Libri

QARTËSOHET ANALOGJIKISHT KUPTIMI I GJYKATËS SË PROCESIT TË FRANC KAFKËS

Sherafedin KADRIUM
QARTËSOHET ANALOGJIKISHT KUPTIMI I GJYKATËS SË PROCESIT TË FRANC KAFKËS
(Unë dhe ekzistencializmi në rininë time dhe sot).
Është e vërtetë se romanin e Franc Kafkës, Procesi, e kam lexuar qysh si gjimnazist. Dhe, kur po bisedoja me profesorin e Letërsisë, atëherë vetëm për përmbajtjen bisedonim, i them se për mua ngjarja është teknike, e pabesueshme. Më qartë: Faktet nuk më bindin se bëhet fjalë për një ngjarje reale. As mendimet dhe veprimet e të akuzuarit, as veprimet e akuzuesve të cilido rang qofshin, as njerëzve që nuk lidhen drejtpërdrejt me Gjykatën, as përshkrimi i ambientit, le të jetë zyre, apartament, kishë, rrugë, lagje
Profesori ma kujton se jemi në letërsi dhe se fjala është për trillim.
Ndahemi. Ai mbetet i kënaqur se më sqaroi gjënë kryesore të letërsisë, unë se e binda profesorin se më sqaroi. E vërteta ishte ndryshe. Unë nuk isha bindur. Po nuk dija ta shpjegoja atëherë moskuptimin…
Tani po e them me fjalët e Borhesit: Në letërsi nuk tregohet e vërteta e fakteve, por e vërteta e ëndrrave, thotë Borhesi pra. Dhe, për mua pikërisht e vërteta e ëndrrave më mungonte. E vërteta e ëndrrave ishte jo e vërtetë. Unë nuk kam kërkuar fakte historike, por imagjinatë të vërtetë. Dhe, ajo imagjinatë më mungonte. Mënyra e organizmit të procesit gjyqësor ishte ndryshe për aq sa unë kisha njohuri.
Shkurt – ngjarja e romanit Procesi duket kështu:
Jozef K., nëpunës i një banke arrestohet nga dy policë. Pa ndonjë akuzë! Po, po. Pa ndonjë akuzë . As vetë Jozef K., e as unë nuk dinim për ndonjë akuzë. Askush nuk e thoshte. Prandaj, K. nuk e pranon procesin sepse nuk e ndjen veten fajtor. Edhe unë me të jam, edhe sot. Gjatë tërë atij procesi gati kemi qenë bashkë. Është fjala për proces gjyqësor. Megjithatë, më vonë merr një avokat për t’u mbrojtur dhe paraqet argumente se është i pafajshëm. Koha kalon, një vit procesi dhe proces i papërfunduar. Prisja të ndërmerrte diçka më shumë. Jo. Ai ishte kundër procesit, por respektonte strukturat hierarkike të cilat kishin nisur procesin, e zbatonin atë. Unë isha kundër pranimit të fatit që ta shkruan makineria e pushtetit…
Ky qëndrim që beson në pafajësi para hierarkisë së makinerisë vrasëse, është i gabuar Jozef K! Prandaj, këtu ndahen rrugët tona. Mund të mbetesh vetëm, dhe kështu do të përfundosh. Jam i sigurt. Kujt po i beson më thuaj?
Dhe qe: një natë, në një gurore të braktisur, dy policë gjykate e vranë Jozef K. Ia ngulin një thikë në zemër, ndërsa këtë përfundim, vetë Jozef K. e përshkruan me shprehjen e fundit që nxjerr nga goja për të gjallë të tij: si një qen. Rrëfimtari ka shtuar edhe: dukej sikur trupi do të mbijetonte pas tij. Këtu mbyllet romani.
Logjikshëm që duhet pakëz më shumë sqarim për të interpretuar më mirë kuptimin e romanit.
Po dua të shtoj se këto ditë e lexova sërish këtë roman tërheqës, edhe për kureshtjen time, edhe për një varg pyetjesh që po më silleshin në kokë, e mos i sqaroja vetes sime!!!
Isha pak pa e përfunduar leximin e tërë romanit, kur si rastësi, pashë një shkrim të gazetares Rudina Xhunga në Portalin e të përditshmes TEMA, me titull: Pse u arrestua për llogari të Hagës, Dritan Goxhaj në Tiranë! Dhe në vend të pikëpyetjes që do të merrte fjalia e tillë, ajo shoqërohet me pikëçuditje. Si vetë problemi!!!
Vetëm sa për njoftim të domosdoshëm: Dritan Goxhaj së bashku me babën e tij, kolonel Dilaver Goxhaj, ishin futur vullnetarisht në radhët e UÇK për të luftuar për çlirimin e Kosovës.
Tani, Dritani ftohej nga Gjykata Speciale në Hagë.
Dhe konstatimi i gazetares profesionale mbështetur në dokumentacionin juridik: Ende nuk dihet akuza.
Kur kujtova disa gjykime të përcjella, mënyrën e pyetjeve, sjelljen, hierarkitë, dukjen në sallë, shkëlqimin e rremë, rreshtimin etj. – nuk e di, po mua m’u duk se Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë qenka e vërteta e Gjykatës së Procesit të Kafkës.
Askujt nuk po i kërkoj që të mendojë si unë. Njëmend askujt. Por, kushdo që mendon si unë, e di se e ka lexuar Procesin e Kafkës për dëshirën e tij.
Mund të dalë ndonjë shkrimtar i tipit të Kafkës a Kamysë, e pse jo?, – të komunikojë me lexuesin nëpërmjet monumentit që do ‘i ngrinin esencialisht një gjykate, si kësaj të Hagës. Pse të mos e zhvesh pakëz, mos e vesh desha të them, bile për ndonjë element se jo tërësinë e krejt asaj që përfaqëson ajo.
Kush e di si u ngrit? Se ishte dikush i fshehtë që ka vendosur duke tejkaluar hierarkitë e pushteteve të vendeve më të fuqishme botërore, s’ka asnjë dyshim.
Nuk mund të jetë ndryshe.
Mendoni për këtë fakt: E vetmja gjykatë në botë që nuk gjykon aktakuzën për të cilën është formuar. Aktakuza ka rënë moti kohë…
Tashmë është dëshmuar: Nuk ka transplantim organesh. Aktakuza ka rënë… Një ditë dikush mund ta ketë emrin e personazhit në ndonjë Proces të ri, në ndonjë Kafke të ri. Në mos sot, mundet pas dhjetë, njëzet, a pesëdhjetë vitesh. Mundet, mundet sepse ekzistencializmi është human. Të jesh human d.m.th. të jetosh!
Zoti im!
Shumë sinqertë, romani Procesi i Franc Kafkës sot nuk më paraqet farë absurditeti. Përkundrazi, erdhi kjo ditë e e pashë të vërtetën. Kadare e ka thënë më mirë, dihet: Ra ky mort e u pamë!
Ua, çfarë qartësie se!!!!
• E para, ekzistencializmi nuk është drejtim letrar reaksionar, siç e shpjegon Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe
• E dyta, ekzistencializmi nuk vë përballë individin me shoqërinë
• E treta, shoqëria nuk është makineria udhëheqëse e hierarkive të caktuara shtetërore
• E katërta, hierarkitë udhëheqës nuk janë vetëm gjykatat, po aty hyjnë edhe nivele të tjera përcaktuese mbi gjykatat dhe nën gjykatat.
• E pesta, sa më i lartë niveli, aq më i panjohur
• E gjashta, me hierarki udhëheqjesh të tilla, juridike në radhë të parë, përballet individi i Kafkës, Kamysë, Sartrit e të tjerëve ekzistencialistë.
• Edhe njëherë më dukshëm: Ekzistencializmi letrar është humaniteti vetë
Prandaj, mëso nga ekzistencializmi letrar se Ta kesh një proces, do të thotë ta kesh gati të humbur.
Mëso se mund të fitosh nëse nuk e pranon këtë mendim: Organizimi i madh gjyqësor, mbetet i tillë përjetësisht dhe nuk përmirësohet prej teje: nëse mendon të ndryshosh diçka, është njëlloj sikur ke rrënuar tokën nën këmbë, dhe mund të biesh vetë brenda sepse organizimi i madh gjen zgjidhje për gjithçka dhe mbetet përherë i pandryshuar, madje mund të bëhet edhe më i mbyllur, më i thukët e më i ashpër.
Mëso ta kuptosh përditshmërinë tonë se Teksti (ngjarja) nuk mund të ndryshohet, kurse opinionet janë vetëm shprehje e dëshpërimit.
Mëso të dish se kultura e besimit letrar është shumë larg nesh, ndërsa në Pragë, qysh në jetën e Kafkës ishte një veprim prekës që s’e lanin dot as biletat e teatrit.
( Gjilan, fillimigushti 2023 )

You Might Also Like