Gjilan

Profesori Mehmetali Rexhepi me dedikim të veçantë për prof. dr. Kemajl Kurteshin

Që nga sot një dhimbje i shtohet familjes Kurteshi në Gjilan! Dhimbja merr shtrirje dhe iu shtohet më të afërmëve, miqëve, dashamirëve, studentëve, mjedisit akademik, qytetarëve të Gjilanit, të cilit i përkiste i ndjeri Profesor Doktor Kemajl Kurteshi! Me urtësinë, mençurinë, afrinë dhe përgatitjen profesionale-etike, njerëzore e kombëtare Kemajl Kurteshi iu përkiste të gjitha shtresave shoqërore. Kemajl Kurteshi si vetëdije qytetare u ngrit mbi mjegullat e foklorizmit dhe të provincializmit; ai kishte qasje moderne në mendime, në reagime ndaj ngjarjeve të natyrave të ndryshme. Për rrjedhat shoqërore politike te ne Kemajl Kurteshi kishte vizion më të gjerë se mendësia provinciale, partiake ose klanore. Ai arriti që të akumulonte një diapazon të begatshëm e të përgjithshëm intelektual antidogmatik, kulturë komunikimi e ndikimi për të mirën, për të drejtën, për vërtetën, për lirinë, për vlerat çlirimtare dhe kombëtare. Me këto karakteristika që kishte Profesor Kemajl Kurteshi, do t`i mungojë institucionit akademik, kulturës qytetare e shtetndërtuese të bashkëqytetarëve të Gjilanit dhe më gjerë në shqiptari. Besoj, megjithatë Kemajl Kurteshi e la modelin e vet në breza: si njeri, si ligjërues, si arsimdashës, si shok e mik i mirë, si atdhedashës! Lamtumirë Profesor Kemajl! Fanari i dritës tënde kurrë mos u fiktë!

You Might Also Like