
Kryetrajneri i ekipit Ardian Nuhiu është paraqitur në konferencën për shtyp para mediave për të folur për duelin e radhës kampional ndaj Prishtinës.
Tekniku i “kuqebardhëve” është shprehur pozitiv për grupin që ai drejton, pasi që kjo ndeshje do të tregojë personalitetin dhe karakterin e tyre të fortë.
“Skuadra është e përgatitur për sfidën e radhës. E bashkuar, e motivuar për të treguar personalitet dhe karaktert të fortë. Përballë kemi Prishtinën, një ekip që ka kualitet dhe një mënyrë loje të cilën e kemi studiuar dhe mua së bashku me grupin na mbetet t’i mbyllim pikat e tyre të forta, por do të përkushtohemi më tepër te loja jonë. E dijmë që do jetë një përballje e luftuar, pasi që është e rëndësishme si ndeshje, po aq edhe pikët”.
Nuhiu është pyetur për takimin e shkuar ndaj Malishevës, të cilën të besuarit e tij e humbën në mesjavë, por sipas teknikut të gjilanasve tashmë gjithçka është e shkuar dhe se energjitë janë të fokusuara për ndeshjen ndaj Prishtinës.
“Ndeshjen e kaluar e kemi lënë prapa pasi që nuk kemi kohë energji. Na duhen energji të reja për takimin e radhës dhe pres një reflektim nga skuadra ime”.
“Gabime janë njerëzore. Ne si skuadër fitojmë së bashku, ndërsa kur humbim jemi më të bashkuar se kurrë për të reflektuar te ndeshja e radhës. Humbja na ka mërzitur dhe mërzia të qon në nxitje dhe unë e shoh dhe besoj fuqishëm se futbollistët mezi po e presin takimin e radhës të reflektojnë dhe të rikthehemi në rrugën në të cilën ishim”.
Nuhiu ka folur për grupin dhe mungesat me të cilat po përballet në ndeshjet e këtij stinori, mirëpo pret dhe beson tek gjithësecili që do të futet në fushën e lojës për të kontribuar.
“Nuk do të dorëzohemi në asnjë moment. Çdo ndeshje e ka rëndësinë e vet, çdo pikë është e rëndësishme. Kam besim te grupi për duelin e nesërm, por duhet të luftojmë dhe të sakrifikojmë shumë nga vetja për të arritur atë të cilën duam të arrijmë”.
“Mungesa për këtë takim janë Robert Rrahmani, Endri Reçi dhe Leon Miftari, të cilët janë në fazën e rehabilitimit nga lëndimet e pësuara më parë. Për këtë ndeshja na bashkohet Armend Thaqi, i cili kishte munguar ndeshjen e kaluar për shkak të kartonëve”.
“Çdo futbollist është i rëndësishëm dhe padiskutim që po na mungon kualiteti i Robert Rrahmanit. Besoj që pas pushimit të kombetareve do ta kemi të gatshëm për të na ndihmuar”.
Në fund kryetrajneri Nuhiu ka patur edhe një mesazh për tifozët, nga të cilët pret mbështetje për duelin e nesërm.
“Pres mbështetjen e tifozëve, pasi që këta futbollistë kanë nevojë për mbështetje. Jemi në një luftë së bashku dhe mbështetja e tifozëve është më se e domosdoshme, sidomos në këtë fazë”.
Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 14:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.