A po mbyllet një partneritet publiko-privat me shpërblim për partnerin privat pa u realizuar investimi që justifikoi marrjen e shumicës së aksioneve?
Në qendër të kësaj çështjeje qëndron kompania Eco-Higjiena Sh.P.K., e krijuar në vitin 2012 nga bashkimi i KRM “Higjiena” Sh.A. me partnerin privat Ecovision Sh.P.K.
Sot, kur partneriteti po shkon drejt përfundimit, po propozohet ndarja e fitimit ndërmjet partnerit privat dhe komunave aksionare. Por para se të flitet për fitim, duhet të përgjigjet një pyetje themelore:
A është realizuar ndonjëherë investimi që i dha partnerit privat 51% të aksioneve dhe kontrollin e kompanisë?
Pasuria publike që hyri në partneritet:
Në momentin e themelimit të Eco-Higjienës, KRM “Higjiena” solli në partneritet:
klientelën ekzistuese, kontratat aktive, të drejtën e faturimit, stafin profesional, automjetet dhe makineritë, objektet administrative, tokën dhe infrastrukturën operative.
Sipas dokumenteve të regjistrimit, kapitali i kontribuar nga KRM “Higjiena” arrinte:
1,411,770.00€ ose rreth 48% (49%) të kapitalit të kompanisë. Kjo pasuri ishte krijuar ndër vite nga qytetarët e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës.
Kompania me 1,000€ kapital që mori 51% të pronësisë
Nga dokumentet publike rezulton se Ecovision Sh.P.K. ishte regjistruar me kapital prej vetëm 1,000 (ARBK). Megjithatë, kësaj kompanie iu dha 51% e aksioneve të Eco-Higjienës (fuzionimi KRM Higjiena Sh.a. dhe Eco-vizion Sh.P.K.) mbi bazën e zotimit për investim prej 1,500,000.00€, ky investim ishte arsyeja kryesore që justifikonte marrjen e shumicës së aksioneve nga partneri privat.
Shtrohet pyetja: A posedonte partneri privat Licencën e nevojshme të operimit?
Një nga pyetjet më serioze juridike lidhet me statusin e partnerit privat në momentin e hyrjes në partneritet.
Sipas legjislacionit për menaxhimin e mbeturinave, aktivitetet që lidhen me: grumbullimin e mbeturinave, transportimin e mbeturinave, trajtimin e mbeturinave, riciklimin, depozitimin e mbeturinave. Janë aktivitete të licencuara.Prandaj lind pyetja:
A posedonte partneri privat licencë operative për menaxhimin e mbeturinave në momentin kur iu dha kontrolli i operimit? Nëse jo, atëherë lind një pyetje edhe më serioze:
Si mund t’i transferohej menaxhimi i një shërbimi publik një kompanie që nuk posedonte licencën përkatëse për ushtrimin e aktivitetit?
Licenca është e lidhur me subjektin juridik të autorizuar dhe nuk transferohet automatikisht pa procedura ligjore dhe pa aprovimet përkatëse institucionale.
Nëse kjo çështje nuk është trajtuar sipas ligjit, atëherë vihet në pikëpyetje vetë baza juridike mbi të cilën është ndërtuar partneriteti.
Qështje tjetër e rëndësishme partneriteti u krijua për investime, jo për menaxhim të thjeshtë
Rajoni i Gjilanit nuk kishte nevojë për partner privat vetëm për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave. KRM “Higjiena” Sh.A e kryente këtë funksion edhe para vitit 2012. Partneri privat u përzgjodh sepse premtoi: investime të reja financiare, teknologji moderne, impiante riciklimi, zhvillim ambiental, rritje të efikasitetit, modernizim të sektorit.
Pra, qëllimi i partneritetit ishte që kapitali i ri të vinte nga sektori privat dhe jo të financohej nga të ardhurat ekzistuese të kompanisë.
Tash kemi atë dyshimin pa rezervë: Investimi që nuk u pa kurrë
Pas më shumë se 13 viteve funksionim nuk është bërë publik asnjë raport i pavarur që të dëshmojë realizimin e investimit prej 1.5 milion euro. Nuk janë prezantuar: dëshmi të transferimit të kapitalit, procesverbale të pranimit të investimeve, lista të aseteve të investuara, raporte të verifikimit të kapitalit.
Ndërkohë, partneri privat mori menjëherë kontrollin e operimit dhe përfitoi nga klientela, infrastruktura dhe të ardhurat e kompanisë.
Humbja ekonomike nga mosrealizimi i investimit 1.5 milion €uro
Çështja nuk është vetëm nëse investimi prej 1.5 milion euro është realizuar apo jo.
Çështja është edhe dëmi ekonomik që i është shkaktuar kompanisë dhe aksionarëve publikë për shkak të mungesës së këtij investimi për më shumë se 13 vite.
Partneri privat fitoi 51% të pronësisë duke u bazuar në zotimin për investim prej
1,500,000.00€ në vitin 2012. Për të vlerësuar ndikimin ekonomik të investimit të parealizuar përdoret formula që tregon se kjo shumë do të arrinte vlerën 2,268,900 € (bazuar ne llogaritje minimale të inflacionit mesatar prej 3%, për 14 vite), vetëm nga zhvlerësimi i parasë humbja e gjeneruar është 768,900.00€.
Nëse marrim një norme minimale kthimi prej 5% në vit, ku do të kishim një investim fillestar prej 1,500,000.00€, vlera aktuale ekonomike 2,969,000.00€, humbja ekonomike potenciale 1,469,000.00€. Pra nëse ky investim do të realizohej, sot kapitali që duhej të ishte pjesë e Eco-Higjienës do të kishte vlerën prej afro 3 milion €uro. Kjo do të thotë se kompania dhe aksionarët publikë mund të jenë privuar nga një kapital me vlerë aktuale prej afro 3 mil. €uro. Kjo shumë do të mund të ishte përdorur për: impiante riciklimi, qendra moderne për trajtimin e mbeturinave, teknologji të avancuara mjedisore, zgjerim të kapaciteteve operative, ulje të kostove për qytetarët.
Qështje tjetër, investime apo shpenzime të paguara nga vetë kompania?
Një tjetër çështje që kërkon auditim lidhet me pretendimet se një pjesë e të ashtuquajturave investime të partnerit privat janë financuar nga vetë Eco-Higjiena përmes të ardhurave të saj.
Nëse pagesat për konsulentë, ekspertë ose kontrata të ndryshme janë kryer nga llogaritë e kompanisë dhe më pas janë paraqitur si investime të partnerit privat, atëherë shtrohet pyetja:
A kemi të bëjmë me investim privat apo me përdorim të mjeteve të vetë kompanisë?
Investim privat konsiderohet vetëm kapitali që hyn nga jashtë kompanisë dhe financohet nga vetë investitori.
Rrasti i Rerhard Dummer! Sipas informacioneve të disponueshme, Gerhard Dummer është paraqitur si ekspert financiar dhe konsulent.Megjithatë, kërkohet sqarim publik:Cilat janë kualifikimet e tij profesionale në financa? Kush e ka emëruar? Kush i ka aprovuar pagesat? Çfarë raportesh profesionale ka prodhuar? Sa kanë kushtuar këto shërbime?
Nëse pagesat për konsulencë janë financuar nga Eco-Higjiena dhe janë regjistruar si investime të partnerit privat, atëherë kjo çështje kërkon verifikim të pavarur.
Qështje tjetër që kërkon kujdes të duhur është borxhet prej 644,206.84€ që nuk shfaqen në pasqyrat financiare. Sipas listës publike të Administratës Tatimore të Kosovës, Eco-Higjiena ( KRM Higjiena Sh.A ne vlerë prej 323,560.31 + ecohigjiena Sh.P.K. 320,646.53€) figuron me detyrime në shumën 644,206.00€ Megjithatë, në pasqyrat financiare të publikuara figurojnë detyrime tatimore: 25,141 euro. Kjo mospërputhje kërkon shpjegim profesional dhe verifikim të pavarur. Pyetja mbetet: Ku janë pasqyruar 644,206.84 euro detyrime të publikuara nga ATK?
Pyetja shtrohet: Çfarë ndodhi me borxhet e vjetra të krm higjiena?
Sipas të dhënave të përmendura në kontrollet tatimore të viteve të kaluara, gjatë menaxhimit janë inkasuar borxhe të vjetra të KRM “Higjiena”. Prandaj kërkohet sqarim:Ku kanë përfunduar këto mjete?A janë përdorur për shlyerjen e obligimeve të KRM Higjiena? Apo janë përdorur për financimin e operacioneve të Eco-Higjienës?
Një vendim i quditshë që po qarkullon në rrjete sociale është 110 mijë euro fitim në prag të përfundimit të partneritetit. Partneriteti përfundon vitin e ardhshëm. Pikërisht në prag të përfundimit të kontratës po propozohet shpërndarja e fitimit, 110,000 euro për partnerin privat dhe 110,000 euro për komunat. Por para çdo shpërndarjeje fitimi duhet të sqarohet: a është realizuar investimi prej 1.5 milion euro, ku ndodhen asetet e investuara, a janë sqaruar detyrimet prej 644,206.84€, a është kryer auditim përfundimtar i partneritetit.
Tani këtu kemi përgjegjësin e bordit dhe e aksionarëve publikë. Bordi i Drejtorëve dhe përfaqësuesit e komunave kanë detyrim ligjor dhe moral për mbrojtjen e interesit publik.
Prandaj shtrohen pyetjet: A kanë kërkuar dëshmi për investimin prej 1.5 milion euro? A kanë kërkuar auditim të pavarur? A kanë analizuar detyrimet prej 644,206.84 euro? A kanë verifikuar realizimin e obligimeve kontraktuale?
Në mungesë të këtyre verifikimeve, çdo vendim për shpërndarje fitimi mbetet i ekspozuar ndaj dyshimeve serioze mbi transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik.
Pas 13 viteve partneritet, qytetarët e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës kanë të drejtë të marrin përgjigje të qarta:
Ku janë 1.5 milion euro investime të premtuara?
Pse mungon dëshmia e qartë e realizimit të investimit?
A posedonte partneri privat licencën e nevojshme për të ushtruar aktivitetin?
Ku janë 644,206.84 euro detyrime të publikuara nga ATK?
Pse nuk janë realizuar investimet strategjike të premtuara në riciklim dhe zhvillim ambiental?
Dhe mbi çfarë baze po shpërndahet fitimi për partnerin privat në fund të kontratës?
Para çdo vendimi përfundimtar dhe para çdo shpërndarjeje fitimi, kërkohet një auditim i pavarur financiar, ligjor dhe operacional, në mënyrë që të përcaktohet qartë se çfarë u premtua, çfarë u investua realisht dhe çfarë përfitoi sektori publik nga ky partneritet.
“Nëse investimi nuk është realizuar, atëherë pyetja nuk është pse po ndahen 110 mijë euro. Pyetja është: si mund të shpërblehet një partner për një investim që nuk e ka realizuar kurrë?”
Gjilan 17.06.2026
Këshilltari komunal : Muhadin Haziri





