Gjilan

Riza Abdyli largohet nga PDK

Të nderuar dhe shumë të respektuar bashkëpunëtorë, anëtarë, votues të PDK-së, dega në Gjilan dhe ju përkrahës të mi që më përcollët në aktivitetin tim të vazhdueshëm në PDK duke më besuar edhe votën tuaj për t’ju përfaqësuar.

Gjëja më e vështirë qenka të gjej mënyrën për të deklaruar diçka të padëshirueshme për mua dhe në të njëjtën kohë për ju të cilëve u drejtohem me këtë deklaratë.

Pa dashur ta dëmtoj partinë, as të shkel mbi besimin tuaj, kam vendosur të dorëhiqem nga të qenit anëtar i PDK-së, dega në Gjilan, për shkak të mospajtimeve që kam për nëpërkëmbjen e partisë nga disa individë të cilët partisë i kanë sjellë vetëm denigrim dhe degradim, me lojën e tyre oportuniste, të cilët në PDK kanë parakaluar vetëm për qëllimet e veta meskine, vetëm kur ajo ka pasur qasje në sadopak pushtet.

Në pamundësi për t’i ndaluar këto abuzime dhe saktësisht mosrespektimin e anëtarëve kontributdhënës në parti, kur hapen mundësitë për angazhimin e tyre, duke emëruar njerëz të jashtëm, për interesa personale, jam i detyruar të mos e ndaj turpin me ta.

Të them po dorëhiqem nga dega e PDK-së në Gjilan, i bie të tërhiqem nga puna dhe kontributi im disavjeçar në këtë parti, dhe të quhet e zhbërë çdo punë e imja aty duke dalë pa asnjë meritë. Një i painformuar mund të keqkuptonte ose ta kuptonte këtë si një revansh për qëllime personale apo të panjohura.

Unë për këto 18 vite në PDK, përherë i kam dhënë PDK-së dhe konfliktin e kam me ata që i kanë marrë dhe duan t’i marrin.
Andaj më e drejta në këtë rast do të ishte të kuptohej që unë refuzoj të vazhdoj me këtë mentalitet të pandryshuar, me qasje joparimore e korruptive të udhëheqjes së partisë, duke shpërfillur statutin e partisë, duke anashkaluar kryesinë e partisë në marrjen e vendimeve, e duke anashkaluar edhe anëtarët e partisë në emërime.

Anëtarëve, aktivistëve dhe votuesve të PDK-së u them se kjo nuk është PDK të cilën e votuat.

E bashkëpunëtorëve në PDK që kjo nuk është PDK për të cilën kemi kërkuar votën, as për të cilën jemi votuar.

Kjo është PDK për të cilën e humbëm votën. Kjo është hija e keqe e PDK-së.

Duhet të ndryshohet kjo mendësi, këta njerëz profiterë.

E di që i kam “turpëruar” me sukses në zgjedhjet e 2017, ku kam marrë vota sa dy herë vendi i dytë. Sa dy-tre prej tyre, që e keqpërdorin sot partinë. Edhe më keq, sa 5-6 shokë të tyre që as nuk arrijnë të zgjidhen në asamble.
Për këtë i falënderoj votuesit që më mbështetën dhe i garantoj që edhe në këtë rast jam në krah të tyre, në interesin e tyre.

Një votues besnik, dashamir i PDK-së, do të pyeste me të drejtë nëse kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur përbrenda PDK-së. Por kjo nuk qe e mundur me gjithë thirrjet dhe paralajmërimet që kam bërë. Gabimet po ndodhin.
Andaj, sipas një këshille që më ra ta lexoj këto ditë, mënyra më e mirë për t’i treguar dikujt që nuk bindet se është gabim, është ta lësh të gabojë.
Duke mbetur me besim të plotë një votues i PDK-së, falënderoj nga zemra të gjithë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët, ata që ia deshën dhe ia duan të mirën PDK-së, ata që më ngritën e më mbështetën në aktivitetin tim të gjatë në parti. Në mungesë dhe me keqardhje, falënderoj edhe dy liderët tani të privuar nga liria, Thaçi dhe Veseli, të cilët më nderuan me përgjegjësitë dhe besimin që ma dhanë gjatë kësaj kohe, në disa procese që kaluam si parti.

Vetëm për një gjë më vjen keq. Që largohem në një kohë kur z.Thaçi dhe z.Veseli nuk janë këtu. Gjë për të cilën, besoj se ata prej të cilëve po detyrohem të largohem, është e mirëseardhur. Siç thotë shprehja “Kur mungon Luani, edhe Majmuni behet mbret”.

Me këtë rast, një falënderim të veçantë edhe për mikun dhe kryetarin aktual të PDK-së, z. Memli Krasniqi, me të cilin patëm rast të punojmë për vite me radhë.

Uroj ditë të mira për PDK-në në Gjilan!

You Might Also Like