pasur prej futbollisti, duke kaluar nëpër të gjitha gjeneratat e klubit të atëhershëm të Gjilanit, KF Crvena Zvezda e më pas duke qenë edhe futbollist i Dritës së Gjilanit deri në vitin 1989, kur ndërpreu karrierën prej futbollisti, për të veshur petkun e gjyqtarit të futbollit, kohë kur ai barti barrën e ndarjes së drejtësisë në shumë kryendeshje që zhvilloheshin atëherë, nëpër gjysmëfinale e finale të kupave.

“Edhe pse vazhdimisht ndiqeshim nga policia serbe dhe arrestoheshim, mua asnjëherë nuk më ka shkuar mendja që të ndërpres veprimtarinë në futbollin tonë të pavarur dhe me vullnet kam punuar deri në vitin 1998, kur lufta kishte marrë hov”, thotë Nexhemdin Bunjaku, dikur futbollist e gjyqtar futbolli, po që edhe tashti ushtron aktivitetin e tij në futboll, në Holandë ku tashti jeton bashkë me familjen.

Bunjaku iu gëzua  shumë ditës kur futbolli kosovar u pranua ndërkombëtarisht, por duke qenë edhe vetë i kyçur në futbollin evropian dhe duke njohur rrethanat nga afër, ai thekson se asnjëherë nuk ka besuar që pas rrymimit lirshëm të futbollit kosovar, ta shoh futbollin e këtij vendit të degraduar në atë masë.

You Might Also Like