Libri

TË VDISJA MË S’KISH INTERES

Agron TUFA

TË VDISJA MË S’KISH INTERES

( Poezi të zgjedhura nga opusi krijues i poetit )

NYJA

…E tash gjithçka vjen lidhet nyje
që duhet zgjidhur herëdokur.
Mes tokë-e-qiellit asnjë fije
siç duhet shthurur, nuk u shthur.

Na vijnë së largu ca t’vërteta,
me shushurimë, me pëshpërimë.
Drithmohet hithra dhe lëpjeta:
jo zemra jonë, jo veshi ynë!

Ajme, si mblidhet-kutull vjeshta –
i lashti fat si një iriq!
Një garderobë sajon gënjeshtra
për të vërtetën lakuriq.

Dhe shkepet klithma gjer në yje
dhe sprapset-gozhdë përmbi qivur:
mes tok-e-qiellit asnjë fije
siç duhet shthurur, nuk u shthur.

KALORËSI

Me flatrat e krillave u bart perëndimi
dhe ra si ndryshku i plugut.
Një bronx i sëmurë në pisk të thëllimit
larton statujën e muzgut.

Mes malit e fushës, kur jelet e zeza
të territ të prekin në tokë, –
zvarrë do ta heqë dikë në varreza
Kalorës’ i Dyrerit galop.

Ti portën e kyç dhe ndjen si përjashta
statuja e muzgut mësyn: –
rishmi rikthejnë ndijimet e lashta
që tjetër Kujtesë përtërijnë.

“Ti nuk m’i nderove altarët e mi,
as Frymët ndër kafshë e natyrë.
Ti engjëjt m’i talle! Më mbetet tani,
demonë të të çoj mysafirë”.

Portën e ndjen si shkallmohet, gjerkur –
shpirtin ndër lutje përndezë –
Kalorës’ i Dyrerit fytyrëqivur
ta merr me galop në varrezë.

NDJENJAT

I
Ndjenjat janë pleh i mirë,
pleh i ndezur me ferment.
Me to gjembaçë ke përtërirë.
E tash, indifferent

sheh se ndjenjat shterrën krejt:
djerrina ditësh zverdhen.
Gjembaçët bëhen më të mprehtë
sa zogu braktis çerdhen.

Fushëtira shtrihet e përpiktë
nën brymë, frymëmekur.
Elmaz’ i hënës thërrmon yjtë
dhe çan kungujt e egër.
II
Me ndjenja rriten veç gjembaçë.
Më mirë pa ndjenja fare!
Më mirë shalo të ziun vraç
t’absurdes natë shqiptare!

Dhe kur të m’sysh të katër anët –
shushatur në mërzi,
hapësirë e kohë si verbanët
t’i bësh lesh e li,

pa ditur ku, pa ditur pse,
pa shkak, pa qëllim,
përsa kjo natë një hon e fsheh
të terrtë, pa mbarim.

E kur galop në zgrip ia beh
pa prerë vrull, as turr,
të ftohtën flatër honi ndeh
tash a herëdokur.

Me ndjenjat rrisim veçse gjemba
se jemi fis gjembaçësh:
na rreh absurdi nëpër rremba –
ky zell shqiptar palaçosh.

HAMLETI (i Riu)

Ndërgjegjja e ashpër e tokës topitet.
Shpërprush ndër ethe mijëra sy yjësia.
Një zë vjen së largu e zgripeve mbytet:
këndon Ofelia? Vajton Ofelia?

Sharroj pagjumësie. Mesnatës mbaj vesh:
fërfëllon barërash, fshan në gjethnajë, –
ky zë që s’të lë sfilie të flesh
është këngë apo vaj?
Kur ndaj agsholi dal nga kështjella
dhe kalit i grah me galop,
shkrehur shoh shelgjet vajesh të thella,
yllësia shpërtheu në lotë.

I pabesë, tinzar shket lumi përposh
me shtëllunga avujsh përmbi:
“Ti Ofelinë më s’do ta dëgjosh,
s’do kesh më në botë Ofeli!”

Kalin e ngava teposhtë flauri,
mes shelgjesh të qullur në vesë…
s’më duhej më bota pa Ofeli
ndaj lypa një vend që të vdes.

Vendi s’u gjet atë ditë. As më pas.
Të vdisja më s’kish interes.
Tanimë jam plak. Kujtohem të flas:
Hamlet më thonë, – princi danez!

SHILARËS

Fryma ime e re rend si shtjellë nëpër male.
Fryma ime e vjetër përpëlitet në fushë.
Ah, si po shndrijnë këto shandane!
Si pezull m’u poq ky peng në gushë!

Fryma ime e re turbullohet ndër male.
Në fushë e ndrron Frymën e vjetër vërtik.
Dridhen fantazie harta seksuale,
Një shilarës i trishtë ç’po më kolovit –

Nga fushat e plogështa –
Te malet me re,
Herë në polin ndoshta,
Herë në polin pse.

You Might Also Like