Gjilan

Një shembull i mirë nga banorët e lagjes “Qemal Stafa”

Sot, një grup banorësh të lagjes ndërmorën një aksion të vogël, por me një mesazh të madh qytetar. Ata pastruan hapësirën përgjatë rrugës “Qemal Stafa”, përballë palestrës sportive nw Gjilan, duke dëshmuar se kujdesi për mjedisin dhe hapësirën ku jetojmë nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por edhe përgjegjësi e secilit prej nesh.

Siç ka theksuar Fadil Ademi, këshilltar komunal, ky veprim, ndonëse i thjeshtë, ka një vlerë të veçantë për lagjen dhe për të gjithë qytetarët. Ai tregon se kur njerëzit bashkohen dhe japin pak nga koha dhe energjia e tyre, ndryshimi mund të jetë i dukshëm.

Shembulli i këtyre banorëve meriton respekt dhe, mbi të gjitha, të ndiqet edhe nga të tjerët. Le të bëjmë të njëjtën gjë në lagjet dhe fshatrat tona, duke u kujdesur për hapësirat publike, duke ruajtur natyrën dhe duke mos hedhur mbeturina vend e pa vend.

Një qytet i pastër dhe i bukur nuk ndërtohet vetëm me projekte të mëdha. Ai fillon nga rruga jonë, lagjja jonë dhe hapësira që kemi pranë shtëpisë.

You Might Also Like