Në arritjen e gjithëmbarshme të shoqërisë së një vendi, padyshim kontribut të madh kanë dhënë mësimdhënësit, ata që kanë shpërndarë dritën e dijes. Puna me brezat e rinj për arsimimin dhe edukimin e tyre vlerësohet si bazament kryesor për të ndërtuar një shoqëri të shëndosh. Shumë punëtorë arsimi ia kanë kushtuar një jetë shkollës dhe punës me nxënës. I tillë është edhe mësuesi Sabit Kurteshi, i cili shërbeu mbi 30 vjet në shkollën fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan.
Të shkruash për biografinë e mësuesve të gjeneratës më të ndritshme të arsimit, nuk mjafton vetëm një copë letër. Pjesë e kësaj gjenerate ishte edhe mësimdhënësi Sabit Kurteshi, i cili sot është pensionuar pak pasi ka mbushur më shumë se tri dekada punë të palodhshme dhe kontribut të çmueshëm në arsim.
Gjatë tërë këtyre viteve punë, mësuesi Sabit nuk kurseu mundin dhe vullnetin e tij për të edukuar dhe mësuar gjeneratat e reja.
Ai shprehet falënderues gjithë stafit të shkollës ku në mesin e kolegëve të tij ka dhe ish- nxënës.
Por, ajo që e gëzon mësuesin Sabit është fakti se nxënësit e tij të shumë gjeneratave dalloheshin për arritje e ruajtje të cilësisë mësimore, mandej edhe në përvetësimin e dijeve në ciklin e lartë të arsimit më tej./Radio Star/