Teatër

Tri shfaqje në natën e tretë të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme

Tri shfaqje në natën e tretë të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme
CCNO, Vepro, Varg e Vi, 25 nëntor 2023, Gjilan
Ishin tri shfaqje në natën e tretë të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme (FTSHM) në Komunën e Gjilanit, i organizuar nga CCNO, Vepro dhe Varg e Vi, me mbështetjen financiare të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, pas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Në natën e tretë të festivalit, para fillimit të shfaqjeve, fjalën përshëndetëse dhe informuese për shfaqjet, e morën Ekrem Sopi – drejtor i OJQ-së “Vepro” dhe Migjen Fazliu – drejtor i Varg e Vi-së, ku më pas, ndanë mirënjohjet për mbështetësit e festivalit, të cilët sistematikisht motivuan nxënësit e shkollave të tyre që të jenë pjesë e shfaqjeve teatrore në FTSHM. Mirënjohjet u ndanë për drejtoreshën Fatlume Xheladini – Behlulin dhe mësimdhënësin Elmaz Bunjakun nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”; nga Shkolla e Mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu” u dhuruan mirënjohje për drejtorin Xhelal Jetishin dhe mësimdhënësin Arian Aliun, si dhe, u dekorua me mirënjohje mësimdhënësja Magribe Neziri-Uruqi nga Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai”.
Shfaqja e parë u realizua nga nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike “Mehmet Isai”, me titull “S’je i denjë, zëvendësohesh”, me rolet nga: Adonis Shala, Ajet Ajeti, Muhamet Shala, Ulvi Kryeziu, Valton Ramadani, Olt Maloku, Juedë Shefkiu, Tuana Ismajli, Flanda Veseli, Artiola Rexhepi dhe Erolinda Salihu. Shfaqja portretizonte negativisht mësimdhënësen që nuk është profesioniste, nuk ndiqte trajnimet bashkëkohore, nuk ngjallte interesim te nxënësit për dëgjim aktiv gjatë orës mësimore dhe ekzistonte një konflikt i thellë me metodologjinë e saj të mësimdhënies, duke kaluar nga faza e rebelimit të nxënësve, shpotitjes, në fazën e parashtrimit të kërkesës për monitorim edhe nga drejtori i shkollës dhe verifikimi nga ana e tij, se nxënësit kishin të drejtë në konfliktin me mësimdhënësen pa sens pedagogjik. Drejtori ua plotësoi nxënësve dëshirat, me largimin e mësimdhënëses amatore, por nxënësit e përfundojnë skenën, me idenë që pas suksesit të parë, t’i ndërrojmë edhe mësimdhënësit e tjerë.
Shfaqja e dytë “Muzikë dhe shaka” ishte nga nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, me rolet nga: Erdi Daku, Erzë Fejzullahu, Alena Ida, Emërllah Arifi, Leona Hasani, Marigona Sylejmani, Loris Rushiti, Atdhe Rashiti, Benjamin Idrizi dhe Luan Shabani. Shfaqja ndonëse e shkurtër si e para, kishte dinamikë të jashtëzakonshme, lojë, dialogë dhe shaka në një mjedis klase, ku konflikti në mes të nxënësve dhe mësimdhënëses ishte i pashmangshëm. Nxënësit të rritur në një mjedis shoqëror me pop muzikën, tradicionale e folklorike, nuk arrinin dot edukimin estetik muzikor të muzikës klasike që promovohet nga shkolla. Shkolla e muzika klasike e humbën betejën me artin e masave të gjera shoqërore. Nxënësit ‘triumfuan’ ndaj mësimdhënëses.
Shfaqja e tretë “Prindi efikas”, shpalosi dramën e prindërve me fëmijën e tyre me varësinë nga teknologjia, celulari dhe humbja e interesimit për lexim, libër dhe suksesin shkollor. Pavarësisht kërkesave verbale të prindërve për të mësuar, drejtuar vazhdimisht fëmijës, nuk ishin model dhe shembull efikas se si duhej të edukohej fëmija, ngase vetë prindërit nuk ishin shembuj të mirë për modelim të sjelljeve të tyre nga fëmija. Nëna është e varur gjithashtu nga celulari dhe “snapchat”-i, ngjashëm që babai i varur nga alkooli, nuk arrinin dot të ishin prindër efikas për ta trajtuar varësinë e fëmijës nga teknologjia dhe rënia e motivimit për të nxënit shkollor. Mesazhi në fund ishte deklarativ nga vetë nxënëset-aktore: “Edukoni…”.
Shfaqja u bë me regjinë nga Florent Salihu, me asistencë të Ekrem Sopit dhe Avni Shkodrës, tekst të Avni Rudakut, skenografi të Din Azizit dhe kostumografi të Leudita Hysenit.
Festivali nesër përmbyllet me “Festivalin e Muzikës Ndërkombëtare Multietnike”, në Teatrin e qytetit në Gjilan, pas shfaqjes së filluar në ora 19:00, nga nxënësit-aktorë të Shkollës së Mesme të Artit, me regjinë e Faton Kqikut.

You Might Also Like